Kompani të njohura koreane së shpejti në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci me bashkëpunëtorë ndodhet në një vizitë zyrtare në Korenë Jugore, ku po zhvillon takime me zyrtarë të institucioneve dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, e veçanërisht ato të sektorit të energjisë dhe teknologjisë informative. Vizita realizohet në organizim të Bankës Botërore, e cila është një nga përkrahësit më të mëdhenj të këtyre dy sektorëve në Kosovë.

Në këtë kuadër, Ministri Stavileci ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të Ministrisë së Shkencës, TIK dhe Planifikime, Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë, Agjencinë Koreane të Internetit dhe Sigurisë, Agjencinë Nacionale të Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë Nacionale për Promovimin e Industrisë së TIK, Telekomin Korean dhe kompani të fushës së TIK dhe energjisë.

Në takime me drejtues të institucioneve dhe kompanive të fushës së energjisë të Koresë, ndër temat kryesore ishin ndërtimi i TC Kosova e Re, Eficienca e Energjisë, Burimet e Energjisë dhe modelet e reja të ‘Smart Energy’, ku u shqyrtuan mundësitë që kompani nga Korea të investojnë në Kosovë, e veçanërisht në projektet që janë në proces të realizimit siç është TC, por jo vetëm.

Ndërkaq, një vend të veçantë gjatë takimeve ka zënë edhe sektori i teknologjisë informative, me ç’rast Ministri Stavileci ka ftuar kompanitë koreane, përfshi edhe Telekomin Korean që të investojnë në vendin tonë në këtë sektor, për të cilin Kosova i ka të gjitha parakushtet për zhvillim të hovshëm.

Kreu i MZHE-së, gjatë takimeve në fjalë ka hasur në gatishmërinë e kompanive koreane që së shpejti të jenë prezentë me investime në tregun e Kosovës, ndërsa ka shtuar se MZHE, respektivisht Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e ambientit biznesor, duke parë me prioritet sektorin e TIK-ut dhe energjinë.

Ndryshe, Korea e Jugut është duke përkrahur Kosovën në zhvillimin e sektorit të TIK-ut, përmes Korea Green Growth Trust Fund në projektin “Rritja Inovative për viset rurale në Kosovë”, që implementohet nga Banka Botërore në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …