Jeta dhe veprat e simbolit unikat të qëndresës aktive shqiptare, në Kosovë dhe troje të pushtuara nga Jugosllavia, Adem Demaçi ( 26 shkurt 1936- 26 korrik 2018) ka qenë e po mbetet burim frymëzimi për brezat liridashës, por edhe burim i analizave të ndryshme kombëtare e politike të së kaluarës së kohës së tij, që është një jetë e tërë kushtuar kombit e atdheut, një jetë e tërë në shërbim të kombit e atdheut, një jetë në vazhdim për të mësuar se ku kemi qenë, ku jemi dhe për ku po synojmë.
Na kanë mësuar apo jemi mësuar në mënyrë paushalle, që kur e kujtojmë apo shkruajmë për Demaçin t’ i përmendim 28 vitet e tij kaluara në burgje si kapital kombëtar e politik i qëndresës së tij të pashembullt, i vizionit të tij realist në pasqyrimin e rrjedhave e rrethanave në të cilat është gjendur, ka jetuar dhe ka vepruar, por krejt pak për aktivitetin e tij paraprak, sidomos në vitet 50-të, kur Demaçi ishte formuar si personalitet-protagonist, kishte ideuar dhe kishte lëshuar në diskutim me një rreth të gjerë shokësh e miqsh, projektin e tij për çlirim dhe bashkim kombëtar. Njohësit e veprave dhe jetës së Adem Demaçit, qoftë nga ata që rrahim gjoks se e kanë njohur më mirë se të gjithë, qoftë nga studiues e historianë që e interpretojnë nga këndet e bindjeve të tyre, qoftë nga ata që e kanë përdorur dhe keqpërdorur si ombrellë, për të fshehur të ligat dhe zezonat e tyre, askush dhe asnjëherë nuk mund ta përvetësojë, sepse Adem Demaçi gjatë tërë jetës së tij ka qenë vetvetja, shqiptari më i pathyeshëm i të gjitha kohëve, vizionari profetik dhe shembulli unikat, shembulli lapidar i fenomenologjisë njerëzore, në rastin konkret edhe kombëtare, shqiptare.
Demaçi ka jetuar dhe ka vepruar thjesht, pa synime megalomane, pa pretendime për të treguar epërsi apo luftë për pushtet, pa pretendime për të treguar se ishte i pari edhe kur ishte në të vërtetë, sepse ishte më i përkushtuari, më oratori, më luftaraku, më i guximshmi ashtu sikur edhe kishte qenë, se ishte më i pazëvendësueshmi, ashtu sikur ka qenë në jetë, por nuk e ka pranuar kurrë, sepse nuk i ka dashur lavdet e krekosjet.
Ende nuk është e prezantuar sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e tij deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, e të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë. Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt lirshëm dhe i vetëdijshëm, për të gjitha rravgimet e vuajtjet jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht. Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese e atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera. Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit, pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre
Në mesin e dëshmitarëve më të zellshëm për të evidentuar të gjitha armiqësitë një nga një të Adem Demaçit kundër Jugosllavisë, ishte treguar shoku i tij i Gjimnazit, me të cilin ishte njohur që nga fëmijëria, Shemsi Popova.
Ai në deklaratat e tij ka prezantuar një pjesë të madhe të Aktivitetit të Adem Demaçit, për të cilin ka qenë në njohuri drejtpërdrejt nga Baca Adem, apo edhe nga shokët e tjerë, me të cilët ishte shoqëruar gjatë kohës sa mësonte në shkollën e mesme, e më vonë edhe në studime në Beograd. Shemsi Popova nuk është mjaftuar me deklarata duke u nisur nga vetja e tij por e ka zgjeruar rrethin dhe ka folur për të gjithë shokët, me të cilët kishte komunikuar, kurdo të kenë qenë në prani të Adem Demaçit.
Duket se ai kishte pasur interesim të ofronte sa më shumë dëshmi duke implikuar madje edhe shokët e tij, por pa treguar se për këtë e kanë pyetur hetuesit, apo thjesht duke u nisur nga vetvetja, me qëllim që për Demaçin të japë sa më shumë të dhëna, lidhur me aktivitetin e tij antijugosllav. Gjatë dëshmive që ka dhënë fitohet përshtypja se ai kishte qenë vetë inspektor i UDB-së, ose i infiltruar i saj. Përveç Shemsi Popovës nga 14 dëshmitarët veçohet edhe Adem Gajtani, i cili po ashtu ka treguar gjerë e gjatë për të gjitha takimet që ka pasur me Demaçin dhe qëndrimin e tij anti-jugosllav. Këta dy dëshmitarë, në deponimet e tyre kanë evidentuar gjithçka kanë ditur, gjithçka kanë dëgjuar nga të tjerët, apo gjithçka çka i ka porositur UDB-ja, duke qenë jo vetëm dëshmitarë të thjeshtë, por edhe shumë më tepër se aq. Kjo hetohet fare lehtë se me sa seriozitet kanë folur për të gjitha temat që cilat i kishte ngritur hapur Adem Demaçi, pa menduar se në mesin e shokëve kishte të infiltruar, por edhe pa e rrudhur gojën dhe pa u merakosur fare, meqë ishte në rrugë të krijimit, formësimit dhe konsolidimit të identitetit kombëtar, në rrugë për ta rikthyer vëmendjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm te çështje e Kosovës dhe bashkimit të saj dhe trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë.
…
- SHEMSI POPOVA
Dëshmitari i pestë, Shemsi Popova, para organit hetues deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qysh nga fëmijëria. Kemi qenë shokë shkolle. Qysh nga koha kur kemi qenë nxënës të Gjimnazit dikur në vitin 1951, para meje Demaçi ka filluar të shfaqë qëndrimin e vet politik. Që atëherë, ai, thoshte se ne në Kosmet i takojmë Shqipërisë, se kjo është toka e jonë dhe jo e Jugosllavisë. Këso diskutimesh Demaçi i përsëriste shpesh në atë kohë derisa takoheshim në ndërtesën e Gjimnazit në Prishtinë. Në të njëjtën mënyrë Demaçi ka vepruar edhe para Avdi Sinanit, atëherë nxënës i gjimnazit dhe Shefqet Popovës, po ashtu nxënës gjimnazi.
Pas mbarimit të gjimnazit, Demaçi ka shkuar në studime në Beograd, kurse unë në studime kam shkuar një vit më vonë. Po ashtu, në shoqëri në Beograd Demaçi, sërish ka mbajtur pozicionin armiqësor. Më së shumti ka folur para meje dhe Adem Gajtanit, që tani është student në Shkup. Kur është burgosur grupi armiqësor në Prishtinë, i cili ka vepruar në kuadër të organizatës së NDSH-së, Demaçi na ka thënë se është mirë të shkruajmë letra anonime dhe të dërgohen në adresat e udhëheqësve në Kosmet, si Gjoka Pajkoviqit, Fadil Hoxhës e të tjerëve. Me këto letra ata do të kërcënoheshin për qëndrimet dhe veprimet e tyre ndaj pakicës shqiptare në Kosmet, dhe e gjithë kjo do të bëhej si reagim ndaj burgosjes se grupit të përmendur. Atëherë, Demaçi ka folur edhe për nevojën e formimit të organizatës, e cila do të punonte për çlirimin e Kosmetit, dhe për bashkimin e tij me Shqipërinë. Në këtë drejtim ka thënë se duhet të përvetësohen shqiptarët e pjekur, të cilët do të mund të tërhiqnin pas vete masën shqiptare në luftën e përbashkët për çlirimin e shqiptarëve. Për këto çështje Demaçi është deklaruar edhe para Avdi Sinanit e Enver Talit, të cilët, gjithashtu, kanë qenë një kohë studentë në Beograd, e tani gjenden në Shkup. Me kujtohet se Demaçi e ka marrë për sipër që ai t’i shkruajë letrat kërcënuese, për të cilat ishte fjala, për arsye se ishte më me përvojë në mesin tonë, siç thoshte ai vetë.
Shpeshherë, Demaçi ka deklaruar se si Kosmeti nuk është jugosllav por shqiptar. Këtë na e ka dëshmuar me një dokument, që ndodhet në Arkivin e LNÇ-së të AKMO-së, në të cilin shihet si janë marrë vesh shqiptarët dhe jugosllavët për zgjidhjen e çështjes së Kosmetit pas çlirimit të vendit; Jugosllavia tani nuk do që këtë çështje ta ngrisë dhe ta vërtetojë se Kosmeti është jugosllav, kurse e harron marrëveshjen për të cilën është fjala.
Kur kemi ardhur unë dhe Demaçi nga Beogradi në Prishtinë, në vitin 1957, shpesh herë jemi takuar dhe kemi biseduar për çështje të ndryshme. Po theksoj se Demaçi më së shumta me ka folur përkitazi me bashkimin e
Kosmetit me Shqipërinë, e kjo ishte çështja kryesore që e preokuponte. Ai thoshte se ky problem mund të zgjidhe me luftë ose me plebishit; se sikur të ndodhte lufta ne shqiptarët më se shumti do të fitonim ne, sepse rusët do t’ia jepnin Kosmetin Shqipërisë, sepse kjo u konvenon edhe atyre. Mundësia e dytë ishte që çështja e Kosmetit të dalë para Kombeve të Bashkuara dhe me plebishit të vendosej se kujt do t’i takonte Kosmeti. Detyra jona ishte që të zhvillonim, sistematikisht, propagandë te të gjithë shqiptarët, që të përcaktoheshin për Shqipërinë, kur kjo çështje të vihej në rend të ditës. Do të ishte mirë që kjo propagandë të zhvillohej edhe me shkrimin e trakteve dhe shpërndarjen e tyre. Propagandën do ta udhëhiqte organizata, siç thoshte Demaçi, që do ta formonim, e cila do te ishte në gjendje të bënte ndikimin e plotë ndër masat shqiptare dhe do të orientohej kah Shqipëria. Për këtë çështje Demaçi ka biseduar edhe me Adem Gajtanin. Enver Talin, Anton Pashkun dhe Hajrulla Zymin. Këso bisedash ka zhvilluar, zakonisht, në rrugë, para hoteleve dhe në shtëpinë e tij. Gjithashtu, në vitin 1957, Demaçi para meje dhe në praninë e personave të përmendur, e ka përkrahur sulmin ndaj shtetit tonë nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore. Ai thoshte se i vjen mirë që Shqipëria e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Shaban Polluzhës, për arsye se më parë kishte qëndrim negativ ndaj këtij luftëtari, i cili e kishte filluar luftën për çlirimin e shqiptarëve në Kosmet. Më kujtohet se Adem Demaçi, në vitin 1957, shpesh i ka nxitur disa nxënës të gjimnazit për veprimtari armiqësore. Më se shumti ka biseduar me Sabit Ratkocerin dhe Anton Pashkun, se si duhet të ishin revolucionarë dhe t’u kundërviheshin pushtetarëve të shkollës. Ratkoceri i ka premtuar Demaçit që në çdo kohë i ka në dispozicion 20 veta për kryerjen e detyrave. Fjalimin e Enver Hoxhës, në të cilin shfaqej pretendimi për Kosmetin, Demaçi e ka përkrahur plotësisht dhe ka thënë se çështjen e zgjidhjes së Kosmetit duhet ta ngrisë Shqipëria. Udhëheqësit jugosllavë janë të vetëdijshëm se Kosmeti do të bëhet shqiptar, dhe për këtë thoshte Demaçi, ata po punonin energjikisht për ruajtjen e statusit të tanishëm për çka në njërën anë, ata, nxisnin shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me pohimin se janë “turq”, për të pamundësuar plebishitin në Kosmet vetëm me shqiptarë, por edhe me nacionalitete të tjera, në anën tjetër, pushtetarët, ishin orientuar për ngritjen e disa objekteve, për cka
Demaçi thoshte se pushteti ishte i detyruar ta bënte nën ndikimin e shqiptarëve dhe kompanive të tyre, sepse deri tashti asgjë nuk ishte bërë në zhvillimin ekonomik.
Në vitin 1958 Demaçi ka vazhduar të veprojë armiqësisht, kështu që ka dalë para shumë njerëzve, pra edhe para meje, kundër masave që pushtetarët jugosllavë po ndërmarrin në Kosmet, dhe ka përkrahur fushatën që vinte nga Shqipëria. Ai na fliste se si pushtetarët pengonin zhvillimin e kulturës nacionale shqiptare në gjuhën shqipe, për mbylljen e shkollave shqipe, për ndalimin e botimit të folklorit shqiptar, për mungesën e lirisë së të shkruarit, se njeriu nuk mund të shkruajë për atë që e sheh, mendon dhe ndien dhe se po bëhet presion në shqiptarët dhe, përgjithësisht, në jetën shoqërore e publike.
Në këtë vit, Demaçi, lidhur me situatën e keqësuar në botë, ka theksuar se nëse ndodh Lufta e Tretë Botërore, Shqipëria do të fitojë më se shumti – do të fitojë Kosmetin, ashtu siç e kishte gjatë luftës se kaluar, sepse në Luftën e Dytë Botërore ka fituar më së shumti Jugosllavia. E gjithë veprimtaria armiqësore e Demaçit në vitin 1958 ishte përqendruar në organizimin e propagandës që Kosmeti t’i bashkohej Shqipërisë. Me secilin njeri që e ka njohur, Demaçi, ka folur për çështjen e Kosmetit, për nevojën e bashkimit të tij me Shqipërinë e të tjera.
Më kujtohet që para meje dhe Shefqet Popovës, student i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Demaçi ka folur se si do të bënte jehonë të madhe sikur të bëhej atentat në Alesh Beblerin, i cili atë ditë ndodhej në Prishtinë. Ky diskutim e ka nxitur Shefqet Popovën, që të thotë, se Aleshin duhet goditur me revole në kokë. Demaçi, me atë rast, ka konstatuar se do të ishte mirë, për shkak se e gjithë bota do të thoshte se populli shqiptar po lufton për lirinë e tij.
Demaçi ka diskutuar shpeshherë për këto probleme edhe me Sylejman Drinin dhe Hajrullah Zymin, që të dy nëpunës në Sipërmarrjen “Rilindja”.
Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e kam lexuar dhe në të janë përfshirë fjalët e mia, prandaj e nënshkruaj.
U krye në orën 11 e 50 minuta. Procesmbajtës: Svetisllava Sllaviq. Dëshmitari: Shemsi Osmani.
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Shemsi Osmani e kam dëgjuar deklaratën e tij për veprimtarinë time. Nuk e kam dëgjuar deklaratën e dhënë dhe procesverbalin e nënshkruaj.
I pandehuri: Adem Demaçi. Organi hetues i autorizuar: Momir Çanoviq