Adem Demaçi

Ahmet Qeriqi: Cilët ishin dëshmitarët mbi të dhënat e të cilëve u formulua dhe u zyrtarizua aktakuza kundër Adem Demaçit, në vitet 1958-1959 IV

Ende nuk është e prezantuar  sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e Adem Demaçit deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, e të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë. Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti  platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së  miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt  lirshëm dhe i vetëdijshëm, për  të gjitha rravgimet e vuajtjet  jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht. Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar  si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese e atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera. Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit,  pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

 Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda  rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve  asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor  përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre

Dëshmitë e Ismet Bytyçit, Mehmet Ahmetit dhe Ruzhdi Xhaferit janë sipërfaqësore dhe nuk janë dhënë me zell e komentime, por me një rrjedhë të përshkrimeve të përgjithshme, jo me pretendime për ta rënduar por as duke mohuar ato, që realisht, Adem Demaçi i kishte folur madje edhe i kishte pranuar edhe vetë para hetuesisë. Ai e  kishte mbrojtur çështjen me vetëdije të plotë se po i dilte zot shqiptarëve të keqtrajtuar nga regjimi i ish RSFJ-së, duke bërë përpjekje të gjejë sa më shumë bashkëmendimtarë për të vepruar në drejtim të lirisë dhe bashkimit kombëtar.

Të tre këta dëshmitarë rrëfejnë pjesë të bisedave me Adem Demaçin, për të cilin shprehin edhe respekt të caktuar sidomos për kontributin e tij në letërsi por edhe afrinë e sinqeritetin me të cilin iu drejtohej njerëzve. Të tre kanë vënë në pah sidomos brengosjen e Adem Demaçit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, për keqtrajtimet që iu kishte shkaktuar regjimi shumë shqiptarëve në tërë Kosovës  në kohën e Aksionit të grumbullimit të armëve në dimrin e viteve 1955-1956, për pozitën e tyre të rëndë sociale dhe nevojën e çlirimit dhe bashkimit të viseve shqiptare me Shqipërinë, duke kërkuar që të drejtat të realizohen edhe me kryengritje të përgjithshme.

Në vazhdim po paraqesim  dëshmitë e Ismet Bytyçit, Mehmet Ahmetit dhe dhe Ruzhdi Xhaferit

  1. ISMET BYTYÇI

Dëshmitari i gjashtë, Ismet Bytyçi, para organit hetues më 18.12.1958 deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qysh në vitin 1952, sepse kemi mësuar bashkë në Gjimnazin e Prishtinës. Pas mbarimit të gjimnazit jam takuar me Ademin gjatë vitit 1956, si dhe në vitet 1957 dhe 1958. Diku në janar ose në shkurt të vitit 1956 jam takuar me Adem Demaçin në Prishtinë para Këshillit Popullor të Rrethit. Me këtë rast Demaçi para meje ka folur për humbjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosmet, të garantuara me Kushtetutë. Si shembull ka përmendur mbylljen e shkollave shqipe, të cilat në të ardhmen, sigurisht se do të mbyllen të gjitha. Më ka thënë se pushteti këtë po i kryen në mënyrë shumë perfide me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi nën firmën e demokracisë. Ai thoshte se pushteti po propagandonte se për të gjithë ata që dëshirojnë të shpërngulen dera është e hapur, pra edhe për shqiptarët për në Turqi, dhe se për ne, shqiptarët, që mbesim këtu në Kosmet nuk ka jetë dhe këtu nuk kemi për kë të punojmë. Me ka thënë se është mirë që edhe në të shkojmë diku, pasi që njerëzit tanë po shpërnguleshin. Me atë rast ka shprehur brengosje për shpërnguljen për në Turqi. Më kujtohet se Demaçi me këte rast më ka thënë se pushteti po i shpërngul shqiptarët për në Turqi vetëm për arsye që në Kosmet të mbesin vetëm serbët. Gjithashtu, me atë rast Demaçi më ka thënë se pushteti po i maltreton shqiptarët me pretekstin e armëve me qëllim që t’i frikësojë dhe kështu t’i detyrojë që sa më shumë të shpërnguleshin për në Turqi. Më ka thënë, po ashtu, se arsyeja e dytë shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi është edhe frika nga kryengritja  që do ta organizonin shqiptarët kundër pushtetit jugosllav, në mënyrë  që t’i fitonin të drejtat, të cilat nuk i kanë. Në qershor të viti 1958 jam takuar me Demaçin në Prishtinë me rastin e ardhjes së Teatrit të kombësive të Shkupit në Prishtinë. Atë ditë kemi biseduar me Demaçin duke shëtitur në korzon para Teatrit në Prishtinë. Nuk ka qenë e mundur të diskutojmë, por Demaçi me ka këshilluar se duhet të punojë dhe t’i hapim sytë, sepse prej nesh populli shqiptar pret mjaft, dhe të tjera. Këshillën e Demaçit e kam kuptuar si vazhdimësi të asaj që më kishte thënë edhe më parë, domethënë të punoj kundër pushtetit, cili po vepron kundër shqiptarëve.

Me mua ka biseduar, shpesh, edhe Avdi Sinani nga fshati Gadime, tani student i mjekësisë në Shkup. Ai më ka folur për edhe për Adem Demaçin duke më thënë se ai është njeri i mirë, se është i mençur dhe shqiptar i mirë. Gjithmonë, para meje, e ka lavdëruar dhe popullarizuar. Avdiu më ka folur se Demaçi shkruan shumë bukur si shkrimtar dhe përmes veprave të tij alegorike e shpreh atë që mendon dhe në këte mënyrë ia përcjell ato popullit. Në lidhje me një tregim që e ka shkruar Demaçi, ai, ka biseduar me mua më se një orë. Demaçi më ka shpjeguar se si në atë tregim, përmes maces ka paraqitur ikjen e shqiptarëve nga Kosmeti, edhe pse ata e duan atdheun e tyre – Kosmetin. Në këtë tregim përshkruhet ndarja e maces nga shtëpia dhe kthimi i saj. Maceja vështirë e braktis shtëpinë, ashtu si edhe shqiptarët atdheun e tyre.

Nuk më kujtohet më shumë nëse Demaçi më ka thënë tjetër, pos asaj që deklarova.Procesverbalin e kam lexuar dhe në të kanë hyrë të gjitha fjalët e mia, prandaj e vëretoj dhe e nënshkruaj. U krye në orën 13 e 30 minuta. Procesmbajtës: A. Greveska. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq, Dëshmitari: Ismet Bytyçi ( nënshkrimi në qirilicë – HB).

  1. MEHMET AHMETI

Dëshmitari i shtatë, Mehmet Ahmeti, para organit hetues, më 19.12.1958, deklaron: Të pandehuron Adem Demaçi e njoh që nga viti 1953. sepse bashkë kemi mësuar në Gjimnazin e Prishtinës. E njoh edhe pas kryrjes së gjimnazit, si shkrimtar, që shkruan romane dhe vepra të tjera.Para meje Demaçi është deklaruar armiqësisht në vitin 1957. Unë kam pasë ardhur në Prishtinë diku në dhjetor të vitit 1957 dhe atëherë e kam vizituar Demaçin në zyrën e tij, në ish Sipërmarrjen Botuese “Rilindja” dhe po kështu, jemi takuar edhe në korzo. Në zyrën e tij jemi takuar unë, Adem Gajtani, Rafael Sopi dhe Anton Pashku, që të tre punonjës në “Rilindje”. Demaçi me atë rast na ka folur se si shqiptarët në Kosmet nuk kanë kurrfarë të drejtash, se janë të maltretuar dhe të detyruar të punojnë vetëm punë fizike dhe se shkollat shqipe gradualisht po mbyllen dhe se një ditë do të mbyllen të gjitha. Kështu, që ne, shqiptarët, apsolutisht po 1 humbin të drejtat. Na thoshte, gjithashtu, se këtu nuk kemi jetë nga regjimi, prandaj duhet të luftojmë për të drejtat tona dhe kundër pushtetit në Jugosllavi. Që ta arrijmë pushtetin në Kosmet dhe që atë t’ia bashkojmë Shqipërisë, thoshte Demaçi, duhet t’i hyjmë formimit të organizatës, e cila do të luftojë që Kosmeti t’i bashkangjitej Shqipërisë. Korrigjohem, nuk na ka thënë se kujt t’i bashkangjitet Kosmeti, por ka thënë vetëm se organizata duhet të luftojë kundër pushtetit në Jugosllavi dhe për çlirmin e shqiptarëve në Kosmet. Sipas paramendimit të tij, në organizatë, do të hynin intelektualët, të cilët dinë të luftojnë për të drejtat e tyre. Nuk më është e njohur se është formuar ndonjë organizate, se a ka bërë Demaçi diçka në këte drejtim, sepse për këtë asnjëherë më nuk më ka folur.Para kësaj bisede, me Demaçin jam takuar diku në fillim të vitit 1957 në Prishtinë dhe duke shëtitur në korzo kemi biseduar. Me atë rast Ademi më pat folur për aksionin e armëve dhe për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve, por kjo ka anën e vet të mirë, thoshte ai, sepse shqiptarët do ta kuptojnë se çfarë është ky pushtet, do të shohin ngjyrën e vërtetë të tij dhe nuk do të mashtrohen më. Kah gjysma e vitit 1957 jam takuar me Adem Demaçin në korzo, dhe atëherë më ka folur për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. I ka quajtur tradhtarë të popullit shqiptarë të gjithë ata që po ikin dhe po e lënë tokën e tyre, sepse ata edhe pse ishin shqiptarë po shkruheshin si turq etj. Ka shprehur brengosje se për këtë arsye në Kosmet po mbesin pak shqiptarë, ndërsa edhe për çka tjetër ishte i brengosur nuk më ka thënë. Në bazë të gjithë kësaj kam përfunduar se Demaçi mendon se do të ishte mirë sikur në Shqipëri të ishte regjimi perëndimor, sepse perëndimi do t’u ndihmonte shumë shqiptarëve për çlirimin e tyre dhe për bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë. E di këtë sepse më ka folur për këtë diku në vitin 1957, por nuk më kujtohet muaji. Tjetër çka nuk më ka folur Demaçi, më sa më kujtohet mua. Procesverbalin e kam lexuar dhe në të janë shënuar fjalët e mia, prandaj e vërtetoj dhe e nënshkruaj.

U krye në orën 11. Procesmbajtës: Svetisllav Lajiq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Mehmet Ahmeti.

 

  1. RUZHDI XHAFERI

Dëshmitari i tetë, Ruzhdi Xhaferi, para organit hetues, më 13.1.1959, deklaron:

Me të pandehurin Adem Demaçi njihem që nga viti 1955. Derisa kam qenë nxënës në Shkollën Normale të Prishtinës, Adem Demaçi ka mbajtur disa takime letrare, ku ka lexuar pjesë nga vepra e tij. Shkrimet e tij më kanë pëlqyer shumë, prandaj jam interesuar për të. Me të jam takuar shpesh në Prishtinë dhe Shkup. Bashkë e kemi pritur Vitin e Ri 1957. Me ne kanë qenë në shoqëri edhe Adem Gajtani, Avdi Sinani dhe Ismet Bytyçi. Në Prishtinë me Demaçin jam takuar diku në verë të vitit 1958, me ç’rast më ka pyetur se apo shpërngulen shqiptarët nga Prishtina për në Turqi. Jam përgjigjur se jam nga fshati dhe për këte nuk di asgjë, ndërsa Demaçi ka reaguar duke thënë se të gjithë shkuan, me ç’rast ka shfaqur brengosje për shkak të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Përveç kësaj, gjatë vitit 1957 më ka folur edhe për aksionin e armëve, maltretimin e shqiptarëve nga ana e pushtetit, duke theksuar se një qëndrim i tillë i pushtetit është i papranueshëm. Në lidhje me Shqipërinë më ka folur diçka për marrëdhëniet e krijuara, por nuk më kujtohet se çka më ka thënë lidhur me këtë. Nuk me kujtohet as a kam qenë bashkë me Demacin më 28 nëntor 1957 për të festuar Ditën e Flamurit. E vetmja gjë që kam vërejtur është se Demaçi kishte qëndrim armiqësor kur fliste për aksionin e armëve. por ai si politikan, nuk më ka interesuar, por vetëm si shkrimtar dhe si të tillë e kam çmuar. Tjeter nuk kam çka të deklaroj për Demnacin. Procesverbalin e kam lexuar dhe në të janë përfshirë fjalet e mia, prandaj e vërtetoj dhe e nenshkruaj, U krye në orën 20 e 20 minuta. Procesmbajtés. Luka Lubarda. Organi hetues i autorizuar. Momo Çanoviq. Dëshmitari: Ruzhdi Xhaferi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …