(Mbi librin “Nga hapësira e trojeve në hapësirë të rrjedhave” të autorit Martin Berishaj)
Në librin e tij, “Nga hapësira e trojeve në hapësirë të rrjedhave”, publikuar në vitin 2004 në Lubjanë, politologu, dr. Martin Berishaj, ka paraqitur një sërë çështjesh me vlerë, sa i përket zhvillimit të shtetit rajonal në Europë. Sot jemi dëshmitarë të integrimeve europiane, ku njëherësh dominon një shumëllojshmëri kulturash nacionale, ruajtja e së cilave është vlerë e veçantë për bashkësinë, prandaj çdo europian ka të drejtë të ketë rajonin e vet, meqë krijimi i rajoneve është një nga mënyrat për ruajtjen e kësaj dallueshmërie.
Rajonalizimi është formë e decentralizuar e pushtetit qendror, që njëherësh nënkupton shkallën e dytë të vetëqeverisjes lokale mes shtetit dhe komunës, por që nuk ka pozitë juridike më të gjerë sesa ajo e bashkësisë lokale ekzistuese. Ndryshe, rajoni konceptohen edhe si sajim i kohës moderne, të drejtat e të cilit duhet të sanksionohen me kushtetutë.
Me fjalë të tjera, rajonalizimi paraqet një shkallë të re të organizimit territorial shtetëror në shtetet e centralizuara demokratike. Por, para se të shpjegojmë disa nga shembujt e këtyre shteteve, për të cilat na flet autori, do të sqarojmë se çfarë është rajonalizimi dhe kur nisi aplikimi i tij në Europë.
Sipas autorit Berishaj, koncepti i shtetit rajonal doli në pah pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse organizimet rajonale në formë të principatave ishin të njohura që në lashtësi. Më 1975, Këshilli i Europës (KE) filloi me aplikimin politikës rajonale, dhe që atëherë, në dokumentet e Kuvendit të Rajoneve Europiane shkruhet se “rajonet janë pushtete lokale nën shkallën e pushtetit qendror, me pushtet politik të zgjedhur nga përfaqësues të rajonit”. Rajonalizimi është prirje bashkëkohore e organizimit shtetëror, thotë autori, ndaj kudo në Europë bëhen përpjekje për organizime të tilla, për faktin se rajonalizimi konsiderohet si formë e organizimit shtetëror, që i kontribuon zhvillimit shoqëror.
Në rrjedhat e zhvillimeve globale dhe integrimeve ndërnacionale e mbinacionale, vija kufitare e shtetit nacional duket sikur po e humb kuptimin e vet. Më 1985, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian kanë miratuar Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale (KEVL), ku janë përcaktuar edhe kompetencat rajonale. Qëllimi i Kartës është zhvillimi i demokracisë dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, ndaj si institucion i detyrueshëm ligjor, KEVL-ja u rekomandohet jo vetëm shteteve anëtare, por edhe atyre kandidate për anëtarësim. Parimet e KEVL-së janë të sanksionuara edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale, përkundër faktit se Republika e Kosovës aplikimin për anëtarësim në KE dhe BE e ka dorëzuar në vitin 2022.
Sipas autorit Berishaj, qëllimet e rajonalizimit janë të ndryshme (politike, ekonomike, kulturore, etnike), megjithëse praktikat rajonale tregojnë se shtetet rajonale mund të krijohen edhe në raste të tjera, si në rastin e ndërtimit të shtratit të lumenjve që rrjedhin në disa shtete amerikane. Në raste të veçanta, ekziston mundësia që disa rajone të kërkojnë autonomi të plotë politike apo shkëputje nga pushteti qendror, por në këtë rast fjala është për probleme politike. Prandaj duhet promovuar dialogu dhe bashkëpunimi i mirëfilltë demokratik mes pushteteve.
Pos të tjerash, Berishaj ka evidentuar edhe disa nga barrierat kryesore të rajonalizimit dhe, siç shkruan ai, barrierë kryesore është frika se rajonalizimi e dobëson tërësinë territoriale të shtetit dhe se me aplikimin e pushtetit rajonal, shteti përkatës s’do mund ta shtrinte autoritetin e vet në atë territor. Në anën tjetër, ekziston edhe frika, se me implementimin e shkallës së ndërmjetme rajonale, autonomia lokale mund të dobësohet. Megjithëse, praktikat e deritanishme kanë treguar se shtetet që kanë inauguruar institucione rajonale, njëkohësisht kanë ndërtuar edhe mekanizma juridikë për ruajtjen e tërësisë territoriale.
Në vijim të librit, autori ka dhënë disa shembujt të vetëqeverisjes rajonale në Europë, modele të aplikueshme edhe për rajonet shqiptare në Mal të Zi, si Malësinë e Madhe, Ulqinin, Krajen dhe Anën e Malit. Sipas tij, lidhja ndërrajonale e shqiptarëve do të ishte faza e parë e integrimeve shqiptare në kuadër të integrimeve europiane, për çfarë shqiptarët kudo që janë, duhet të jenë kreativ dhe bashkëpunues mes tyre. Gjithsesi, në këtë rast bëhet fjalë për të drejta të garantuara edhe me KEVL, në pjesën e parë të së cilës janë parashikuar të gjitha kompetencat rajonale, si kompetencat vetjake, autorizimet, koncepti i marrëdhënieve rajonale, marrëdhëniet me organet lokale, marrëdhëniet me rajonet e tjera, përfaqësimi jashtë shtetit, bashkëpunimi në çështjet shtetërore, bashkëpunimi në çështje europiane etj.
Autori Berishaj, nëpërmjet shembujve konkretë, ka shpjeguar se përkundër prirjes për rajonalizim në Europë, ende sot nuk ekziston një koncept rajonal i pranuar nga të gjithë. Kjo për faktin se rajonalizimi, por edhe çfarëdo organizimi i vetëqeverisjes lokale i pengon disa elita politike, sepse ato nuk janë në gjendje t’u lejojnë shtetasve të tyre jetësimin e të drejtave elementare të njeriut. Në këtë rast duhen kujtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi, të cilët janë të privuar nga të drejtat e tyre më elementare, pa lënë anash edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku edhe ata nuk gëzojnë më shumë të drejta se bashkëkombësit e tyre në Serbi.
Në vijim, në mënyrë të përmbledhur, do të paraqesim disa shembuj të shteteve rajonale në Europë, për të cilat ka shkruar autori.
ITALIA – konsiderohet si shteti i parë rajonal, i formuar me kushtetutën e vitit 1949, e cila ka parashikuar autonomi të caktuar për provincat. Ajo është e ndarë në 20 rajone, 8097 komuna dhe 102 provinca. Italia ka tri shkallë të vetëqeverisjes lokale: rajone, provincë dhe komunë. Nga 20 rajonet e Italisë, 5 prej tyre kanë status të veçantë, si, Sicilia, Sardenja, rajonet kufitare me Francën, rajonet kufitare me Austrinë (Tiroli Jugor) dhe rajonet kufitare me Slloveninë (Julijska Kraina). Me rregullimin kushtetues, shteti mund të delegojë autorizime administrative në rajone dhe provinca, kurse rajonet mund të delegojnë autorizime në provinca dhe komuna. Çdo rajon ka kuvendin dhe miraton legjislacionin rajonal. Ligji pranon pavarësinë financiare të rajonit.
SPANJA – konsiderohet si shteti i dytë rajonal, ku rajonalizimi është organizuar me kushtetutën e vitit 1978, me motiv rikthimin e të drejtave historike rajoneve që ishin pranuar në republikën e dytë, por që ishin ndërprerë në kohën e Francut. Në Spanjë sistemi rajonal nuk është homogjen. Bashkësitë autonome politike dallojnë për nga aspekti kulturor, historik e zhvillimor dhe janë të organizuara me kompetenca shtetërore. Në këtë rast kujtojmë kërkesën e parlamentit rajonal të baskëve në vitin 2005, për shkëputje nga pushteti qendror, por që pa miratimin e Madridit plani nuk mund të zbatohej. Atëkohë, kryetari spanjoll pati deklaruar: “Në demokracinë tonë mund të flasësh për gjithçka brenda kushtetutës”.
BRITANIA E MADHE – është e ndarë në 9 rajone, të cilat janë kryesisht rajone planifikimi e jo bashkësi territoriale me autonomi të caktuar apo kompetenca të përgjithshme. Më 1994, rajonet kanë formuar zyrat qeveritare (të tregtisë, mjedisit, industrisë e të punësimit). Drejtoritë rajonale u përgjigjen ministrive përkatëse për implementimin e programeve rajonale.
FRANCA – ka 26 rajone dhe njihet si ndër shtetet më të decentralizuara. Të gjitha rajonet kanë organet dhe kompetencat e veta. Deri në vitin 1958, kushtetuta franceze nuk i njihte rajonet. Në vitin 1982 u aktivizua decentralizimi dhe Franca u bë bashkësi territoresh. Ajo ka 26 rajone, 36 433 komuna dhe 100 departmente. Komuna është më e vogël dhe shkalla më e vjetër e qeverisjes. Departmenti qëndron mbi komunën, kurse rajoni është nën nivelin shtetëror.
GJERMANIA – ka nivel prej tri shkallësh të vetëqeverisjes lokale. Gjermania ka 16 rajone, 323 rrethe dhe 14 685 komuna. Shkallën e autonomisë këto nivele qeverisjeje e kanë të përcaktuar me kushtetutë. Rajonet gjermane nuk kanë elemente shtetërore dhe nuk mund të organizohen si njësi federale.
BELGJIKA – hyn në radhët e shteteve të decentralizuara, me qeverisje treshkallëshe. Për shkak të problematikave me valonët dhe flamanët, nga viti 1977 Belgjika ka pranuar me marrëveshje tri rajone: rajoni i Brukselit, i flamanëve dhe i valonëve. Belgjika ka gjithashtu tri bashkësi gjuhësore: franceze, holandeze dhe gjermane. Ka 10 provinca dhe 589 komuna. Në Belgjikë, shkalla më e lartë e pushtetit është bashkësia dhe rajoni.
SUEDIA – sipas rregullimit kushtetues është mbretëri me pushtet të ndarë në tri nivele: qendror, rajonal dhe lokal. Suedia ka 21 rrethe.
AUSTRIA – si federatë, nga viti 1930 ka 9 rajone apo lande dhe 112 rrethe. Vjena ka statusin e rajonit, rrethit dhe të komunës.
Kurse POLONIA – më 1998 ka formuar 16 rajone të shpërndara në 308 rrethe.
Si përfundim, duhet thënë se libri i autorit Martin Berishaj është një libër i veçantë dhe me vlerë, që duhet lexuar nga të gjithë ata që mësojnë apo duan të mësojnë për karakteristikat postmoderne të vetëqeverisjes lokale e rajonale. Libri është studim i thukët dhe ka një temë të palëvruar shumë në teorinë politike te shqiptarët.