Në Republikën e Kosovës për momentin në fuqi është Ligji Nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë i aprovuar qysh në vitin 2006 nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për lirinë fetare në Kosovë është në formë të përgjithësuar, ka boshllëqe, pasi që më tepër trajton lirinë e individit për të shprehur në mënyrë private dhe publike bindjet e t’ia fetare, porse në aspektin organizativ flet fare pak për bashkësitë fetare, mbarëvajtjen fetare si dhe pozitën juridike të tyre.
Me datë 25.01.2023 Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj aprovoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, dhe e procedoi Kuvendit të Kosovës për shqyrtim, plotësim dhe miratim në procedurë të rregullt, i cili si i tillë është edhe më i pafavorshëm për bashkësitë fetare në Kosovë në raport me Projektligjin e mëparshëm të proceduar Kuvendit të Kosovës gjatë mandatit të kryetares së Kuvendit të Kosovës znj.Vjosa Osmani, tani presidente aktuale e Republikës së Kosovës.
Projektligj i tillë i formuluar, gjatë krahasimit të Deklaratës së përputhshmërisë së legjislacionit të Kosovës me Acques Comunitare të Bashkimit Evropian, del se përputhshmëria e aktit normativ me dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në asnjërin prej 6 pikave nuk aplikohet, ndërsa në përputhshmërinë e legjislacionit me Acquis të Bashkimit Evropian në 6 pika nuk ka fare mospërputhshmëri. Dispozitat e këtij Projektligji nuk janë të rregulluara me legjislacion të BE-së dhe si e tillë kjo fushë e veprimtarisë mbetet në kompetencë të brendshme të shteteve anëtare të BE-së.
Sa për përkujtim, Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 30 nëntor 2015, pas procedimit në Kuvend të Qeverisë së Republikës së Kosovë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë, pas votimit, me 37 vota për, 20 abstenime dhe 12 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e aprovoi këtë Projektligj, dhe ia ktheu Qeverisë së atëhershme për plotësim dhe ndryshim.
Në këtë elaborim të Projektligjit më të ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare n Kosovë, do të ndalem në 5 çështje thelbësore të Projektligjit e këto janë: bashkësitë fetare tradicionale në Kosovë, regjistrimi i bashkësive të reja fetare në Kosovë, varrezat e bashkësive fetare, detyrimi i bashkëpunimit të bashkësive fetare/kishave me organet hetimore dhe gjyqësore dhe pasqyrat financiare të audituara të bashkësive fetare/ kishave.
E para, Bashkësitë fetare në Kosovë, neni 4A paragrafi 1i këtij Projekligji është formuluar me sa vijon: “4.1. Në Republikën e Kosovës ekzistojnë shtatë (7) bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës,Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës”.
Në vend të kësaj, neni 4A, paragrafi 4.1 duhet të jetë i formuluar kësisoj: “Në Republikën e Kosovës ekzistojnë tre(3) bashkësi fetare tradicionale shekullore, të cilët përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe dhe Kisha Katolike”.
Në nenin 4.5 të Projektligjit qëndron ky formulim:” 4.5. Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik.”. Në vend të këtij duhet të jetë ky formulim :”Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitete të reja që janë formuar apo do të formohen, që mund të regjistrohen në një formë tjetër dhe të marrin statusin e personit juridik”. Këtu mund të hyjnë bashkësitë të reja sikurse që janë Kisha Protestante Ungjillore, Bashkësia e Besimit Hebrenj apo ndonjë bashkësi e re eventuale fetare që do të mund të themelohet.
Këtë që e them e mbështes me faktin se në Kosovë me shekuj kanë vepruar tri bashkësi fetare tradicionale të cilët përfshijnë shumicën absolute fetare të popullatës së Kosovës, ndërsa tani janë paraqitur disa bashkësi të reja fetare, që nuk çojnë peshë në strukturën e gjithëmbarshme fetare të Kosovës. Sa i përket Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës dhe Komunitetit Bektashian të Kosovës, ato nuk mund të jenë të ndara nga Bashkësia Islame e Kosovës, pasi ata janë pjesë përbërëse të korpusit të Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse i përkasin të njëjtës fe Islame, besojnë në të njëjtin Allah fuqiplotë, pasojnë të njëjtin librin hyjnor Kur’anin e madhëruar , falen, agjërojnë, kryejnë haxhin dhe varrosen në varrezat e njëjta myslimane, ndërsa përveç tyre i kryejnë si shtesë ritualin e zikrit në teqetë e tyre, në koloritin e gjerë islam.
E dyta, regjistrimi i bashkësive të reja fetare në Kosovë, neni 7B paragrafi 2.2 i këtij Projekligji është formuluar me sa vijon:” Me rastin e themelimit të kenë të paktën njëqind (100) anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”, duhet të jetë i formuluar në këtë mënyrë: “Me rastin e themelimit të bashkësive të reja fetare duhet të kenë të paktën njëmijë (1.000) besimtar, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”.
Tek neni 7B duhet të shtohet paragrafi shtesë 2.7 me këtë formulim: “Nuk do të lejohet regjistrimi i bashkësive të reja fetare, që në aspektin doktrinar fetar janë të njëjtë me Bashkësitë fetare tradicionale në Kosovë, dhe se eventualisht do mund të regjistrohen vetëm me pëlqimin paraprak të Bashkësisë Islame të Kosovës, të Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Katolike”.
Me këtë formulim të tillë të nenit 7B paragrafi 2.2 në këtë Projektligj, do të mundësohet që në Kosovë të mund të themelohen me dhjetëra bashkësi të reja fetare, e me këtë bashkësitë fetare barazohen gati në rangun e njëjtë me organizatat jo qeveritare, pasi që për regjistrimin e OJQ-ve kushti për regjistrim është të kenë tre anëtar, që për momentin në Kosovë veprojnë gati afro dhjetëmijë organizata joqeveritare qoftë vendore apo ndërkombëtare, ashtu që me kushtin për themelimin e bashkësive të reja fetare në Kosovë me 100 anëtar do të kemi me qindra bashkësi të reja fetare në Kosovë.
Në rast se do të lejohet të regjistrohen bashkësitë fetare me vetëm 100 besimtar, atëherë kjo do të sjell përçarje me pasoja të papara dhe shumë të dëmshme pikësëpari për Bashkësinë Islame të Kosovës si bashkësi fetare shumicë në Kosovë. Kjo do të sjell pa dyshim fragmentarizmin dhe përçarjen e Bashkësisë Islame të Kosovës si një Bashkësi e vetme fetare unike nën ombrellën e së cilës shekuj me radhë kanë qenë të përfshirë të gjithë besimtarët shqiptar mysliman të Kosovës, duke marr parasysh edhe tarikatet ekzistuese brenda saj, si dhe komunitetet myslimane boshnjake, turke dhe rome.
Qytetarët e Republikës së Kosovës më së miri e njohin aktualitetin fetar, kulturor, historik, shoqëror, tradicional shumë shekullor në Kosovë. E në rast se këto i neglizhon, i anashkalon dhe nuk i merr parasysh pikësëpari Qeveria e Kosovës si dhe Kuvendi i Kosovës, atëherë do të mbajnë përgjegjësi politike, legjislative, ekzekutive në rast se Projektligji i tillë i përpiluar në këtë formë do të miratohet në Kuvend.
E treta, varrezat e bashkësive fetare, neni 8A paragrafi 2, i cili ka të bëjë me varrezat dhe ritet e varrimit, është i formuluar me sa vijon:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen në mënyrë neutrale dhe personat që i përkasin një pakice fetare apo filozofike nuk duhet të varen nga personat që i përkasin një shumice fetare lidhur me aspektet e varrimit të tyre”. Paragrafi 2 i nenit 8A do të duhej të jetë i formuluar kësisoj:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen nga Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Serbe për besimtarët që i përkasin bashkësive fetare të cekura në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse. Besimtarët që i përkasin një pakice fetare jo islame, jokatolike dhe joortodokse, si dhe personat që nuk duan të identifikohen me besimin fetar, me dëshirën e tyre mund të varrosen në lokacione tjera”.
Këtë kur e them bazohem në atë se gjer tani të gjithë besimtarët sipas përkatësive të tyre janë varrosur në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse, pa marrë parasysh ndarjet apo botëkuptimet e ndryshme në mes tyre, bile me rastin e varrimit të tyre të gjithë kanë qenë të përbashkuar, të gjithë besimtarët myslimanët janë varrosur në varreza myslimane, besimtarët katolik në varrezat katolike dhe besimtarët ortodoks në varrezat ortodokse. Gjatë kohës së sistemit komunist përjashtim kanë qenë vetëm komunistët të cilët me dëshirën e tyre janë varrosur ndaras në parcelë të posaçme, por në shumicën e rasteve numri i tyre ka qenë irrelevant.
E katërta, detyrimi i bashkëpunimit të bashkësive fetare/kishave me organet hetimore dhe gjyqësore, neni 12 A paragrafi 4 i këtij Projektligji është i formuluar me sa vijon: ” Të gjitha bashkësitë fetare / kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale të pastrimit të parave, rekrutimit për kryerjen e veprimtarive të paligjshme, financimit të veprimtarive të paligjshme, keqpërdorimit të fondeve publike, ose aktiviteteve lidhur me akte të tilla, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me hetimin e veprave penale ose vendndodhjen e autorëve, me ndonjë regjistër, materiale ose informacion brenda kontrollit të organizatës.”.
Me këtë nen të formuluar kësisoj,Projektligji i detyron bashkësitë fetare/ kishat në Kosovë të bashkëpunojnë me organet hetimore dhe gjyqësore të Republikës së Kosovës lidhur me personat që hetohen apo akuzohen për pastrim parash, financimin e veprimtarive të paligjshme, etj. Paradoks i krejt kësaj është keqpërdorimi i fondeve publike, sipas kësaj bashkësitë fetare/ kishat do të jenë fajtor kujdestar edhe për personat që keqpërdorin fondet publike.
Kjo do të kishte kuptim po të ceket se eventualisht ndonjë imam apo prift i bashkësive fetare/kishave i cili i takon bashkësisë fetare të caktuar, bie ndesh lidhur me të lartcekurat në paragrafin 4, atëherë prej bashkësisë fetare/kishës pjesëtar i së cilës i takon imami apo prifti, do të mund të kërkohej ndonjë informacion nga bashkësia fetare/kisha që do të mund të ndihmonte hetimin nga prokuroria apo gjykimin nga gjykata.
E pesta, pasqyrat financiare të audituara të bashkësive fetare/ kishave, neni 12B paragrafi 1:“Të gjitha bashkësitë fetare janë të obliguara që deri me datën 31 mars të vitit pasardhës të dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak te Zyra”.
Ky formulim i këtillë nga ana e propozuesit, është kulminacion diktatorial i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Me çfarë të drejte Qeveria e Kosovës kërkon pasqyrat financiare të audituara nga bashkësitë fetare/kishat për kontroll të tyre, kur me asnjë metelik të vetme nuk i financon bashkësitë fetare/kishat. Po të financoje mbarëvajtjen dhe punën e bashkësive fetare/ kishave në Kosovë atëherë ligjërisht i takon edhe t’i kërkoj pasqyrat financiare të audituara për parat e shpenzuara të dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës bashkësive fetare/kishave.
Kjo nuk ka ndodh as në sistemin komunist të ish Jugosllavisë, pjesë përbërëse e së cilës ishte edhe Kosova, në të cilën mënyra e financimit e bashkësive fetare ka qenë kryekëput me vetëfinancim dhe kanë qenë autonome me financat e tyre dhe nuk i kanë dhënë llogari pushtetit të atëhershëm komunist për parat e tyre të shpenzuara, me një përjashtim të vetmin, i cila ka qenë i formuluar në teori por jo i zbatuar në praktikë, në të cilin shteti ka mundur të përcaktonte ndihmën materiale për të cilin bashkësitë fetare do të ishin të obliguara të paraqitnin raportet financiare shtetit të atëhershëm komunist për shpenzimin e këtyre parave të dhëna nga ana e shtetit të atëhershëm.
Kjo ishte e rregulluar me Ligjin mbi pozitën juridike të Bashkësive Fetare të vitit 1953 i cili vlente për tërë ish Jugosllavinë, e më vonë ia janë transferuar republikave dhe krahinave të ish Jugosllavisë, të cilët kanë rregulluar në të njëjtën mënyrë, në të cilën financat e bashkësive fetare i menaxhonin në mënyrë autonome dhe nuk ishin të detyruara të japin llogari pushtetit të atëhershëm komunist. Kjo mënyrë e tillë e financave ishte rregulluar si me Ligjin e pozitës juridike të bashkësive fetare në RS të Bosnjë e Hercegovinës(Gazeta zyrtare e BeH, nr. 36/76), Ligjin mbi pozitën juridike të bashkësive fetare ne RS të Kroacisë(Gazeta zyrtare”Narodne novine, nr. 14/78), ashtu edhe Ligji mbi pozitën juridike të Bashkësive fetare në KSAK(Gazeta zyrtare e KSAK-ut nr. 10/77).
Ky formulim i paraparë për kontrollin e pasqyrave financiare të audituara nuk ka qenë i paraparë me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovës i proceduar në Kuvend gjatë kohës së kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani. Paradoks edhe më i madh është tani në këtë Projektligj nuk figuron as neni 12B për sponzorizimin e Bashkësive fetare/kishave :” Bashkësive fetare/kishave u njihet e drejta e sponzorizimit nga persona fizik e juridik vendor apo të huaj, që sponsorizojnë projekte dhe aktivitete të bashkësive fetare, përmes të cilave sponzorizuesit lirohen nga tatimi në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, me të cilin tani i dekurajojnë dhe i pamundësojnë personat fizik apo juridik vendor apo të huaj për të sponsorizuar bashkësitë fetare/kisha për të cilat për mjetet financiare të dhuruara kanë pas drejtë lirimi nga tatimi në pajtim me legjislacion tatimor në fuqi në Republikën e Kosovës.
Në përfundim të këtij elaborimi të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-31 deputetët e Kosovës si përfaqësues të popullit, duhet të votojnë këtë Projektligj, vetëm pas plotësimit dhe ndryshimit me amendamente të propozuara nga ane e vetë deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend, ashtu që të miratohet një Projektligj i tillë i cili do të jetë në funksion të vazhdimit të kultivimit të harmonisë dhe tolerancës fetare shekullore në Kosovë.
04.02.2023