Shkrimtari i madh austriak me origjinë hebraike, Franc Kafka (1883-1924) është një krijues i veçantë nga të gjithë shkrimtarët botërorë. Secili, që për herë të parë lexon ndonjë vepër të tij, heton se ai nuk është dhe nuk shkruan si të tjerët, se bota e tij e shprehur në tregime, novela apo romane është tjetër fare, dhe ajo dallon në shumë segmente, jo vetëm nga ana formale e mbarështimit të materies, por edhe nga përmbajtja dhe qasje krejtësisht e veçantë lidhur me botën dhe disa nga fenomenet e jetës njerëzore.
Të rrallë janë lexuesit e pasionuar dhe seriozë, të cilët nuk janë detyruar ta rilexojnë madje edhe disa herë rrëfimin e tij mjaft sfidues për ta zbërthyer. Vepra e tij është si katrori i Rubikut, ku për vendosjen e të gjitha ngjyrave në vend të vet të duhet kohë, por edhe një çelës, të cilin nuk është e lehtë ta gjesh. Për dallim nga katrori, interesimi për të cilin pushon pasi ta kesh zbërthyer, si një enigmë, vepra e Kafkës ka aq shumë enigma sa lexuesi mesatar, pasi e lexon veprën e tij e kënaq një pjesë të kërshërisë, i vetëdijshëm se shumëçka nuk ka kuptuar. Ka në mesin e lexuesve por edhe të shkrimtarëve që kanë konstatuar se pavarësisht seriozitetit gjatë leximit, Kafka është i errët dhe pamundësia për ta zbërthyer qëndron në këtë fakt, jo në faktin e pamundësisë për ta kuptuar totalitetin e botës së tij krijuese.
Si duket Kafka ka qenë i vetëdijshëm për anën e errët e krijimtarisë së tij. Madje ai ka dyshuar shumë në krijimtarinë e tij. Në porosinë që i kishte lënë shokut të tij Maks Brod, pak para vdekjes kishte shkruar:
“I dashur Maks, lutja ime e fundit: gjithë çfarë gjendet në trashëgiminë time, pra në raftin e librave, në raftet e ndërresave, në tavolinën e shkrimit, në shtëpi, në zyrë, apo në cilin do vend që të gjendet, e që të bjerë në sy, qofshin këta ditarë, dorëshkrime, letra të huaja dhe të mia, digji të gjitha pa përjashtim dhe pa i lexuar”. ( O Bihali Merin, Kafka dhe procesi i tij, romani “Procesi”, Prishtinë 1972, faqe, 232).
Franc Kafka ka shkruar një mori me tregime, novela e romane. Ai u bë i njohur sidomos pas vdekjes, ku bota e lexuesve jo vetëm, në vendet ku flitet gjermanishtja, por sidomos në Francë, e lexoi dhe çmoi lart krijimtarinë e këtij shkrimtari, i cili vazhdon të mbetet njëri ndër krijuesit më të lexuar, por edhe më enigmatikë në mbarë botën.
Kur themi enigmatikë nënkuptojmë faktin se veprat e tij mund të kundrohen nga aspekte të ndryshme për të zbërthyer botën e tij, meditimin shumë të thellë, mbase edhe parashikimin për fatalitetin që pësoi populli hebre gjatë kohës së sundimit të Rajhut të Tretë, ku miliona hebrenj u burgosën u arratisën, u vranë dhe u zhdukën në mënyrën më barbare, që kishte njohur ndonjëherë njerëzimi, duke përjashtuar edhe inkuizicionin mesjetar.
Romani “Procesi” i Franc Kafkës, i botuar pas vdekjes, konsiderohet si vepra më madhore e tij, por edhe njëri ndër librat më të lexuar në botë. Në këtë roman, krejtësisht të veçantë për nga mënyra e ndërtimit, që mund të quhet edhe roman i personazhit, Kafka, jo vetëm bën përpjekje për ta paraqitur, por arrin me sukses ta trajtojë një fenomen jetësor, që nuk ishte trajtuar ndonjëherë, të paktën në krijimtarinë e asaj kohe. Ai në figurën e personazhit Jozef K. ndërlidh disa motive me elemente nga biografia e tij, por duke i dhënë një dimension universal të fatit të njeriut në shoqërinë e industrializuar kapitaliste, e cila e kishte tëhujësuar njeriun, e kishte bërë një prej veglave të shumta, me të cilat ajo manipulonte dhe mbi të cilat ajo sundonte, zhvillohej dhe zgjerohej.
Jozef K. është një zyrtar i një rangu mesatar në administratë, i cili një ditë papritur mëson se ndaj tij është hapur një proces hetimor, edhe pse ai është i vetëdijshëm se nuk kishte bërë asnjë vepër që binte ndesh me ligjin.
Megjithatë ai ishte bërë pjesë e një procesi hetimor që vazhdonte dhe që i kishte ushtruar një ndikim shumë të keq dhe një ndërhyrje brutale në jetën e tij, deri atëherë të thjeshtë e modeste.
Duke përshkruar procesin e hetimeve dhe duke mos arritur ta kuptonte përse kishin filluar hetimet, kush i kishte filluar dhe për çfarë shkaku, ai jeton mes ëndrrës dhe realitetit, mes reales e cila e dërrmon dhe ireales e fantazisë ku gjen strehë qoftë edhe për një çast.
Në raport me të njohurit si zonja Grubah, zonjusha Bistner e të tjerë ai ndihet mirë dhe në elementin real të jetës, ndërsa në prani të hetuesve, të inspektorit, prokurorit dhe të gjykatësve ai ndihet viktimë, pavarësisht se nuk ka bërë asnjë faj dhe pavarësisht se fajin e imagjinuar tij nuk e dëshmon askush.
Duke folur për invencionin krijues të Kafkës, studiuesi i mirënjohur O Bihali Merin shkruan: “Në asnjë çast nuk mund të qëndrojmë mbi rrafshin e domethënies tekstuale të fjalëve. Njerëzit sillen në sferën mes ëndërrues dhe realitetit, janë zhdukur raportet e vendit dhe kohës. Gjërat janë të përditshme, fjalët tejet të thjeshta, mirëpo ligjet e kauzalitetit më nuk vlejnë. Nuk ka asgjë të fortë, të qëndrueshme. Në muzgun e këtyre mendimeve, njeriu papritmas gjendet para greminave. Tmerret shpërthejnë edhe në ëndërr, është vështirë të ikësh nga frika dhe rreziqet, që vërsulen kundër nesh nga bota e hijes. Kjo është një frikë universale, një ndjenjë pasigurie e shpirtit neurotik, frika e udhëtarit nëpër një botë kaotike, por të rishrregulluar në mënyrë pedante dhe burokratike, që rri pezull midis fiksionit dhe esencës.” (Po aty, f. 227)
Kritiku dhe njohësi i shkëlqyer i veprave dhe simbolikës krijuese të Franc Kafkës, Bihali Merin ka zbërthyer disa anë të realitetit fantazmagorik të “Procesit” dhe ka konstatuar se ishte burokracia e kohës, e globalizmit kapitalist, e cila njeriun e kishte kthyer në vegël prodhuese, me qëllim për ta shfrytëzuar në të gjitha mjetet e metodat.
Çdo vetëdije që ngrehet kundër kësaj burokracie, ose që protestonte do të ndeshej me aparatin shtypës të një sistemi të perfeksionuar që ngulfat nga të gjitha anët dhe të rrëmben si oktapod apo njëqindkëmbëshi.
Duket se Franc Kafka ka paraparë globalizimin e kapitalizmit apo edhe të autaritarizmit monarkist, që ka mbijetuar dhe mbijeton për qëllimet e Piramidës së sundimit mbi njeriun e thjeshtë, i cili është i gjykuar të punojë, të shfrytëzohet, dhe të jetojë gjithnjë në frikë nga tërë aparatura shtetërore. Jeta e tillë është hije jete, pikërisht ashtu sikur përshkruan Franc Kafka, i cili përveç dimensionit të përshkrimit nga brenda të kësaj zezone individuale, ai parasheh edhe zezonën kolektive të hebrenjve, të cilët ishin ndjekur dhe ndiqeshin kudo edhe në kohën e tij, për të pësuar kolektivisht njëzet vjet pas vdekjes së tij.
Labirintet jetësore nga ku kalon jetën personazhi kryesor i romanit
Në romanin “Procesi” Kafka përshkruan pamundësinë e luftës së individit me njerëzit e pushtetit që janë shumë më të fortë se ai pavarësisht krejt pakuptimësisë së argumenteve me të cilat ballafaqohet individi. Në krejt faqet e këtij romani hetohet e vërteta tronditëse e realitetit të njeriut të thjeshtë në raport me sistemet, që ndryshojnë dhe pushtetin e konsiderojnë një pengesë apo si një diçka të mirë për të realizuar qëllimet. Personazhi i Kafkës përgjithësisht është njeriu i thjeshtë dhe jo heroi që ndryshon botën, apo heroi që mbron të drejtën dhe të vërtetën. Lidhur me këtë konstatim të tij ai ka shkruar: “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”. Sistemi gjigant i pushtetit vë në jetë rrjedhën e gjërave dhe paracakton rregullat e jetës e të sjelljes, rregulla këto që vendosin nga një karrem për çdo njeri dhe askujt nuk i japin llogari. Personazhi kryesor i romanit, “K” edhe pse bën përpjekje për ta kuptuar esencën e pushtetit ai nuk e kap dot me mendjen e tij. Në çdo segment ndeshet me fatalitetin dhe absurditetin e jetës, ku qenia e tij dhe të gjithë të tjerëve me të cilët rrethohet, pastaj ambienti, rezonimi, koha dhe hapësira, duken të pakuptueshme dhe nuk jetojnë në një union.
10 rrëfimet e romanit “Procesi” që përbëjnë tërësinë tematike e ideore
10 rrëfimet e romanit “Procesi” që përbëjnë tërësinë tematike e ideore, në dukje të parë të lënë përshtypjen e fragmenteve që nuk janë të lidhura mirë ose të kapitujve të romanit me praninë e sa e sa digresioneve, shpeshherë në dukje edhe në shpërputhje me kompozicionin. Pikërisht këtu, të paktën nga ana formale Kafka ka ndërtuar romanin e tij të personazhit, duke i thënë dimensione të gjata rrëfimit kryesor dhe duke e mbarështuar tërë materien me një lidhje të brendshme, të fortë dhe të qëndrueshme.
Në kapitullin e parë ai përshkruan fillimin e hetimeve, pastaj jep dimensionin e shtrirjes dhe ndikimit të ushtrojnë këto hetime jo vetëm te ai, por edhe të afërmit e tij.
Në kapitullin vijues fillon marrja në pyetje, ku bëhet fjalë për ballafaqimin e parë me pakuptimësinë e këtyre hetimeve. Pastaj në dy kapitujt vijues veprimi zgjerohet me biseda si me studentin, mikeshën e zonjushës Birstner, për të arritur te munxë dhënësi, kapitull, ku Kafka paraqet dhunën e pushtetit, e cila shtrihet jo vetëm mbi kokën e tij, por mbi të gjithë, madje edhe mbi denoncuesit.
Struktura ndërtimore e romanit vazhdon në kapitujt vijues ku “K” takohet me xhaxhanë, avokatin, Lenën dhe ku humb shpresat se do të ketë një mbrojtje të duhur nga ndokush. Ai duke besuar fort se po shkon drejt humbjes, heq dorë edhe nga avokati dhe lundron në përditshmërinë e tij plot ankth dhe paparashikueshmëri për fatin tragjik.
Dy kapitujt e fundit të romanit: “Në Katedralë” dhe “Fundi” përshtresohen në tërësinë e zhvillimeve që kanë ndodhur prej ditës kur ndaj “K”-së ka filluar procesi si dhe pamundësia për të zotëruar qoftë edhe një segment të vetëm të procesit e deri te parapërgatitja për të marrë goditjen e fundit. Kapitulli “Në Katedralë” përshkruan takimin e “K”-së me Kishtarin, i cili sikur e parapërgatit për ta marrë goditjen e fundit, pavarësisht se edhe ai beson në pafajësinë e “K”-së por është i sigurt se do të bëhet ashtu sikur është shkruar, meqë njeriu nuk mund të futet në ligj, nuk mund ta ndryshojë atë, por vetëm duhet të bindet qoftë edhe kundër vullneti të tij. Kishtari, padyshim se përfaqëson klerin, i cili gjithnjë dhe në çdo kohë ka mbështetur pushtetin, madje edhe atëherë kur kishte filluar përndjekje e hebrenjve. Mjerisht kleri katolik, pjesa zyrtare e klerit kishte aprovuar edhe gjenocidin dhe shfarosjen e hebrenjve nga makineria kriminele e Hitlerit makineria më e madhe e krimit që ka njohur bota. Përsiatja e rrëfimit të fshatarit, që pretendon por nuk arrin të futet në ligj, për shkak se ligjin e ruajnë sa e sa derëtarë të tjerë pas tij, duket sikur në mënyrë profetike dhe parashikuese ka të bëjë me hebrenjtë të cilët u zhduken mizorisht dhe pa asnjë faj, ose me fajin e vetëm sepse ishin hebrenj dhe jo gjermanë, apo evropianë.
Në ditëlindjen e 31-të, personazhi kryesor i romanit, i koduar me shkronjën “K”, që është shkronja e parë e mbiemrit të shkrimtarit ballafaqohet papritmas ne dy të panjohur, dy zotërinj me kapota salloni, të zbehtë, të shëndoshë, me cilindra që dukeshin sikur t’iu kishin ngjitur për koke. “K” është i habitur se të dy i duken si cirkusantë, por më vonë e kupton se ata do të jenë ekzekutorët e tij, të cilët e zhveshin lakuriq, duke ia ruajtur me kujdes rrobat dhe e parapërgatitin për ta therë. Në momentet e fundit ai kujtohet për gjykatësin që nuk e ka parë kurrë, gjyqin e lartë, të cilin nuk arriti ta shohë kurrë, ndien se thika iu kishte ngulur në gurmaz dhe sheh se si dy zotërinjtë ishin kërrusur mbi trupin e tij. Si qen! Tha “K” dhe iu duk se trupi i tij ishte më i fortë se vdekja.
Fundi i procesit përjetohet, jo si një larje e mëkatit, për individin, i cili nuk ka bërë as edhe një mëkat të vetëm, për ta mbytur në atë mënyrë, por është fundi i një jete të jetuar qenqe, i një jete, i një trupi, i cili megjithatë ishte më i fortë se vdekja. Fjalia “si qen” flet shumë. Në tregimin e tij “Rrëfimi i një qeni” Franc Kafka jep një porosi universale. Ai thotë. Mos u sillni me njeriun si me qenin, sepse ai fillon të veprojë si qen.
Kafka, në krijimtarinë e tij ka kombinuar për mrekulli gjërat e jetës së përditshme, duke i ndërlidhur me ato të imagjinatës. E përditshmja është përshkruar si gjendje e sëmurë patologjike, pa rrugëdalje ndërsa imagjinata është përpjekja e tij për të përballuar përditshmërinë monotone të bezdisshme, në pamundësi për ta ndërruar atë.
Franc Kafka u lind në qytetin e Pragës, me 3 korrik 1883 dhe vdiq me 3 qershor 1924 në Vjenë te Austrisë.
Kishte origjinë nga një familje e arsimuar hebraike. I ati, Hermani ishte mjeshtër fshati por më vonë u be fabrikant i vogël. Ai dëshironte që i biri të bëhej fabrikant. Babai i tij kishte natyrë vetjake por imponuese në familje. Edhe e ëma, Xhulija, nuk i kushtoi shumë rëndësi Francit, meqë kishte edhe fëmijë të tjerë dhe obligime të shumta në rritje e tyre. Babai por as e ëma nuk e ka kuptuar as nuk e arsyetuan marrjen e Kafkës me shkrime, duke e quajtur atë si veprimtari jo dobiprurëse dhe një jetë andrallash Kafka ishte rritur nën kujdesin e një guvernateje. Ai pati dy motra e dy vëllezër. Vëllezërit i kishin vdekur të vegjël, ndërkohë që ai ishte rritur
Në shkrimet e tij ka përshkruar edhe raportet jo të mira me babanë egoist, i cili mbi të gjitha shihte përfitimin material dhe nuk e arsyetonte dot veprimtarinë e tij shkrimore.
Edhe pse kishte jetuar në një familje relativisht të kamur, ai kishte trashëguar një shëndet të lig dhe në moshë të re iu kishte shfaqur sëmundja e tuberkulozit, shërimin nga e cila nuk e filloi me kohë.
Pasi mbaroi në Pragë, gjimnazin gjerman, kishte filluar studimet për drejtësi. Në të njëjtën kohë kishte ndjekur kurse me mësime për artin dhe gjermanistikën.
Në vitin 1908 mori diplomën e juristit dhe pikërisht asokohe fillon të shkruaj rrëfimet e tij të para në prozë.
Po në atë vit zë punë në një “Kompani italiane të sigurimi” , në Pragë.
Gjatë asaj kohe krahas punëve në administratë, Franc Kafka lexon disa nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë të kohës si: Tolstoin, Dostojevskin, Tomas Manin Kjerkegorën, Floberin e shumë të tjerë.
Në vitin 1909, në revistën “Hyperion” boton disa fragmente nga novela e tij e parë e titulluar: “Përshkrimi i një beteje”. Prej vitit 1913 e deri në vdekje ai botoi shumë tregime e novela por shumica e krijimtarisë së tij kishte mbetur në dorëshkrim. Gjatë kohës sa ka qenë gjallë ka botuar përmbledhjen me tregime titulluar “ Vëzhgimi”, pastaj boton tregimin “Aktgjykimi”, tregimin “Zjarrvënësi” romanin “Amerika” e të tjera.
Novela e tij “Transformimi” u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Me këtë novelë për të cilën shkruan fjalët më të mira shkrimtarët e njohur, Maks Brod, Oskar Valcer, Kazimir Eshtmit, ai mori edhe shpërblimin e parë letrar” “Fontane-Preis”.
Në vitin 1912, në shtëpinë e shokut të tij Maks Brod, njihet me gjermanen, Felisa Bauer, e cila përfaqësonte një kompani të diktafonave. Një kohë të gjatë Kafka pati korrespondencë me zonjushën Baurer, me të cilën ishte martuar dhe ishte ndarë dy herë. Në vitin 1917, ata ndahen përfundimisht.
Asokohe martohet me një gjermane të re të Pragës, ndërkohë që i shfaqen shenjat e para të TBC-së.
Në vitin 1919, kafka boton veprën “Mjeku i fshatit” ku ishte shquar dhe ishte lavdëruar nga kritika, mes tjerash sidomos novela: “Në koloninë e të dënuarve”.
Në vitin 1920 lë punën në Kompaninë e sigurimeve dhe shkon në një Sanatorium me qëllim për t u shëruar nga sëmundja. Asokohe lidh miqësi me shkrimtaren e njohur çeke, Milena Pollak, me të cilën ka shkëmbyer shumë letra, të cilat janë botuar pas vdekjes së Kafkës me titull: “Letra Milenës”.
Në vitin 1923, në kohën kur sëmundja kishte përparuar ai njihet me zonjushën, Dora Diamant, të cilën e kishte adhuruar së tepërmi. Kishte shpresë se falë dashurisë dhe zellit për të mos u dorëzuar do ta mposhte sëmundjen, por nuk arriti. Më 3 qershor të vitit 1924 vdes në Sanatoriumin “Kirling” afër Vjenës.
Gjatë jetës së tij të shkurtë, Kafka kishte shkruar shumë por kishte botuar pak. Tërë krijimtarinë e tij ia kishte lënë amanet shokut të tij Maks Brod që ta zhdukte, ndërsa ky jo vetëm që nuk ia plotësoi atë amanet fatalist, por mori përsipër botimin në tërësi të të gjitha veprave të tij. Në vitin 1931, Maks Brod së bashku me shkrimtarët e njohur evropianë: Andre Zhid, Herman Hese, Martin Buber, Hajnrih Man, Tomas Man dhe Franc Verfel publikuan një “Proklamatë publike” ku vlerësuan lartë veprat letrare të Franc Kafkës, duke veçuar vlerën unike të kësaj krijimtarie letrare e artistike, e cila më pas pati ndikim të madh te një masë e madhe krijuesish e kritikësh letrarë.