(Reportazh poetik)
VAROSH
E lash për të satën herë
Vendlindjen time
Në heshtje rrethuar
Në acar të fortë
Me borë mbuluar …
FERIZAJ
Mbrëmje dimri
Grumbull i njerëzve
Mos është demonstratë?
Jo. Nuk dëgjohen thirrjet: LIRI! DEMOKRACI!
Janë njerëz që ikin jashtë Atdheut!
Duart e tyre nuk mbajnë gur!
Duart e tyre fshijnë lotët e ndarjes!
PRISHTINË
Mbrëmje prishtinase!
Jo e korzove!
Jo e shëtitjeve të lumtura të të rinjve!
Por mbrëmje e lotëve të ndarjes!
Ashtu si në Ferizaj!
Ashtu si dhe në gjysmën e Atdheut tonë!
MITROVICË
Mitrovica e Boletinëve dremit
Nën përkundjen e qetë të Ibrit!
Ashtu si dhe gjysma e Atdheut tonë!
Ndërsa nëntokën tonë e brenë krimbi i zi! *
KULLA E OSO KUKËS
Bashkudhëtari Mahmuti më thotë:
,,I shikon ato themele mbi at shpat?
Janë themelet e Kullës së Oso Kukës!”
I shikoj nga larg ato themele
Me dëshirë që të shikoj kullën
Që të prodhoj barot
Për viset tona të pushtuara
Që t’i shporrim armiqtë
Nga Vranja, Presheva e Bujanoci…
Nga Ulqini, Tivari, Hoti e Gruda…
Nga Kumanova, Tetova, Ohri e Kërçova…
Nga Çamëria e Kosova…
TIVAR
Ky Tivar gjithçka ka parë!
Ka parë Jakup FERRIN e Ali Pashë GUCINË
Ka parë një varg të pafund kryengritësish,
Për mbrojtjen e tij,
Në luftë kundër shtatë krajlive…
Ky Tivar ka parë
Edhe një varr shumë të madh të masakruarish
Gjëmat e të cilëve
Bashkë me valët e detit
I dëgjoj edhe tani…
NË DET
…sa here jemi larg Shqipërie
me ty det ne bisedojmë
me Atdheun tonë të dashur
ti na ndan e na bashkon…
Hapësirë e paanë!
Bashkë me Shqipen e Skënderin
Në bordin e anijes
Flasim për gjithçka
(kujtojmë Shyqri Alushin,Vaçe Zelën, Sali Manin)
E më shumë flasim
Për artin e anatemuar…
Brenda në vapor në një tavolinë
Disa të rinj gjakovarë,
Me shishe të rakisë përpara
Ja thonë këngëve më të mira për Atdheun…
BARI
Nëpër rrugët e qytetit
Në grumbullin e njerëzve
Më duket se shëtit
Vrasësi i Luigj Gurakuqit!
Takojmë shumë shqiptarë
Hallexhinj e matrapazë…
Njëri nga ata na e hapi derën e shtëpisë e zemrën!
Bashkë me Kukësjan Tasimin e Prizrenas Mahmutin
Bisedojmë për të palarat e të “mëdhenjve”!
PARIS
Parisi i diplomacive të ndyra!
I strehuesve të tradhtarëve
Apo i ndëshkuesve të tradhtisë!
Parisi i toptanëve,
Apo Parisi i rrustemëve!
Shikoj nëpër rrugët e qytetit
Dhe bashkudhtarit Mahmutit i themë:
“Këtu kemi Kadarenë”
Pa ditur se ç’të mendoj për te…
BON
Boni i dhjetëra mijë demonstruesve
Që kërkojnë për Kosovën LIRI!
Të udhëhequr nga krerë injorantë
Që nuk shikojnë më larg interesave të ngushta partiake
Që janë në shërbim të të huajve
E demonstruesit i ndajnë me ideologji!**
Në banesën e bashkudhëtarit Mahmutit
Shikojnë me admirim nga ne
Duke pritur t’u themi diçka
Duke pritur t’u sjellim një lajm
Duke pritur ndoshta nga Atdheu një grusht dhe!
STUKENBROCK
Ja dhe stacioni i fundit
Apo përfundim në kampin e përqendrimit!
Qëndrojmë në te pa faj
Me rrethojë të padukshme, vetizolimi
Ku ditët kam dëshirë të shkojnë shpejt
Pa harruar se janë ditë nga jeta ime
Që më parë do t’ia falja dreqit
e sa t’ja fal kurbetit…
______
* Moto e kohës ishte: ,,Trepça punon Beogradi ndërton”
** Doli një informatë se veprimtari i LDK-së Hafiz Gagica si organizator kishte penguar pjesëmarrjen në demonstratë të të Madhit Adem Demaçi dhe të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshit, që për ne demonstruesit ishte e pa pranushme, pasi ideal e kishim Adem Demaçin!
Shkurt 1995