Shkrimtari i madh hungarez Jokai Mor, (1825-1904)kishte lindur tri vjet pas prerjes së kokës së Ali Pasha Tepelenës nga turqit dhe rreth 96 vjet pas prerjes së kokës së Halil Patronës.
Çuditërisht, këto dy personazhe të historisë shqiptare, do t’i bëjnë aq shumë përshtypje sa ai do të shkruajë dy nga romanet e tij më të mira, më të njohura dhe të përkthyera në gjuhë të ndryshme të botës. Vepra e parë e tij, u përkthye në gjuhën shqipe 158 vjet pas botimit të parë, në hungarisht. Romani tjetër për Ali Pashë Tepelenën, “Luani i Janinës” është përkthyer dhe është botuar në vitin 2019. Të dy romanet janë pëkthyer nga autori i këtij vështrimi.
Heroi i romanit “Trëndafili i bardhë”, Halil Patrona është përshkruar si hero i vërtetë i luftëtarit, në mbrojtjes së moralit dhe drejtësisë, mbrojtësit fanatik të turmave të varfra të popujve të Perandorisë, kundërshtar i pakompromis kundër amoralitetit dhe kundër korrupsionit. Pikërisht për këtë vlerësim të lartë, që Jokai Mor i kishte bërë Halil Patronës, kishte irrituar disa qarqe antishqiptare të kohës. Përkthyesi i këtij romani në gjuhën angleze, në vitin 1901, R. Nisbet Ben, kur e kishte botuar këtë roman, ia kishte parë për të madhe shkrimtarit gjenial hungarez, që e kishte madhëruar aq shumë figurën historike të një jeniçeri shqiptar, edhe pse ishte i bindur në vërtetësinë e të dhënave, meqë ato mbështeteshin, jo vetëm në Historinë e Perandorisë Osmane të historianit të njohur austriak, Josef von Hammer, por edhe në kronikat e Stambollit të asaj kohe.
Romani mbështetet kryesisht në ngjarjet reale historike, që kishin ndodhur në Stamboll, në shtator, tetor dhe nëntor të vitit 1730 dhe që ishin pasojë e mbretërimit autoritar dhe krejt të paaftë të Sulltan Admedit të Tretë. Forcat persiane kishin korrë sukses në luftë dhe po i kërcënoheshin edhe Stambollit, ndërkohë që Sulltani ishte dhënë pas haremit të tij, ku mbante 200 robëresha të reja e të bukura dhe kur në mënyrën më fanatike kultivonte tulipanët shumëngjyrësh, në tërë sarajin. Ai, kishte lejuar edhe ndërtimin e 120 “shtëpive të dëfrimit” në vendin e quajtur, “Ujërat e Ëmbla”, në Yskydar, ku argëtoheshin oficerët e tregtarët e pasur. Në ndërtimin e atyre shtëpive “të kurvërisë” sikur i quan Halil Patrona, për 6 vjet me radhë kishin punuar inxhinierët e njohur francezë.
Në këtë gjendje anarkike, kryengritësi, Halil Partona kishte ngritur në këmbë jeniçerët e pakënaqur, një regjiment të të cilëve edhe e komandonte në rast lufte. Ai kishte bashkuar në “Sheshin për mish” edhe turmat e të papunëve dhe tregtarëve të imtë të Stambollit. Halili e kishte përkrahjen edhe të Musli Bashit një bashkëvendës i tij, i cili ishte edhe kreu i jeniçerëve veteranë.
Më 28 shtator të vitit 1730, jeniçerët në krye me Halil Patronën fillojnë kryengritjen dhe arrijnë që përmes presionit të turmave të marrin kokat e katër zyrtarëve më të lartë të shtetit, Vezirit të Madh, Damad Ibrahim, Kapedanit të Flotës Perandorake, Krymyftiut dhe Kryeqehajasë së Stambollit. Ata ndërrojnë nga posti Sulltan Ahmedin III, i cili përfundon në burg dhe vendosin në krye Sulltan Mahmudin. Ata po ashtu realizojnë edhe kërkesat e tyre, heqin tatimet e përjetshme “malikanet” që rëndonin mbi kurrizin e rajasë dhe shkatërrojnë në themel 120 shtëpitë e dëfrimit. Në kohën kur ishte arritur paqja, shërbimi sekret me lejen e Sulltan Mahmudit, i cili i kishte premtuar Halil Patronës se nuk do të hakmerrej për kryengritjen, ia kishte përgatitur kurthin. Më 25 nëntor të vitit 1730, Sulltani kishte ftuar në Pallat Halil Patronën me 24 jeniçerët e tij besnikë, gjoja për t’ i avancuar në poste dhe për t’ iu dhuruar nga një palë rroba të lëkurës. Duke qenë të ftuar të hyjnë një nga një, në Pallat, Halil Patronës dhe besnikëve të tij iu shkurtojnë kokat.
Romani ka edhe anën tjetër imagjinare të pasqyrimit të ndodhive, në Stamboll sikur është rasti i dashurisë fatkeqe të Halil Patronës në robëreshën e tij, të cilën e kishte blerë në treg, pasi ishte përzënë nga Haremi i Sulltanit. Robëresha, quhej Irenë. Ajo ishte rrëmbyer nga piratët turq. Irena, e cila në roman quhet Gjylbejaze, ishte bija e vetme e tregtarit të pasur grek, Janaqit.
Ngjarjet që rrëfehen në 13 kapitujt e këtij romani sjellin në kujtesë rrëfimet romantike dhe sentimentale të botës së lindjes, duke e mbajtur pezull vëmendjen e lexuesit, sidomos me ndodhitë e trishtueshme që ndodhin në kreun e Perandorisë dhe nëpër rrugët e Stambollit.
Romani “Trëndafili i bardhë”, i cili nga kritika hungareze dhe ajo botërore është cilësuar si njëra ndër kryeveprat e Jokai Morit, ka personazh kryesor, shqiptarin e Hurpishtit të rrethit të Manastirit, në Maqedoni, Halil Patrona, ndërsa simpatia që ai ka shprehur për këtë figurë madhështore të kohës, ka nxitura reagimet e disa qarqeve të lexuesve dhe përkthyesve, sidomos jashtë Hungarisë. Për ta ilustruar këtë fakt po botojmë edhe parathënien e botimit të këtij romani në gjuhën angleze të përkthyesit R. Nisbet Ben.
“Më 28 shtator të vitit 1730, shpërtheu në Stamboll një kryengritje kundër Sulltan Ahmedit III, Pallati i të cilit u trondit në rrugë për ta fituar epërsinë kundër fitoreve dhe përparimit të forcave persiane, ndërkohë që papritmas shpërtheu edhe kryengritja. Kryengritje filloi në krye me Halil Patronën, deri atëherë, një shqiptar, marinar, jo shumë i njohur, i cili një kohë ishte dhënë pas tregtisë. Ai kishte një pamje meskine dhe ishte në mesin e atyre, të cilët qenë detyruar të bëjnë krime, duke shkaktuar edhe bela nëpër rrugë dhe duke u radhitur në mesin e mercenarëve. Kryengritja ndodhi papritmas dhe u kurorëzua me sukses.
Sulltani, pasi kishte sakrifikuar katër këshilltarët kryesorë, ishte detyruar të tërhiqej nga tërbimi i turmës dhe në postin e vet kishte emëruar Sulltan Mahmudin e Parë. Në vazhdim të gjashtë javëve vijuese, tërë pallati mbretëror u mbajt peng, nga forcat kryengritëse. Kjo agoni e përcjellë me vrasje dhe pasoja, ku ishte pleksur edhe shërbimi i fshehtë, ka zgjatur deri më 25 nëntor.
Kjo ngjarje tragjike ka bazën e vetë historike në romanin “Trëndafili i bardhë”, shkruar nga romansieri gjenial hungarez, Jokai Mor, i cili po përkthehet për herë të parë në gjuhën angleze.
Pa dyshim që, romansieri hungarez ka bërë përpjekje të suksesshme, për ta paraqitur të padrejtin dhe famëkeqin, Halil Patrona si një patriot të madh, martir të nderit dhe të drejtësisë, dhe pa paraqitur anën tjetër, ai sikur ka anashkaluar karakteristikat e mënyrës së ngritjes së Halilit dhe të vesit të tij. Këtë e them, për aq sa jam unë kompetent, për ta verifikuar autoritetin e tij. Historia që rrëfehet këtu mund të mos ketë qenë tërësisht një ngjarje e vërtetë, meqë sipas mendimit tim ai është mbështetur krejtësisht në Historinë e Perandorisë Osmane të historianit, Jozef Von Hammer, një libër paksa i vjetër. Kjo nuk duket të ketë qenë aq e besueshme. Megjithatë ngritja lartë e demagogëve të vegjël dhe kuriozitetet e tipologjisë orientale në epokën e quajtur të “Tulipanëve”, janë fakte absolute. Rrëfimet deri në detaje të ngjarjeve janë në përputhje me kronikat turke. Një argument i tillë, sikur është ai i Halilit me një karakter të të huajit të rezistueshëm ka ushtruar ndikim te ky autor, i cili nuk është tjetër veçse zëdhënës i romantizmit, gjithnjë i gatshëm për kontraste dhe befasi. Në anën tjetër episodet e përgjithshme të romanit “Trëndafili i bardhë” dhe përshtypja e tmerrshme për zhvillimet e ngjarjeve në Saraj, në pjesën më të madhe, edhe nëse jo krejt, janë përshtypje të autorit, të denja për rrëfimet e Një mijë e një netëve.
Në origjinal “Trëndafili i bardhë” me nën titull “Halil Patrona”, libri është botuar në titull “Ditët e fundit të jeniçerëve” një roman i publikuar për herë të parë në Peshti, në tri vëllime, në vitin 1854. Këto dy rrëfime janë mirë të specifikuara, të cilat qysh atëherë i përkasin një tërësie por shpeshherë janë publikuar ndaras. Kompania “Jarold e Figli” i botoi në një seri në vitin 1898. Duke vjelë përfitimet, të cilat kanë rrjedhë nga këto rrëfime, krejt këto kanë qenë pastaj një dëftesë për të mbështetur shpresën time si kundërvënie, për t i vënë romanit një emër të ri “Halil Thashethemaxhiu” kreu i karakterit të tij mbi të gjitha ka qenë me fat.
Çuditërisht, seriali filmik i TRT1, i titulluar, “Bir Zamanlar Osmanli Kiyam” mbështetët në cilësimin që i ka bërë karakterit të Halil Patronës, përkthyesi anglez, R, Nisbet Ben. Ky serial, me pretendime për ta paraqitur madhështinë deri në pafundësi të Perandorisë Osmane të kohës së Sulltan Ahmedit të Tretë, figurën e Halil Patronës e paraqet, krejtësisht njëanshëm, deri në përshkrime groteske, jashtë çdo realiteti, kur dihet se famën e asaj perandorie dhe të atij Sulltani e kishte mposhtur pikërisht, Halil Patrona, duke hedhur nga froni Sulltan Ahmedin, duke u prerë kokat katër zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe duke i realizuar në tërësi kërkesat e kryengritësve. Si do të ketë mundur ta bënte këtë një personazh i tillë, i cili paraqitet si njeri i mjerë, pijanik, i pamoralshëm, frikacak dhe i ndërkryer. Si ndodhi që nga një njeri i tillë të gjunjëzohet Perandoria më e madhe e kohës? Si ndodhi që një njeri i pa pikë morali t’i rrënojë 120 shtëpi të kurvërisë, të ngritura në Stamboll në kohën e Sulltan Ahmedit të Tretë? Përgjigjen në këtë pyetje nuk e jep seriali turk, por jep një urrejtje patologjike kundër arnautëve, duke i përzier me serbë, pikërisht ashtu sikur i ka paraqitur pseudoshkenca serbe. Halil Patrona, në kohën e tij ka bërë në Turqi atë që kishte bërë Spartaku në Romë, po ashtu ai dhe pasuesit e tij mijëra jeniçerë shqiptarë kanë pësuar fatin e luftëtarëve të Spartakut. Dallimi qëndron në faktin se luftëtarët e Spartakut ishin kryqëzuar, ndërsa luftëtarëve të Halil Patronës iu kishin prerë kokat. Rivlerësimi i historisë me deformime të tilla, nuk i shemb dot të vërtetat dhe argumentet historike, as analet dhe kronikat e Stambollit të shekullit XVIII, as literaturën realiste botërore.
Romani, “Trëndafili i bardhë”, është me interes të veçantë për lexuesit shqiptarë, meqë mjerisht, kjo figurë madhështore e historisë sonë, ende nuk njihet sa duhet. Halil Patrona nuk është fare i pranishëm në tekstet e Historisë së popullit shqiptar, edhe pse është i pranishëm në të gjitha enciklopeditë botërore. Një pretendim për ta denigruar këtë figurë të madhërishme të kombit shqiptar e ka bërë edhe Ben Blushi në romanin e tij “Të jetosh në ishull” ku ai denigron të gjitha figurat me rëndësi të shqiptarëve të besimit islam prej Skënderbeut deri te Ali Pashë Tepelena.
Sido që të jetë, literatura historike botërore për Halil Patronën është shumë e gjerë e voluminoze dhe mbi të gjitha, jeta dhe vepra e tij është përfshirë në të gjitha enciklopeditë dhe historitë e botës, nuk i është mohuar asnjëherë prejardhja e tij shqiptare nga turqit, as nga serbët e grekët, por as nga rusët e të tjerët.