GJON BRUÇI: MJERIMI POLITIK, DIPLOMATIK DHE ATDHETAR I POLITIKANO – PUSHTETARËVE TANË!

                Historia ka treguar se në të gjitha rastet e konflikteve midis vendeve e shteteve, ballanca e paqtimit, që kanë përdorur e përdorin Institucionet madhore ndërkombëtare (OKB, SHBA, BE, NATO, OSBE, etj.), ka anuar gjithnjë në favor të të madhit, të të fuqishmit, dhe asnjëherë në favor, ose të paktën në drejtësi për të voglin, të pafuqishmin. Pasqyrë e saktë e këtij konkluzioni, janë bisedimet dhjetëvjeçare midis Serbisë dhe Kosovës për paqtimin e konfliktit gati dy shekullor.

                Të fuqishmit e Botës, SHBA dhe BE, e dinë shumë mirë se gjenocidi serb mbi krahinën shqiptare të Kosovës, ka nisur qysh më 1878, për të mos u ndalur gjer në ditët e sotme. Ishte pikërisht ky gjenocid serbo-sllav, me pikë kulminante vitin 1999, i cili e detyroi SHBA, NATON-n dhe vetë Kontinentin plak, të ndërhynte ushtarakisht për çlirimin e shqiptarëve të krahinës martire nga egërsia gjenocidiste e pushtuesit serb. Mirëpo këtij çlirimi ndërkombëtar, nuk iu “pi kafja” e paqtimit, siç bëhet zakonisht në mbyllje të luftës. “Pleqtë” e Evropës, duket sikur u penduan që e bombarduan Serbinë, ndaj kurdisën bisedimet e pafund mes shqiptarëve dhe serbëve, duke përdorur të njëjtën “peshore” që kishin përdorur etërit e tyre në vitet 1912-1913. Drejtuesit e bisedimeve, e dinë fort mirë se mes Serbisë (Jugosllavisë) dhe shqiptarëve të Kosovës (më saktë, Dardanisë), prej gati dy shekujsh, ka rrjedhur një lumë gjaku i pandërprerë, shkaktuar gjithnjë nga serbosllavët. E megjithatë, gjatë bisedimeve dhjetëvjeçare, ndërsa serbëve u kanë zgjatur “karotën”, shqiptarëve u tregojnë “shkopin”. Futja në “lojë” e të dërguarit të posaçëm të Uashingtonit, ngjalli shpresat e shqiptarëve, me bindjen se miku i madh, ashtu siç bombardoi me bomba Milosheviçin në vitin 1999, do të “bombardonte” me ultimatume Vuçiçin, “gebelsin” e atij të parit. Por Deklaratat e  fundit të  zëvendës-ndihmës sekretarit të shtetit, Gabriel Escobar, e shndërruan shpresën në zhgënjim.

“Projekti  franko – gjerman”, për paqtimin Serbi-Kosovë, kishte mjaft kthesa e pikëpyetje, por  dalja në skenë si pikë e parë e “Asociacionit të komunave serbe”,  mbështetur edhe nga përfaqësuesi i SHBA, e bën projektin të rrezikshëm për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kundërshtuar “asociacionin” që është nënshkruar në vitin 2013 nga Thaçi e Daçiqi, paraqiti në parlamentin e Kosovës, një projekt me 6 pika për  “asociacionin e pashmangshëm”. Këto pika, janë jo vetëm në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe konform çdo lloj asociacioni që është hartuar e zbatuar për pakicat kombëtare të vendeve të tjera. Mirëpo moderatorët e bisedimeve këmbëngulin për “asociacionin” e  vitit 2013, i cili, kërkon që komunat me shumicë serbe të kenë kompetenca kushtetuese, vertikale dhe ekzekutive. Në pikat e hartuara nga Kurti, thuhet se “Asociacioni” nuk mund të përmbajë atribute ekzekutive, por t’i shërbejë bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vetëqeverisjes vendore (kreu i 5 i Kushtetutës). Përkundër këtij qëndrimi të Kryeministrit të Kosovës në mbrojtje të Kushtetutës së vendit të tij, i dërguari i posaçëm i Washingtonit, Escobar, shprehet pa ekuivok se: “E pranon ose jo Albin Kurti, asociacioni do të nënshkruhet. . . !”

Pyetjes së gazetarëve për specifikën dhe urgjencën e “asociacionit”, Gabriel Escobar i përgjigjet se: “Asociacioni është specifik dhe urgjent për dy arsye: Së pari, sepse  gjatë një viti e gjysëm të fundit kemi parë një seri konfrontimesh në rritje midis Serbisë dhe Kosovës, të gjitha të përqendruara rreth trajtimit të serbëve në veri dhe mënyrës se si ata ndërveprojnë me qeverinë e Kosovës”!!!    “Faktori tjetër, – vijon Escobari, –  që e bën urgjente “asociacionin”, është lufta në Ukrainë. . . !!!”

Këto deklarata janë tepër të lexueshme edhe për më amatorin e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Fajin për konfrontimin me Serbinë na e paskan të dy palët, edhe serbët, edhe shqiptarët! Madje më shumë shqiptarët dhe qeveria e tyre, që nuk i paskan trajtuar si duhet qytetarët serbë!!! Nuk besoj se mund të ketë ndonjë njeri të besojë se shqiptarët apo qeveria e Kosovës, na paskan keqtrajtuar banorët serbë, përkundrazi ka ndodhur e po ndodh e kundërta. Sa i përket konfliktit dhe luftës në Ukrainë, shqiptarët dhe qeveria e tyre, nuk kanë asnjë rol. Nxitësit e luftës mes Ukrainës e Rusisë, janë bosët e kapitalizmit botëror, që ndërsa tundin flamurin e paqes, vënë në lëvizje makinën e luftës, duke e furnizuar me të gjitha mjetet që të mos ndalet. Shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë dhe të të gjithë trojeve ku banojnë ata, asnjëherë, të paktën në 2000 vjet e këndej, nuk kanë nisur e as nuk kanë nxitur luftëra kundër të tjerëve, por përkundrazi kanë përjetuar e kundërshtuar luftërat pushtuese të të tjerëve, midis të cilëve, serbosllavët kanë qenë agresorë permanent.

                E solla këtë tabllo të shkurtër të situatës, që po kalon populli i Kosovës dhe qeveria e Albin Kurtit, sepse, për fat të keq, përveç analistit Shaban Murati, nuk kam parë asnjë prononcim për këtë çështje, e cila lidhet me fatet e kombit tonë. Ndërsa bisedimet, projektet e planet thuren e shthuren mes qeverisë Serbe dhe simotrës sonë në Kosovë, politikanët, pushtetarët dhe intelektualët tanë, bëjnë gjumin e ariut, mbërthyer pas karriges së pushtetit, në mbrojtje, apo në rrëmbim të saj.

Në një shkrim të para do ditëve, botuar në gazetën “SOT”, pata theksuar se , Albin Kurti, është në pozita shumë të vështira. Ai gjendet midis “akrobacisë europiane dhe diplomacisë amerikane”. E para vepron siç ka vepruar gjithmonë, në dëm të shqiptarëve, ndërsa miku i madh amerikan, zbaton diplomacinë e tij të njohur tashmë, të “miqësisë së përkohshme dhe të interesave të përhershme”. Ndaj nuk duhet të habitemi nëse për hir të kësaj situate, e të këtyre interesave, të sakrifikohen disa nga interesat e vendeve të vegjël. Kështu është vepruar gjatë gjithë konflikteve që kanë ndodhur në botë. Këtyre situatave “mish për top”, u kanë shpëtuar ato vende e ata popuj, të cilët, në momentet kruciale, janë bërë njësh mes vetit, dhe i kanë detyruar të mëdhenjtë ta devijojnë shigjetën e “harkut” të tyre diplomatik.  Ne shqiptarët, për fat të keq, në shumicën e rasteve, nuk kemi arritur të flasim e të veprojmë në unison, ndaj dhe kemi përfunduar në “epruvetat” e eksperimenteve ndërkombëtare.

                Jo vetëm Albin Kurti, por edhe qeveritarët tanë këtu në Shqipëri, e dinë fort mirë se “asociacioni” që ofrojnë ndërkombëtarët për komunat me shumicë serbe në Kosovë, në një të ardhme jo të largët, do t’ia bënte varrin Republikës së Kosovës. Përkundër kësaj situate, heshtja e shtetarëve tanë, është e neveritshme. Vëllezërit tanë të Kosovës e quajnë Republikën e Shqipërisë “Shqipnia nanë”, dhe presin shumë nga ajo. Por aktualisht, kjo “nana” Shqipëri, në këto tri dekada, jo vetëm ka mbetur “e vejë”, por edhe filtron me “dollarin” dhe “euron”, duke i lënë “bijtë e saj” vetëm, përballë ujqërve modernë të lindjes e të perëndimit.

Ndërkohë që çështja e Republikës së Kosovës, është vënë në rrezik, dhe bashkë me të edhe çështja jonë kombëtare, liderët e pushtetit dhe të opozitës, kryesuar nga Rama, Berisha e Meta, përgatiten për “revolucione” e “kundërrevolucione”  të brendshme, në mbrojtje apo rrëmbim të karriges pushtetore, pa e vrarë mendjen se ç’bëhet matanë “kopshtit” të tyre personal.

                Ndaj unë me të drejtë shënova në titull të shkrimit: “Mjerim politik, diplomatik dhe atdhetar i politikano-pushtetarëve tanë!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …