Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti në prag të dy-vjetorit të qeverisjes. Ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po hyn në vitin e tretë të qeverisjes, “me përplot premtime të dhëna e të pabëra”. Pas disa ditësh, Qeveria do të mbushë 2 vjet në pushtet. Në një kohë kur familjet po përpiqen t’ia dalin mbanë, kur sistemi ynë shëndetësor është në krizë, kur të rinjtë tanë po largohen nga vendi, kur kosto e jetesës çdo ditë po rritet, e kur pagat e secilit mbesin të ulëta, Qeveria do të festojë dy-vjetorin, por qytetarët e kanë kuptuar se sa të pavlera u bënë të gjitha premtimet . “Kuptuam mungesën e ndjeshmërisë së pushtetarëve në çdo krizë me të cilën përballen njerëzit tanë. Kuptuam arrogancën e brendshme e përplasjen e panevojshme me aleatë jashtë. Kuptuam paaftësinë qeverisëse për të bërë ndryshimin që Kosova e meriton. Gjatë ditëve në vijim do t’i numërojmë këto dështime sepse besojmë se Kosova mund të qeveriset shumë më mirë. Do të ndajmë edhe planet tona sepse besojmë se vendi ynë meriton më mirë dhe do të bëhet më mirë”, ka saktësuar Lumir Abdixhiku.