Janë të pakta romanet që lexohen me një frymë, e edhe më të paktë shkrimtarët e tillë por studiuesi dhe shkrimtari, Ahmet Qeriqi, bënë pjesë në grupin e këtyre krijuesve të rrallë edhe me romanin e radhës “Betimi i motrës”. Pas leximit të këtij libri, lexuesi do t’i gëzohet faktit se letërsisë shqiptare iu shtua edhe një margaritar tjetër, i rrallë. Romani tregon për një histori reale e cila zhvillohet gjatë kohës kur Kosova ishte nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Ashtu sikur në romanet dhe librat e tjerë të tij studimor, që ju kushton çështjeve e personaliteteve të lëna në harresë ose të keqtrajtuara, edhe në këtë roman, shkrimtari Ahmet Qeriqi ia ka dalë ta pasqyrojë si asnjë shkrimtar tjetër, botëkuptimin dhe angazhimin e vajzës dhe gruas shqiptare për komb e vatan, për jetë të dinjitetshme dhe për dashurinë e pamasë dhe të pafundme të motrës për vëllanë. Duke lexuar faqet e njëpasnjëshme të romanit “Betimi i motrës” lexuesit do t’i shfaqen tablo dhe pjesë të mozaikut të jetës së shqiptarëve nën robëri dhe pasojat e kësaj robërie në jetën e përditshme dhe në qelizën e shoqërisë – familjen. Mbase kjo është edhe një nga veçantitë kryesore të romanit historik – pasqyrimi i pasojave të jetës nën robëri në familje.
Përderisa historia na mëson për të kaluarën e popujve dhe shoqërive të ndryshme në mënyrë të përgjithshme, pra si totalitet i shoqërisë, nga romani mësojmë në një mënyrë tjetër për pasojat e robërisë – atë të familjes dhe anëtarëve të saj. Është mbresëlënës mënyra se si është paraqitur në këtë roman jeta e anëtarëve të familjes nën robëri, rolet gjinore dhe ridefinimi i tyre, prishja e ekuilibrit për shkak të ndarjes së përgjegjësive tek anëtarët e familjes, karakteri e pathyeshëm i vajzës dhe gruas shqiptare dhe mbi të gjitha, angazhimi i saj i përkushtuar për ruajtjen dhe mbajtjen me çdo kusht të qelizës së shoqërisë – familjes! Në asnjë roman tjetër njeriu nuk do ta arrij ta kuptojë më mirë shqetësimin dhe urrejtjen e Akademisë së Shkencave të Serbisë për nënën shqiptare, pra rolin e saj në pamundësimin e realizimit të synimeve djallëzore të Serbisë kundër kombit shqiptar në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti!
Nuk është Ahmet Qeriqi i pari studiues dhe shkrimtar, që nëpërmjet shkrimeve dhe trajtesave është angazhuar për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së vajzës dhe gruas shqiptare në shoqërinë tonë, kryesisht patriarkale, por mendoj se është i pari që duke ndriçuar jetën dhe veprën e personazhit kryesor të romanit “Betimi i motrës”-Zanës. Ai ia ka dal ta pasqyrojë edhe një dimension tjetër të vajzës dhe gruas shqiptare, para atë të vajzës me karakter luftarak dhe hakmarrës e jo të vajzës kokëulur që pajtohet me jetën e rëndë e të mbushur me padrejtësi.
Ishte edhe shkrimtari Haki Stërmilli që ka pasqyruar jetën e rëndë të vajzës e gruas shqiptare me anë të personazhit kryesor në romanin “Sikur t’ isha djalë”, Dijes por edhe homeri shqiptar, At Gjergj Fishta në veprën e tij Lahuta e Malsisë nëpërmjet këngës “Vajtimi i Avdisë” ku motra e qanë vrasjen mizore të vëllait nga banditët malazias. Por, përderisa Dija është një vajzë e vetëdijshme për padrejtësitë ndaj saj por ka një karakter të butë dhe jo luftarak, dhe mjaftohet me kaq, ose motra e Avdiut që qanë për vrasjen e vëllaut dhe ju drejton thirrje të tjerëve për hakmarrje, personazhi në romanin “Betimi i motrës” ka një karakter krejt tjetër, pra luftarak dhe hakmarrës ndaj të gjithë vrasësve e kriminelëve. Përderisa Dija nuk pajtohet me gjendjen e mjerë por duron, dhe motra e Avdisë që vajton, mallkon dhe bënë thirrje për hakmarrje, Zana e romanit “Betimi i motrës” përveç që nuk pajtohet me padrejtësisë dhe jetën e vrazhdë, ajo edhe lufton me të gjitha mjetet për ndryshimin e kësaj gjendje dhe nuk dorëzohet për asnjë moment të jetës, pavarësisht se është plotësisht e vetëdijshme për pasojat që do t’i ketë për shkak të angazhimit të saj për të zhdukur farën e së keqes që rritet e kultivohet nga kriminelë dinakë e të pamëshirshëm.
Është e dhimbshme dhe e pafalshme që nuk kemi bërë as minimumin për afirmimin e jetës dhe veprës së këtyre vajzave e grave që i kanë luftuar me vet mohim veprat e liga e të këqija edhe pse e kanë ditur që ky angazhim dhe luftë e tyre, do të ketë kosto të lartë. Mbase është edhe një fakt tjetër, që psikologu zviceran, Karl Jung do ta interpretonte me konceptin e pavetëdijes kolektive. E themi këtë, sepse historia e Zanës shpërfaq edhe një fakt tjetër, të dhembshëm dhe komprometues për burrat sepse sikur burrat ta bënin punën e tyre, Zana do të kishte një jetë tjetër, më pak të dhimbshme e tragjike. Mbase duke varrosur historinë e saj, duke e vendosur në pavetëdijen kolektive, ne varrosim edhe një pjesë të historisë dhe ngjarjeve që na tregojnë se me raste, atë që nuk e bënin burrat që kërkohej nga zakoni, normat e morali i kohës, e bënin vajzat ose gratë. Thjesht, merrnin rolin e burrave ngaqë burrave ju mungonte guximi dhe vendosmëria, për të ndëshkuar kriminelët për vrasjen e njeriut me pa të drejtë. Dhe këtë e bënë Zana, bija e Murat Marashit, që kalonte ditët e fundit të jetës duke u ballafaquar me dhimbjet e plagëve të shumta të shkaktuara nga bajonetat e ushtarëve të ushtrisë së Serbisë gjatë luftërave ballkanike.
Ngjarja zhvillohet në rrethinat e komunës së Ferizajt pas vendosjes së pushtetit serb shqiptar vrasës në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Zbatimi i strategjisë së “Tokës së djegur” që kishte zbatuar ushtria e Serbisë kundër popullit shqiptar, kishte bërë që jeta për familjet shqiptare të nis sërish nga e para, thjesht si feniksi. Dhe këtu zë fill edhe një e keqe tjetër. Përderisa një pjesë e popullatës nuk pranon të gjunjëzohet e as të kërkojë mëshirë nga armiku për mbijetesë e jetë me më pak vështirësi, një kategori tjetër, ia shet shpirtin djallit, sikur është personazhi Brahim Cungu. Ai dhe soji i tij, në këmbim të disa favore, vihen në shërbim të djallit në njërën anë dhe në anën tjetër me ua vështirësojnë jetën edhe më shumë njerëzve të gjakut e kombit, që nuk kishin pranuar ta ulin kurrizin përballë pushtuesve mizorë.
Në përpjekje për të bërë jetë me dinjitet dhe të panënshtruar as ndaj armikut e as ndaj bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës, familja e Zanë Marashit, ashtu edhe sikur shumë familje tjera, e pëson shumë keq. Prindi i vdes nga dhimbjet e plagëve, ndërsa dy vëllezërit e saj, ia vrasin në një kurth mirë të përgatitur nga njerëz djallëzorë dhe sadistë tipikë. Pas vdekjes së babait nga plagët, vrasjes mizore dhe mbrapa shpine të vëllezërve dhe krimeve tjera në rrethin e ngushtë e të gjerë të farefisit, lajtmotiv i jetës së Zana Marashit bëhet hakmarrja për vrasjet e shumta e mizore. Por ajo është e vetëdijshme se nuk ka fuqi e as mundësi për të marr hak për krejt ato vrasje por duke qenë po ashtu e vetëdijshme për bukurinë e vet të jashtëzakonshme, ajo vendos të vetësakrifikohet dhe të martohet me një burrë të moshuar, Lilë Bagren, pasi ai paraprakisht ishte betuar se në këmbim të martesës, ai do të merr hak për padrejtësitë që iu ishin bërë familjes dhe farefisit të Zanës. Por edhe Lila ia kishte shitur shpirtin djallit, në këmbim të jetës se patrazuar, nga njerëzit e pushtetit dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhe Zana, sërish nuk dorëzohet por shpenzon edhe atomin e fundit për ta realizuar lajtmotivin e jetës së saj – hakmarrje me çdo kusht për padrejtësitë që ja kishin bërë. Këmbëngulja e saj për hakmarrje, iu bën përshtypje edhe zyrtarëve të lartë të pushtetit të kohës, të cilët mahniten sa nga bukuria e jashtëzakonshme e Zanës sa edhe nga karakteri i saj i pathyeshëm.
Shkrimtari, Ahmet Qeriqi, nëpërmjet romanit “Betimi i motrës” dhe dialogëve të zhvilluara në hetuesi ndaj Zanës, ka ndriçuar edhe një aspekt tjetër të vajzës e gruas shqiptare. Pas torturave çnjerëzore dhe rraskapitëse që ja bëjnë, hetuesit shfaqin habinë e tyre me qëndresën titanike të Zanës. Ata habiten se si kjo vajzë ndonëse e re dhe me një bukuri të mahnitshme, ka zgjedhë të bëjë një jetë tejet të vështirë dhe me asnjë kusht nuk pranon as të bashkëpunojë me ta por as të heq dorë nga krenaria dhe dinjiteti përball tyre, ndonëse kjo po i kushton me çmimin e jetës. Në vijim të bisedës, hetuesit serb shtojnë se kjo nuk është karakteristikë vetëm e Zanës por është tipar i vajzave dhe grave shqiptare, për të mos bashkëpunuar për asnjë çmim me pushtuesit e vendit dhe kombit të tyre. Për shkak të karakterit të saj të pathyeshëm, Zanën e vënë përball sfidave të ndryshme në burgjet serbe, sfida që të ngjajnë nëpër rrathët e ferrit të purgatorit të Dante Aligerit. Pavarësisht sfidave, torturave e kurtheve të papritura e të organizuara me shumë djallëzi, Zana ia del mbanë, ndonëse shumë herë është buzë vdekjes dhe në situata ku jeta e vdekja është pranë njëra tjetrës.
Romani është bazuar në ngjarje të vërtetë të cilat me shumë mjeshtri, shkrimtari dhe studiuesi shembullor i ka paraqitur në roman. Ideja për këtë roman, atij i ka ardhur pas ndërlidhjes që ju ka bërë copëzave të historisë, disa prej të cilave i ka dëgjuar me shumë vëmendje dhe interes të jashtëzakonshëm si i ri dhe mandej studiues i albanologjisë dhe disa copëzave të historisë për të cilat ka dëgjuar në burgun e Suboticës gjatë viteve të ’80-ta, ku e kishte kaluar një pjesë të dënimit për shkak të veprimtarisë së tij liridashëse për komb e vatan.
Shkrimtari dhe studiuesi, Ahmet Qeriqi, mbase është edhe shembulli më i mirë që përgënjeshtron kategorinë e oportunistëve që propagandojnë se të burgosurit politik, duke qenë në burg e të izoluar, kanë ngelur mbrapa shoqërisë dhe duke qenë të tillë, këta nuk meritojnë të jetë në krye të shoqërisë por në fund të saj. Por këta trushpëlarë e mendje shterpë, duke u marrë me mohimin e meritave të të tjerëve, për mirëqenien e kombit e atdheut, nuk ja kanë dal të lënë asnjë vepër të dobishme për popull e atdhe, me të cilën do të identifikoheshin në të ardhmen. Vlen të theksohet se nuk është vetëm romani “Betimi i motrës” që është ngjizur në shpirtin dhe mendjen krijuese të studiuesit Ahmet Qeriqi gjatë viteve në burg, por aty kanë zënë filli edhe ide për romane e libra tjerë studimore me rëndësi të jashtëzakonshme, dhe atë në fusha të shumta. Dhe për fund, lirisht mund të themi se romanet dhe librat e shumtë të studiuesit dhe shkrimtarit Ahmet Qeriqi, që hedhin dritë në fusha të ndryshme, ngjasojnë me margaritar dhe çdo përpjekje për ta vënë në pah vlerën e tyre, vetëm sa zbehin shkëlqimin e tyre. Romani “Betimi i motrës” ka 230 faqe, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e lehtë të kuptueshme dhe që të fascinon me mënyrën e mbarështrimit dhe ndërlidhjes së ngjarjeve, nga faqja e parë deri te e fundit me një fund paksa misterioz. Misterin do ta zgjidh vet lexuesi duke analizuar ngjarjet që zhvillohen në faqet e romanit dhe duke ndjekur me anë të imagjinatës vijimin e tyre, ndonëse jo të gjitha mund të thuhen në një roman.