Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Është i drejtë apo i gabuar konstatimi i ekonomistit e sociologut, Maks Veber, se kapitalizmi është produkt i etikës protestante!?

   Njëri ndër themeluesit e sociologjisë, padyshim është edhe mendimtari i shquar gjerman që ka dhënë kontribut të madh në fusha të shumta, Maks Veber ( 1864 – 1920 ). Ai ka merita të mëdha në prurjet në fushën e sociologjisë, ekonomisë, politologjisë, religjionit dhe fusha tjera. Një nga veprat më të njohura të tij është edhe libri “Etika Protestante dhe Fryma e Kapitalizmit” ( 1904-1905 ). Me anë të këtij libri, ai na paraqet pikëpamjet e tij sipas së cilës shkak i shfaqjes së kapitalizmit është etika protestante, themelues dhe përfaqësues i së cilës është Martin Luteri. Por a kishte të drejt në këtë konstatim Maks Veberi!?

   Pas studimit që i kishte bërë këtij religjioni, Maks Veberi vije në përfundim se protestantizmi afirmon një moral dhe mënyrë jetese e cila ka krijuar kushtet për themelimin dhe fuqizimin kapitalizmit. Ai na tregon se etika protestante kërkon nga pasuesit e saj që të bëjnë jetë askete dhe të akumulojnë sa më shumë para, të holla. Pra, të jetojnë sipas motos: Shpenzo sa më pak, kurse sa më shumë. Sociologu dhe studiuesi i zellshëm, Maks Veber vijon më tutje se njerëzit duke bërë jetë askete, pra duke zvogëluar në maksimum shpenzimet në njërën anë, dhe duke akumuluar sa më shumë të holla, kanë krijuar një sasi të konsiderueshme të të hollave dhe kështu kanë krijuar një potencial material, në rastin tonë të holla, për të investuar në të ardhmen. Dhe kështu ka zënë fill  shoqëria kapitaliste. Në shikim të parë, kjo pikëpamje duket e arsyeshme dhe e qëndrueshme por posa ballafaqohet me mendimin kritik, e shohim se kjo pikëpamje, në dukje të parë mjaftë bindëse, nuk arrin të ju përgjigjet pyetjeve që vijnë nga mendimi kritik!

   Hamendësimi i parë që na vije është ky: Nëse kemi një shoqëri që kursejnë të gjithë në maksimum, atëherë si mund të kemi shitje të madhe të mallit, produkteve, nëse nuk kemi konsumim të madh!? Për rrjedhojë, nëse nuk kemi shitje të madhe, si mund të kemi akumulim të madh të kapitalit!? Ta marrim se një person ka hapur një fabrikë për prodhimin e këpucave në një shoqëri të ndikuar nga etika protestante dhe një industrialist tjetër, një fabrikë të njëjtë por në një shoqëri që nuk kërkohet të kursehet shumë. Përderisa i pari, do të shesë shumë pak këpuca brenda muajit, i dyti do të shes dukshëm më shumë. Tani nuk duhet shumë imagjinatë apo dije se cili nga këta të dy do të akumuloj më shumë kapital, për investimin e radhës.

   Është interesant edhe për dy opinione të ndryshme, që me raste edhe përplaseshin me njëra tjetrën, gjatë krizës botërore ekonomike në dekadën e parë të këtij shekulli ( 2008 – 2011 ), ku humbën pasurit e tyre miliona qytetar. Kishte raste që për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme, miliarderët bënin edhe vetëvrasje! Për të dalë sa më parë nga kjo gjendje e vështirë e me raste edhe e padurueshme, bizneset por edhe qytetarët, filluan të jenë më të vëmendshëm për këshillat e ekspertëve të ekonomisë. Në fillim, shumica prej tyre këshillonin qytetarët që të kursenin sa më shumë, pasi vetëm duke kursyer, xhepi i tyre do të shpëton pa mbetur bosh plotësisht. Pak kohë më vonë, duke parë se gjendja nuk po përmirësohej dot nga kursimi, filloi të formësohet një botëkuptim tjetër ekonomik. Ngadalë dal filluan të dominojnë këshillat që të ndalohet nga kursimi dhe të fillohet të rritet shpenzimi. Ekonomistët që këmbëngulnin në logjikën e shpenzimit, arsyetonin se si mund të shesin mallra fabrikat e ndryshme nëse rritet kursimi!? Dhe nëse nuk mund të shesin prodhimet e tyre, nga do të krijojnë të ardhura për pagat e punonjësve të tyre!? Dhe nëse punëtorët e tyre mbesin pa paga, do të vije deri te ulja e fuqisë blerëse e kapitalizmi nuk mund të ekzistoj në shoqëritë ku nuk ka fuqi të madhe blerëse dhe për pasojë, shumë fabrika mund të falimentojnë, nëse prodhimet e tyre mbesin në stoqet e tyre, pra magazinohen në vend se të përfundojnë te konsumatorët.

 

   Por pavarësisht mospajtimeve që mund të kemi për vlerësimin që studiuesi, Maks Veber ia bënë etikës protestante, kjo mënyrë jetese ka rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e mjedisit, pra ambientit. Sot thuaja se çdo kush ndjehet krenar teksa tregon se sa shpesh ndërron orenditë e shtëpisë, ose duke ekspozuar veshëmbathje të bëra me lëkurë të kafshëve, dhe asnjë nuk vret mendjen se nuk mund të sajohen orendi të reja, pa prerë më parë lisa qindra vjeçar ose vrarë mizorisht kafshë për ta përdorë trupin e tyre si aksesor për rrobat tona, që i ekspozojmë me krenari! Duke nxitur dhe motivuar njerëzit për të hequr dorë nga jeta luksoze, etika protestante luan rol qenësor në parandalimin e degradimit të tokës. E ruajtja e tokës, duhet të jetë preokupim për të gjithë ne, pavarësisht kombit, fesë apo racës, pse është shtëpia e përbashkët e njerëzimit. Ne edhe mund të mos trazohemi nëse një familje nuk kujdeset për një dhomë të saj, në të cilën ne nuk jetojmë por nëse shkatërrimi i saj nuk ka sot efekte në dhomën tjetër ku jetojmë ne, në mos nesër, pasnesër do të ndikoj në mirëqenin e shtëpisë, në të cilën ndodhet edhe dhoma jonë, qoftë në skajin e saj, sado larg dhomës së shkatërruar, e cila është bërë e pabanuar dhe si e tillë, ka filluar të ketë efekt çdo ditë e më shumë, në tërë shtëpinë. Indianët e Amerikës kanë këshillën më të mirë për këtë: “Ne nuk e trashëgojmë tokën nga paraardhësit tanë; ne ua marrim hua atë fëmijëve tanë”. Dhe nëse ne i duam fëmijët ashtu sikur deklarojmë, ua kemi borxh që nëse nuk mund t’ua lëmë në trashëgim planetin tokë më të mirë se që ishte kur ne ishim fëmijë, të paktën t’ua lëmë ashtu siç ishte gjatë fëmijërisë tonë. Dhe Etika Protestante ndihmon shumë në këtë drejtim, duke demotivuar eksploatimin e saj të pamëshirshëm për të plotësuar egoizmin e njeriut të sotëm bashkëkohor!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …