Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dorëzuar kërkesën për gjykim për ish-ministrin, Fatmir Mediu lidhur me çështjen e Gërdecit.
Mediu akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, si edhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Sipas SPAK, Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e municioneve. Po ashtu, në njoftimin paraprak të dhënë nga Prokuroria, akuzohet Mediu ka dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë “SAC inc” dhe “Albademil sh.p.k”.
Por hetimet nuk janë ndalur me kaq, pasi janë “shtrirë” edhe në SHBA për të mësuar më shumë lidhur me procedurën e shitjes së municioneve nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrjes “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida. Po ashtu, është kërkuar edhe një letër porosi për të marrë në pyetje të Efraim Diverolit, një emër ky i përmendur për kontratën me Ministrinë e shqiptare të Mbrojtjes.