Rexhep zajazi

Bexhet Jagodini: AMBASADORI I KËNGËS KËRÇOVARE, REXHEP ZAJAZI

Abstrakt

Veprimtaria e Rexhep Zajazit në sferën e këngës kërçovare, e njohur madje në sinonimin “Trio Zajazi”, ka një gamë të gjërë të vlerave. Me rastin e këtij  botimi ,ne me shumë dashuri do përqëndrohemi në disa segmente që hedhin dritë në shkallëzimin e transformimit me elegancë të këngës burimore kërçovare. Në këtë drejtim nuk mund të tejkalohet përkrahja profesionale edhe e mjeshtrive të kësaj fushe në Shkup dhe në Prishtinë për të arritur avancimin e melosit burimor kërçovar që ajo të jetë e orkestruaruar dhe e popullarizuar edhe përtej mjedisit të origjinës.

Në thuktinë e materies së shoshitur, kujdes i veçantë i është kushtuar absorbimit të ,, mjaltëzimeve” nga këngëtarë më në moshë dhe me vlera, që Rexhep Zajazi i vuri në aplikacion në vendin e duhur dhe po aq sa e kërkonte nevoja e frazës e  pa mos e tepruar ate, por gjithmon në intonacin dhe harmoni me notën bazë, që paraqet një dukuri mbresëlënëse për auditorin. Këtu ishte në pikasje edhe shoqërimi i tekstit me gjestikulacionet e këngëtarit që i jepte edhe më shumë shpirtë këngës.

Ajo që  edhe veçohet në këtë projekt është spostimi i këngës burimore kërçovare e kënduar,, thatë” pa instrumente, në shtratin adekuat të orkestruar me instrumente të ndryshme popullore , dhe performimi i këngëtarit me këto këngë të bukura dhe hite të ndryshme në hapsirat e mbrendshme, mbarkombëtare dhe ndërkombëtare, të vlersuara nga kritikët me çmime të ndryshme.

Është edhe  një  mirënjohje e shumë  këngëtarëve kërçovar, pasardhës të Rexhep Zajazit, të cilët u inspiriuan  në krijimtarinë e tyre muzikore, duke  e ruajtur  dhe mbajtur një ekuivalencë me tradicionalen , por edhe duke e disperzuar në mënyrë shumë të denjë te gjeneratat edhe më të reja, këtë thesar të shenjtë dhe të shtrenjtë.

 

Pozita gjeografike dhe reliefi i burimit të këngës së Rexhep Zajazit

 

Zajazi është  fshat kodrinor që gjendet  në kilometrin e 10-të, larg nga qyteti i  Kërçovës dhe në veri të saj, në lartësinë mbidetare 750 m., e vendosur rrëzë malit Bistra, respektivisht të Dardhës, me një pozitë të volitshme gjeografike…. Kjo pozitë e shtrirjes gjeografike  me pak toka të bukës, e me kullota të konsiderueshme të Bistrës dhe maleve tjera, me theks të kullosave të  Dardhës  si, Çeshmja e Zajazit e rrethuar me rajonet si Siktashi, Lugu i çeshmës, Lugu i Sherrave, Rudinat, Kepi, Kepi i Kuç, Lomat e tjera, iu mundësuan blegëtorëve, që nga koha e lirë që kishin në dispozicion të  thurin apo krijojnë shumë këngë burimore   për të pasuruar këtë folklor të shenjtë e karakteristik. Me këtë pajtohet edhe autori Kalosh Çeliku ku midis tjerash thotë (citoj):  ,, … Tradicionalisht popullsia e këtij trualli është marrë me bujqësi e blegtori”.[1]) . Mbi relievin e pasur me kullotat e bjeshkëve të Zajazit shkruan edhe Nafi Çegrani, ku në memorandumin e përkushtuar Rexhep Zajazit: ,,Vyrtyozi i këngës kërçovare” [2]),  hapsirat kodrinoro malore i sheh si inspirim të këngëtarit Rexhep Zajazi , ku midis tjerash ia fillon me një nëntitull ,,Vende Bjeshke me shumë lule e ngjyra”. Këtë e dëshmojnë edhe një numër i konsiderueshëm këngësh që  gjenerojnë ,apo lidhen ngushtë me morfostrukturën e terenit si dhe veprimtaritë gjegjëse nga këto hapsira [3]).

Jorastësisht  në gjirin e këti trualli të Zajazit u krijuan shumë këngë epiko-lirike sidomos të kaçakve të Zajazit  , por edhe lindën shumë artistë të këngës burimore kërçovare .Nga gjeneratat më të hershme që kënduan denjësisht këngën burimore kërçovare ishin :Feto Bajroja, Afmet Liman Hoxha, Mefail Jashari, Abidin Maksuti, Shukri Ismaili, Sefadin Dedja ,Sefaj Xhetës-Mahmudi, Sefaj Rexhës-Ryshyti, Hatem R.Dedja, Ademi Nures, Kasom Limon Hoxha,Mehmet Abdiu, Ramiz Hasani, Medin Qamil Meti, Abidin Ajvazi, Ibrahim Mehmeti, Rexhep Zajazi, Adil Abazi, Qemal Zajazi, Musa Deva, Kadri Nasufi, Vaid Rexhepi, Abidin Rexhepi ,Haradini I Xhakallarve, Hamit Zylbehari e tj[4].

Nga tërë ky numër i konsideruar  këngëtarësh, që u dallua me këndimet e tija specifike dhe me karakteristika shumë interesante të grupit ,,Trio Zajazi”, veçohej këngëtari  Rexhep Zajazi.

 

Bashkëpunimi i Rexhep Zajazit

Rexhep Zajazi këndoi në grup pa instrumente pra thatë  në konaqe, apo odat familjare me Qamil dhe Hamdin Zhorja, Nazifi i Smajlit, Shahipi i Brahos, Rexha i Mustafës  dhe vllau i tij Adili i Xhemës ,ku asaj kohe edhe filluan të  inçizohen me radio kasetofona, ku thuhet që disa këngë ruhen edhe sot e kësaj dite  në fonotekat private, por që  ne nuk patëm  rastin të informohemi rrënjësisht me pronarët e tyre , njëherit edhe  që ti dëgjojmë ato.

Rexhep Zajazi ishte i  frymzuar, por edhe  adhurues i flakt  i  këngëtarit shumë me vlerë Kamerr Bllaca nga fshati Jagoll, ku edhe nga ai i merr mësimet e para [5]), të cilin me admirim e rikujtonte për zërin e tij, ku të  intervistuarit e mi kujtojnë që nga goja e Kamerrit dilnin dy zëra [6]). Prof .Dr. Tahir Zajazi, mbajtës i këngës burimore kërcovare i grupit të  Trio Zajazit, dhe njëherit djali i këngëtarit specifik Rexhep Zajazit, mbi trashëgimin e babait  të tij më ka deklaruar, se ai këngën e këndoi nga prirjet natyrore, por i frymëzuar gjithmonë nga melizmatikat e këngëtarit të pa konkurrent Kamerr Bllaca i asaj kohe, me gjasë i papërsëritshëm në këto troje etnike [7]). Një dukuri tjetër që duhet të përmendet është se Rexhep Zajazi bashkëpunonte ngushtë në suaza të atarit kërçovarë edhe me këngëtarin  Abdulla ( Dul ) Xhambazi   nga fshati Cërvicë, i cili  kishte  lidhje të ngushtë familjare me Kamerr Bllacën , por që njëherit  edhe me Rexhep Zajazin. Ai e vlerson lartë  edhe Abdulla Xhambazin- Dulin, për cilësitë e tijë vokale dhe krejt natyrore, ku kishte mbështetje  të fuqishme nga Rexhep Zajazi, për të vazhduar edhe në kontinuitet në shoqërit kulturo artistike jashta kufirit administrativ kërçovar, ku prezantonte edhe vetë Rexhepi, por që në audicionet e ndryshme atje,  kënga kishte natyrë tjetër e shoqëruar me instrumente popullore .

 Te këto të tre duajenë e sylynjarë të këngës burimore kërçovare, vërehet një këndim i përafërt me njëri tjetrin që dëshmon për një influencë e bashkëpunimit të ndikimit njëri nga tjetëri, pasi që të tre ishin dhe ngelën këngëtarë që lanë një resurs të konsiderueshëm artistik, si edhe  gjurmë në kulturën e burimit kërçovar, por edhe udhërrëfyes të shumë këngëtarëve nga brezat e rinj. Gjatë intervistave, por edhe në konsultime që zhvillova me këngëtar të kësaj ane thuhet se nga ky bashkpunim i tyre, madje edhe shoqërimit midis njëri tjetrit, Rexhep Zajazi absorboi mjaltëzimet, manojat apo të hekurat që i kishte në aplikim Kamerr Bllaca dhe Dul Xhambazi,  ku ai i vuri në shërbim në këngët që ai i kishte në shpirtë.

 

Vokali dhe gjestikulacionet

Rexhep Zajazi ishte këngëtar ,, nisës”, ai ia fillonte këngës në mënyrë shumë euforike, të gjallëruar, me një zë të plotë duke e shoqëruar edhe me gjestikulacione. Me hekjet apo me mjaltëzimet që bënte në fundin e frazave apo strofave, ai i jepte shpirtë këngës dhe falte emocione te dëgjuesi apo prezentatori. Ato ,,mjaltëzimenë fundin e frazave apo të strofëve të këngës ishin shumë intonative dhe harmonike me notën bazë të këngës, e bredhur në frazë aq sa edhe e kërkon kënga, jo e tepruar për ta ëmbëlsuar ate dhe për ta lënë të etur edhe dëgjuesin edhe prezentatorin. Rexhep Zajazi këte e bënte në mënyrë shumë profesionale që kënga të marrë kuptimin e plotë të formës së saj, duke  ia ruajtur domethënien, tematikën dhe bërthëmën këngës.

Në aspektin vokal te Rexhep Zajazi, së pari vrehet ruajtja e diafonis së burimit kërçovar dhe mënyrës së këndimit në Trio ku ai me këtë e ruajti audio vizuelen e tradicionales, ku edhe së bashku me djemt e tij e merr epitetin  “Trio Zajazi”. Vokali i ti ishte shumë voluminoz, i këthjellët dhe melizmatik, si në notat e ulta ashtu edhe në ato të lartat, vende vende edhe i zbukuruar por edhe i ngjyrosur, ku kjo në disa pjesë të saj ishte edhe ,,kapaku” i vokalit të tijë si i themi ne këtu në Kërçovë, e ku dëgjuesin e bënte për vehte. Kjo e bënë që Rexhep Zajazi të  shoqërohet me zërin e dytë ,,mbajtës” edhe nga këngëtarë të tjerë eminent në ish Jugosllavinë e atëhershme. Përveç djemve të tij Qemalin dhe Tahirin, ai u shoqërua edhe me Gani Grubi, Isak Krasniqin, Naxhi Ndoci, Nexhmie Pagarusha e tjerë. Suksese më të madha gjatë interpretimit të këngëve në trio kishte duke kënduar  me Gani Grubin dhe Isak Krasniqin shprehet vetë Rexhep Zajazi[8] në intervistën dhënë Radio Shkupit. Më pastaj ai shoqërohej edhe me këngëtarë të nacionalitetit maqedon të vlersuar si Vaska Ileva, Nikolla Badevi, Aleksandër Sarijevski, Nina spirova, Kirill Mançevski etj. [9]). Shoqërimi i këngëtarëve të vlersuar nga etniteti maqedonas në zërin e dytë apo ,,majtës” (mbajtës), pra iso të prirur nga zëri nisës i Rexhep Zajazit, është tregues i veçantë për vlerat që posedonte ky këngëtar , duke pasur parasysh  edhe rrethanat e atëhershme të asaj kohe  në RSFJ.

Dukuri që  spikat te Rexhep Zajazi është edhe interpretimi me gjeste apo gjestikulacione të duarve, kokës  dhe të trupit, në veçanti të vetullave duke e përshkruar tekstin e këngës. Kjo paraqet pjesë integruese të shoqërimit të këngëvë në mënyrë të gjallëruar për ti hedh emocionet  në mënyrë më efikase të përmbajtjeve te prezentatori, por edhe për të komunikuar në mes këngëtarit,  grupit dhe të pranishmëve. Kjo gjallëri dhe festivitet që e përçonte ishte  edhe si rrjedhojë e përmbajtjes së tekstit të kënduar,sidomos te këngët lirike me përmbajtje ngacmuese, apo ca të themi edhe erotike. Kjo te ndëgjuesi dhuronte emocione, disponim dhe kënaqësi shpirtërore, madje dashuri ndaj këngës së bukur  burimore kërcovare por edhe ngrohtësi e respekt ndaj këngëtarit.

 

Performancat mbrenda dhe jashta Kërçovës

Rexhep Zajazi ishte një përfaqsues i denjë i këngës së avancuar burimore kërçovare kudo që  ai performonte në vendlindje mbrenda, në Jugosllavinë socialiste, por edhe jashta saj duke u vlersuar e çmuar nga kritikët profesional. Në vitin 1959 në Festivalin ndërkombëtar në Dizhon –Francë ai fitoi vendin e parë ,,Gjerdani i Artë” me këngën ,,Shtat Bilbilat”; në Kongresin e VII të ekspertve të folklorit në nivel të Jugosllavisë socialiste, i realizuar në vitin 1960 në Tetovë, Rexhep Zajazi u vlerësua me vendin e parë me po të njejtën këngë ,,Shtat Bilbilat”, gjithashtu mbresëlënës dhe joshës ishte gjithandej ku performonte si në Varshavë, Kiev, Vienë , Beograd ,Sarajevë ,Opati si edhe në shumë vende të tjera [10]).

 

Orekstrimet e këngëve burimore

Rexhep Zajazi është këngëtari i parë këtu në truallin Kërçovar që bëri orkestrimin dhe përpunimin e këngës burimore kërçovare, shoqëruar me instrumente popullore si kavalla, harmonikë , violinë, klarinetë, kitarë ritëm e basë ,bateri e tjera, në studiot profesionale .Kjo ishte edhe si rezulltat edhe i deficitit të instrumentistëve popullor në vendin e lindjes, ku ai ishte i obliguar që këngën ta shoqërojnë apo të orkestrohet me  instrumentistë jashtë kornizave kërçovare. Është  shumë me rëndësi të theksohet mënyra e vendosjes  apo spostimit të këngës  nga shtrati i këndimit të këngës pa instrumente apo ,,thatë” si i themi ne këtu në Kërçovë  dhe  vendosja e këngës në një shtrat tjetër të  orkestruar me instrumente të ndryshme popullore, me ritmikë dhe vijë të caktuar muzikore. Këtu qëndron pikrisht enigmatika apo mjeshtria e vendosjes së këngës burimore në shtratin autentik muzikor, duke ia ruajtur rrënjën, vijën muzikore, por  edhe duke ia përshtatur ritmikën dhe orkestracionin e saj këngës së vjelur.

Kjo është me rëndësi pasi dihet dhe thuhet edhe nga shumë autor të tjerë, që kënga burimore kërçovare është arkaike ku gjatë avancimit të saj  është thelbësore ruajtja e identitetit të saj. Prof.Dr. Tahir Zajazi pikrisht për këtë avancim shprehet: ,,Arritja e këti ideali u mbështet në ndjeshmërinë  enigmatike të talentit të Rexhap Zajazit … për të mbajtur në ekuivalencë melosin e orkestruar me melosin e traditës” [11]).

Më vonë këtë udhërrëfim të avancimit të këngës burimore kërçovare, nga të kënduarit thatë pa instrumente në orkestracione profesionale  e ndoqën edhe këngëtarët tjerë si Bexhet Jagodini e Vllezrit  Dervishi të cilët orkestruan një numër të konsiderueshëm këngësh, ku pas Rexhep Zajazit ato edhe performuan mbrenda dhe  jashta kufijëve gjeografik kërçovar, shteteror dhe ndërkombëtar, duke marrë pjesë në festivale, emisione kulturore, ahengje etj, shprehet këngëtari i mirënjohur kërçovar Aziz Dervishi [12]). Evoluimi i këngës burimore kërçovare duhet të ndiqet hap pas hapi  ku nga ky thesar i pasur, i shenjtë dhe i shtrnjtë të vilen dhe të avancohen edhe zhanëre të tjera muzikore, siç është ajo argëtuese, por gjithmon të shtrira në substratin kërçovar.

 

Tërësia e këngëve

Në repertuarin e tij ishte një numër i kosideruar këngësh të kultivuara nga vetë Rexhep Zajazi, të inçizuara në Jugoton të Zagrbit dhe për nevojat e Radio Shkupit, Prishtinës, Radiot lokale, MTV-2 – emisione në gjuhën shqipe e tjera [13]). Këtu vlen të ceket koha e incizimeve  në studiot e asaj kohe, ku gjithmonë ishin live-gjallë e ku nuk kishte hapsirë revidimi. Për herë të parë inçizon në radio Shkupin në vitin 1946 ku vlen të theksohen  sidomos ato emisione në orët e hershme,(5-së) të mëgjezit[14]. Nga një numër i konsideruar audio dhe video inçizimesh tash në arkivat e këtyre institucioneve gjenden  rreth 40-48 këngë, ndërsa të tjerava për arsye të ndryshme nuk ju kushtua kujdes i merituar [15]). Këngët që ishin hite të këtij këngëtari, madje që gjallërojnë edhe sot e kësaj dite me zërin e konzervuat të Rexhep Zajazit janë: Shtat Bilbilat, Xollufet e Ajshes, Gjali i Megdonit, Gjethet e Ullejnit-Po të boj Rixha, Gjalin tuj, O kur jam konun 12 vjet, Në bafçe na ka ra bryma, Tranafili e tjera. Kënga me emocionuese e tij është, “Imer Aga” .Ajo që duhet të potencohet është se këto këngë vazhdimisht ruhen, ripërsëritën por edhe riinçizohen nga vetë vendasit e kësaj ane dhe nga shumë këngëtarë pasardhës, që nuk lejojnë zhdukjen e tyre, por edhe ruajtjen e tyre nga ndikimet e huaja të  kohës.

 

Model dhe inspirim i këngëtarëve

Mënyra e të kënduarit e “Trio Zajazit”, respektivisht Rexhep Zajazit la gjurmë të pashlyera në popullsinë e kësaj ane , por që edhe ishte dhe është model dhe inspirim edhe i shumë këngëtarëve tjerë të rinjë këtu në rrethin e Kërçovës, që shërbeu si udhërrëfim në krijimtarinë  e tyre, por edhe në interpretimet e tyre. Kjo vrehet te një numër i konsideruar i këngëtarve te të cilët në këngët e tyre  gjen, apo has elemente të këngës së Rexhep Zajazit, por kuptohet secili në mënyrën e vet dhe të aftësisë së performansës vokale. Personalisht unë në repertuarin tim kam të incizuar disa  këngë nga ky këngëtar që mud të vrehen e dëgjohen edhe në kanalin You tube, si: ,, Ani more djali i megdonit”, ,, Shtat bilbilat-Çaqe poshtë te shtat vejdhat”, ,,Kur jam kon 12 vjet” e tjera [16]), por në repertuarin tonë që servojmë në ahengjet e ndryshme apo TV emisione janë prezent edhe këngë të tjera si ,,Xollufet e Ajshes “, ,,Në bafçe na ka ra bryma” e tjera .

Dukurinë e inspirimit të këngëtarëve më të rinjë nga ky këngëtar, e thonë edhe autorë të tjerë jashtë kufirit gjeografik kërçovar. Në memorandumin: “Si e njoha Rexhep Zajazin “ autori  Nafi Çegrani midis tjerash shprehet (citoj): “… Ai këndoi bashkë me djemt e tij … e ku më vonë u ispiruan shumë këngëtarë të rinjë si Bexhet Jagodini, Vllezrit Dervishi e të tjerë [17]), duke vazhduar edhe më tej se këto këngëtarë janë bilbilat e melosit burimor kërçovar dhe pasardhës të Rexhep Zajazit…[18]).

Këto këngë të sipërpërmendura, por edhe të tjera këndohen thuajse nga çdo këngëtarë tjetër kërcovar, por kënga ,,Në bafçe na ka ra bryma“ interpretohet edhe nga këngëtar të tjerë jashta atarit gjeografik kërçovar, por me një këndim të përafërt, pasi të emitosh apo të interpretojsh këngën burimore kërçovare do të thotë të jeshë i mishëruar, madje i lindur dhe i rritur me atë frymë bashkë. Të shërbehem me një shembul.

 

Evokime

Në vitin 1995  isha i ftuar personalisht në  fshatin Veshallë të komunës së Tetovës, bashkë me grupin muzikor ,, FONIA” (Zëri) dhe me 5 këngëtare të tjera nga trualli etnik shqiptarë për të argëtuar një ahengë familjar, ku ishte përplot me dasmorë e mysafyrë të cilët kishin ardhur me shumë dëshirë për të përcjell grupin nga Kërçova . Ndër të tjera, nga të pranishmit u shpreh vullnet që përtej repertuarit t’im me këngë të bukura kërçovare, të interpertoja edhe këngë të Rexhep Zajazit. Kërkesës për të plotësuar dëshirën e tyre iu përgjigja me shumë dashuri e vullnet dhe publiku mbeti shumë i kënaqur duke dëshëruar të shihemi edhe në herat tjera.

Se sa pëlqehej kënga  e bukur e Rexhep Zajazit  tregon edhe fakti  se në një koncert në kryeqytetin Lubjanë të Sllovenisë, këngëtari i madhe Rexhep Zajazi censurohet për të dalë në  skenë nga kryeshefi i shtëpisë së armatës për shkak të përkatësisë së tij kombëtare, pasi ishte koha e regjimit komunist të RSFJ. Në insistimin e Rexhep Zajazit për tu paraqitur para publikut, ai ia del disi të dal në skenë,  ku pëlqehet aq shumë nga publiku duke u përcjellur me duartrokitje frenetike, ku edhe obligohet që të performon disa herë në skenë . Në koktejin e organizuar nga organizatori në ambientet e Shtëpisë së Armatës pas koncertit të realizuar aty, kryeshefi i shtëpisë së kulturës shprehet (citoj):  ,, … kjo do të jetë në kujtimin tim dhe të familjen time, se kështu këngë të bukura dhe interesante nuk kemi dëgjuar “ [19]).

Në televizionin MTV-2 u shënua Dokumentari i përkushtuar veprës së Rexhep Zajazit, i menaxhuar nga soprania Besiana Mehmeti, 22-01-2011, me mysafyrë të ftuar Fahri Beqiri- kompozitor. Naxhi Ndoci-publicist dhe këngëtar që këndoi bashkë me Rexhep Zajazin, Bexhet Jagodini këngëtar dhe profesor, dhe Tahir Zajazi. Pjesëmarrësit me kompetencë të atij Dokumentari diskutuan detaje nga veprimtaria artistike, patriotike dhe humane të këngëtarit Rexhep Zajazi, ku midis tjerash kërkohej që këngët e tij të riorkestrohen me muzikën të avancuar shqiptare me që këtë edhe e mundëson teknologjia e fundit, por duke e ruajtur vokalin e bukur  të Rexhep Zajazit. Nga pjesëmarrësit u evokuan, gjithashtu edhe kujtime nga mbresa të këngëtarit në fjalë dhe u përfundua me një mesazh që këngëtari, Rexhep Zajazi për kontributin e tij në thesarin e kulturër kërçovare, madje patriotike e humane të nderohet me një lapidar, madje shënimin e emrit të tij në një institucion, rrugë apo kudo tjetër ku shkeli këmba e tij në shenjë mirënjohje [20]).

Fjalë kyçe

>Rexhep Zajazi,  Zajazi, Kërçova, kënga kërçovare, këngë burimore këçovare, mjaltëzimi, këndimi thatë,thatë,hekje, manoja, Xollufet e Ajshes “, Shtat bilbilat, Në bafçe na ka ra bryma,  Trio Zajazi ,gjestikulacione, burimi kërçovar , majtës, mbajtës , zërin e dytë, iso, kapaku ……….

Referenca

  1. Bexhet Jagodini: “Kënga kërçovare shtylla e këngës mbarkombëtare shqiptare”. Radio Kosova e lirë
  2. CD-Intervista e Rexhep Zajazit dhënë Radio Shkupit- Pronë e autorit
  3. Deklarata-evokime…..
  4. Inervistë Vebi Haziri dhënë Bexhet Jagodinit
  5. Intervist Fehim Fejza –Jagoll dhënë Bexhet Jagodinit
  6. Intervistë e Tahir Zajazit dhënë Bexhet Jagodinit
  7. Kalosh Çeliku: “Rexhep Zajazi bartës i lëvizjeve atdhetare dhe kulturore-artistike”. Lajme.mk-opinione
  8. Këngët e Rexhep Zajazit të postuara në kanalin YouTube
  9. MTV-2 (2011): Dokumentari, përkushtuar Rexhep Zajazit
  10. Nafi Çegrani (2021): “Si e njoha Rexhep Zajazin”. Drini.us
  11. Nafi Çegrani (2022): “Vyrtyozi i këngës kërçovare”. Gazeta Nacional Albania
  12. Shoqata e etonokulturës shqiptare Etnoalb (2017): Shkup: Revista nr. 1

Kërçovë  –  Mars – 2022 

[1]) Kalosh Çeliku: “Rexhep Zajazi bartës i lëvizjeve atdhetare dhe artistike”. Kërçova.net

[2]) Nafi Çegrani-Vyrtyozi i këngës kërçovare-Gazeta Nacional Albania-nëntitull

[3]) Bexhet Jagodini-Kënga kërçovare-shtylla e këngës  shqiptare-Radio kosova e lirë.

[4] ) Nga të intervistuarit tanë ,ne arritëm të evidentojm këto emra këngëtarësh, sigurisht që eksistojnë edhe këngëtar të tjerë meritorë që duhet të jenë në pikasje .

[5]) Kalosh Çeliku: “Rexhep Zajazi bartës i lëvizjeve atdhetare dhe artistike” -Kërçova.net

[6]) Intervistë –Fehim Fejza dhënë autorit të këtij shkrimi

[7]) Intervist me Vebi Hazirin që e zhvilloi autori i këtij shkrimi. Shkup: 17-09-2013

[8]Deklaron vetë Rexhep Zajazi-CD .pronë e autorit

[9])  Revista e etnokulturës-Etnoalb-shkup-2017-f58

[10]) Shoqata e etnokulturës ,, Etnoalb” Shkup-2017 f-156

[11]) Revista e etnokulturës-Etnoalb-shkup-2017-f .157

[12]) –Deklaratë dhënë autorit të këtij shkrimi

[13]) Po aty-Revista Etnoalb-Tahir Zajazi

[14] -Deklaron vetë Rexhep Zajazi

[15]) Po aty revista Etnoalb-Tahir Zajazi

[16]) Shih YouTube

[17]) Nafi Çegrani-Si e njoha Rexhep Zajazin- On Feb 7, 2022, at 3:25 PM, Baki Ymeri <[email protected]> wrote:)

[18])  Nafi Çegrani-Vyrtyozi i këngës kërçovare-Gazeta Nacional Albania- Vargjet  e  fundit

[19]) Intervistë  e Rexhep Zajazit  dhëne radio Shkupit . Audiokaseta është pronë e autorit të këtij shkrimi

[20]) MTV-2-dt22-01-2011-Shkup

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Roza Sarah Eshkenazi (1895- 1980) ka qenë këngëtarja më e njohur, më e çmuar në Turqi dhe në Greqi, pothuajse gjatë tërë shekullit XX

Ahmet Qeriqi: Roza Sarah Eshkenazi (1895 – 1980) ka qenë këngëtarja më e njohur, më e çmuar në Turqi dhe në Greqi, pothuajse gjatë tërë shekullit XX

Me zërin e saj melodik, me këndimin plot afsh dhe përkushtim të këngëve hebraike, armene, …