Protesta e së shtunës e opozitës, megjithëse e pompuar si më e madhja në histori, në të vërtetë ishte e vakët, ndër më të voglat e deritanishme dhe nuk konfirmoi asgjë tjetër, veçse asaj që pritej: atyre që u ka humbur rruga në derën e shtëpisë së tyre, nuk mund të ndërtojnë shtëpi për të tjerët. “Revolucioni demokratik” i shpallur me aq bujë nga Berisha tani është veçse një foshnje e vdekur, e cila nuk mund të ringjallej as pas shëtitjeve të një grupi opozitar rreth katër institucioneve të vendit, shëtitje, e cila, nuk vuri vetullat që priteshin, për më tepër as u përpoq të mbulonte atë që kishte ndodhur vetëm disa minuta më parë: pamjen e një turme të heshtur, që nuk kishte në vete as entuziazmin për të nesërmen dhe as vullnetin për të tashmen; hovin e munguar politik, pasi vetë ardhja e tyre nuk kishte pasur një objekt të caktuar, veç asaj që përsëritet sa herë që kjo opozitë ka humbur pushtetin – (kësaj here “Rama ik!”) – mbi të gjitha nuk ngjante as me protestat e zhvilluara nga pasardhësi i Berishës, Basha. Përse dështoi një protestë, e cila pritej të ishte ndryshe nga herë të tjera? Çfarë ndodhi që, edhe pse ishin betuar dhe hedhur ide se nuk do të shkuleshin nga sheshi para Kryeministrisë, apo nuk do të lejonin punën e zakonshme të një shefi qeverie, përsëri, pasi mrizuan dy orë, duke dëgjuar të njëjtët, siç ka ndodhur në këto 32 vite, njerëzit u larguan, duke u kujtuar se diku më tej, i pritnin autobusët me të cilët kishin ardhur?
Përse u thirr kjo protestë?
A ishte dështimi i saj një kronikë e paralajmëruar dhe a e dinin vetë organizatorët se gjithçka do të ishte e njëjtë, e zhurmshme, por e pavlerë? Ka disa shkaqe përse nuk ngjizi te njerëzit protesta e së shtunës:
Pseudo kauza
Qeveria Rama në dhjetë vitet e pushtetit të saj, ka lënë pas vetes skandale, ndaj të cilave ia vlen të protestohet dhe të ngulmohet çdo ditë. Që nga harbutëria e pushtetmbajtësve, të cilët pak ose aspak lidhje kanë me të majtën, deri te kthimi i pushtetit në njërin ndër mjetet e vazhdueshme të pasurimit.
Asnjë nga hallet e përditshme, të prekshme, reale, jetësore të njerëzve nuk i ka bërë kauzë të saj opozita e tanishme. Dhe nuk mund t’i bëjë. Pjesa drejtuese e opozitës, me përjashtime të pakta, nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim, tejzgjatje e frymës së Berishës, pasurisë së tij, mendimit të tij mbi politikën e dhunshme dhe mungesën e koherencës në përcaktimet politike.
Në vetëdijen politike të Berishës, sa herë që nuk ka qenë në pushtet, shteti dhe pushteti ka qenë fatalisht një qënie armiqësore dhe përjetësisht e egër dhe e kundërt, ndaj duhet luftuar. E gjithë retorika e para protestës ishte e tillë: e dhunshme, e papërmbajtur, skajore, deri në linçim politik e jo vetëm politik.
Ndër të gjitha kauzat e mundshme për të ngritur një protestë – (për fat të keq ende nuk është kuptuar se protesta nuk mund të mbillet nga kjo lloj politike) – opozita gjeti një kauzë që ende nuk është bërë e tillë dhe që, ndoshta nuk do të jetë kurrë e tillë. Një histori që po luhet në një skenë tjetër, ku ende nuk është ngritur as perdja. Ajo mund të sherbejë për vendimmarrjen se cili do të jetë Njëshi, edhe de jure, i kësaj opozite, por nuk mund të rrëmbejë frytin e protestës.
Liderët e protestës që nuk besojnë as njëri-tjetrin
Protesta kishte dy fytyra: njërën dominuese dhe tjetrën në njërën qoshe të saj. Berisha dhe Meta. Të dy kërkojnë “të nusërojnë” edhe një herë. Janë provuar në më shumë se tri dekada dhe, me përjashtim të momenteve jetë shkurtëra në historinë e tyre, gjithë herët e tjera kanë dështuar. Duhet të kesh durim të madh të ruash ende besimin në secilin prej tyre, aq më pak në të dy bashkë.
Berisha është Njëshi, Meta ka frikën se mund të jetë zeroja e pas njëshit, por nuk e di nëse mes tyre do të ketë një presje dhjetore. Berisha është në fakt ajo që ka mbetur nga opozita e para tridhjetë viteve, Metaj është ende enigmë: ishte vërtet i rebeluar me pushtetin, apo ishte i dërguar nga pushteti për të bërë pjesën e të rebeluarit. Dialogjet që kanë shkëmbyer me njëri tjetrin kanë qenë mizore, si askund tjetër.
Asnjëri prej tyre nuk është më i besuar. Të dy bashkë janë më pak se të besuar. Opozita që të ringjallet duhet të heqë nga vetja së pari parazitët politikë që janë mbështetur në trupin e saj.
Është e vështirë të ketë një opozitë solide, të qëndrueshme dhe që i përulet popullit, kur liderët e saj tani janë një tufë bllokmenësh politikë, të ciët nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzit e zakonshëm. Distanca mes tyre është e frikshme. Humnera e pakalueshme. Ky është fakt.
Nuk mund të ngjallësh shpresë për të uriturit, kur je i tejngopur. Vetëm me shpenzimet e bëra nga familja Metaj për shkollimin e fëmijëve të tyre në kolegjet më të shtrenjta londineze mund të dilnin nga skamja më shumë se 1.000 familje të varfra. Vetëm shpenzimet për akomodimin e vilës së tyre në Lalëz janë të njëjta me pagën e bashkëshortëve Metaj për rreth 10 vite.
Vila e familjes Berisha është shumë më luksoze se vila e dikurshme e Enver Hoxhës, pa folur për modernitetin e saj. Shumë nga ata që rrinë rreth e rrotull klanit sundues në opozitë kanë pasuri të mëdha dhe asnjë interes për të luajtur gjërat në nivel sistemor nga vendi.
Fjalimet “euforike” nuk ngjallin shpresë. Ky është paradoksi më i madh i politikës shqiptare, në dy krahët e saj: Njëshat e politikës dhe vasalët e tyre nuk e kanë kuptuar ende se janë një grimcë e historisë dhe nuk kanë tagër mbi historinë. Por, mjerisht, kanë tagër mbi jetën e bashkëudhëtarëve të tyre.
Shembulli i opozitës, që mbështetet ende tek ide të hershme, pa sjellur frymë të re, krijon atë që quhet mungesë e njerëzve të dëshpëruar. Opozita nuk i sjell dot, sepse nuk ka shembullin për t’i sjellë.
Humbja e udhës në pragun e shtëpisë
Protesta e së shtunës, si asnjëherë tjetër, përshfaqi zemërimin e drejtuesit të saj. Si nuk kishte ndodhur kurrë, edhe kur ka shpallur lanet dhe ka linçuar politikisht shumë të tjerë, si Azem Hajdarin, Neritan Cekën, Preç Zogajn, Arben Imamin, Genc Rulin apo Genc Pollon, nuk ishte dëgjuar që t’u ndalohej pjesëmarrja në protestë e dy figurave të njohur në PD e shumë viteve, për më tepër beniaminë të tij, zbulime familjare, Bashës dhe Alibeajt, të ishin pjesë e protestës.
Dy më shumë a dy më pak nuk prish punë. Aty munguan rreth 95 mijë vetë nga sa ishin thirrur. Por koncepti i politikës si domen i Njëshit, duke përjashtuar të tjerët, tregoi se politika rebeluese e opozitës nuk është reformuar, përkundrazi mbetet e deformuar.
Ajo, para se të bëjë ftesën për përmbysje, duhet të qytetërohet, duke hequr dorë përgjithmonë nga kanuni primitiv i klanit, i të parit të fisit, i urdhërdhënësit, i partikracisë dhe autoritarizmit idiot në të gjitha kuptimet e semantikat politike, qytetare e humanitare.
Nuk mund të përmbysësh një qeveri, sado e dobët dhe e rënduar nga mëkatet dhjetë vjeçare të jetë ajo, duke lëshuar mëkatet tuaja të dëbimit, të përjashtimit, të dhunës dhe të hamshorizimit të vetë politikës.
Tani është fakt se, opozita e kohës së Bashës është mbështetur në financimet e dyshimta ruse, me ose pa vetëdijen e saj. Këtë e ka dëshmuar vetë shefi i sotëm i Foltores, me ngritjen e një komisioni partiak për të vertetuar jo faktin, por cilët kishin përgjegjësinë për faktin. Lufta e brendshme, sado e padukshme të jetë në momente të veçanta, nuk e bën më të besueshme opozitën, përkundrazi.
Metingjet e protestat e opozitës së kohës së Bashës ishin më të mëdha, më nxitëse dhe më energjike se sa protestat e kohëve të fundit të saj. Berisha frymëzon një turmë të opozitës, më shumë metingashët dhe besikët loajalë, se sa njerëzit e zakonshëm. Thyerja, për të disatën herë e vetë opozitës është shprehur të shtunën. Nuk mund të thyesh gardhin e tjetrit, kur gardhin tënd e ke hedhur për tokë.
Mbështetja ndërkombëtare e opozitës nuk ekziston
Në parathirrjet e protestës Berisha, si njeri i rrahur fort me politikën, bëri kujdes të theksonte se shtetet perëndimore i kishin sytë dhe vëmendjen tek protesta e opozitës, pra te protesta e tij. E përsëriti disa herë, ashtu si kërcënimet e tij. Të dyja e përjashtonin njëra tjetrën, por mbështetja ndërkombëtare, qoftë edhe hipotetike i duhet sot më shumë se kurrë atij.
Nuk e mori. Nuk do e ketë më kurrë. Jo vetëm se është i sanksionuar familjarisht. Kjo është njëra anë, ndoshta më e rëndësishmja, por jo e gjitha. Ai është i pabesueshëm.
Ka vënë në lojë dinjitetin e një shteti të fuqishëm dhe njërës prej strukurave më dinjitoze në botë, si është Departamenti Amerikan i Shtetit. Pasi bëri lojën e një gjyqi në Francë – ku është ai gjyq? – pasi shpalli se e gjitha është lojë e Soros – sikur ky të jetë mbi qeverinë amerikane – tani blofon me autoritetin e një institucioni, sikur ai ka rënë viktimë e një punonjësi të shërbimit special amerikan, apo parave të qeverisë shqiptare. Madje, thotë se po pret edhe t’i kërkojnë falje… Si thonin dikur? Ata nuk të pranojnë në fshat, ti kërkon vajzën e priftit për grua.
Kur mbaroi protesta e së shtunës njerëzit u ndanë në dy grupe: njëra palë, shumë e pakët, ajo drejtuese, hipën në makinat luksoze dhe u nisën drejt resorteve modernë; pjesa tjetër, duke ecur ngadalë, të dëshpëruar, pa e kuptuar pse i kishin thirrur, u drejtuan nga autobuzët, me të cilët i kishin sjellë, duke përtypur kafshatat e fundit të një dite që mbaroi ashtu si kishte nisur. (Dita)