Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ndarja e veriut të Kosovës drejt legalizimit!

Farsa e gjithë asaj zhurme në veri të Mitrovicës, kishte vetëm një qëllim: sensibilizimi i opinionit për të jetësuar asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Më pastaj, në një kohë më të përshtatshme, enklavat serbe do të kërkonin ndarjen e Kosovës për t’ju bashkangjitur Serbisë- ky ishte qëllimi dhe jo më shumë! Për kaq vite hulumtohej shkasi për të krijuar një shkak si ngritja e barrikadave, kjo në marrëveshje të plotë mes (elitës politike serbo dhe kosovare në të dy rrafshet), e tëra kjo arriti efektin e vet si baraspeshë se serbët do heqin barrikadat dhe shqiptarët do legjitimojnë Asociacionin, si pushtet të tretë vendimmarrës në Kosovë, që i bie shtet brenda shtetit. Me këtë qasje dhe njëmendësi të parisë sonë politike, kjo do të ndodhë herët a vonë pavarësisht kush do të jetë në pushtet e kush në opozitë!

Tani, janë dokrra të pakripë këto (varët kush i ha), se u hoqën barrikadat dhe bandat në veri të vendit do të shpartallohen e dokrra tjera, jo, realiteti është shumë më i dhembshëm. Nëse nuk jemi të verbër për të parë; ka vite që është bllokuar rruga kryesore mes për mes qytetit të Mitrovicës në drejtim të veriut që shkonte nga ura e Ibrit tek “Poleti”, tek Burgu dhe Gjyqi i Qarkut, tek ish Mensa e studentëve e në vazhdim drejt Zveqanit dhe Leposaviqit!

Jo, andej nuk kalohet më, në fakt, nuk lejohet që shqiptarët të kalojnë andej- po edhe mund të kalohet, por kjo varët se kur i vënë e kur i heqin serbet barrikadat, pra varët nga kompromisi për të plotësuar kërkesat e serbeve përtej urës, ata paralizojnë jetën atje kur të duan, si të duan dhe nuk i ngacmon kush, as vendorët dhe as të huajt!…

 

Nuk e di si shpjegohet ky mjerim politik

 

Në vazhdim, në veri të Mitrovicës nuk gjen asnjë shenjë të Institucioneve dhe shtetit të Kosovës, atje valojnë vetëm flamujt me simbole Serbe, pllakate serbe me plot urrejtje kundër shqiptarëve, kudo shkruan Kosova është Serbi etj. Serbët në veri të Mitrovicës, që gati një çerek shekulli nuk iu përgjigjen obligimeve që kanë ndaj shtetit të Kosovës, nuk paguajnë tatim, nuk paguajnë rrymë, nuk paguajnë as taksa të tjera. Serbet në veri të Mitrovicës, nuk përfillin Institucionet tona, madje korporata energjetike e Kosovës KEDS- i, e bërë “teslim” tek turqit, rrymën e shpenzuar nga serbet e veriut për vite me radhë, ua kanë faturuar shqiptarëve në tërë Kosovën në mënyrë paushalle!, serbet në veri të Mitrovicës, kanë djegur institucionet tona dhe as kush deri me sot atje, as ka guxuar të hetohet, as burgoset e akuzohet për terrorizëm- ngjashëm siç po akuzohen shqiptarët liridashës.

Pushtetarë, Ministra, qeveritarë, gazetarë, analistë, ju mbuloftë turpi!…

njëherë e përgjithmonë duhet të thuhet: në veri të Mitrovicës dhe jo në Mitrovicën veriore, kjo terminologji dinake që ka zë vend në retorikën e përditshme, sikur ka mësuar veshët e naivëve me termin e ri të ndarjes morfologjike, se vërtetë qenkan dy Mitrovica: ajo e veriut dhe ajo e jugut!- jo, ka një Mitrovicë e cila ka polin e saj verior edhe jugor, ashtu si çdo vendbanim tjetër siç ka edhe globi ynë polet veriore dhe jugore. Edhe një herë; nuk është ura që ka ndarë Mitrovicën, jo, ishte dhe është edhe sot e gjithë ditën, politika jonë anemike në nivelet më të larta shtetërore, që po hiqet zvarrë për kaq vite! Ishte mos gatishmëria jonë kolektive e Institucionale për të integruar vendin në të gjitha sferat e jetës. Mungonte guximi ynë qytetarë dhe institucionale për t’i siguruar qytetarët tanë që të jetojnë të lirë e të sigurt- si edhe të tjerët në tokat dhe shtëpitë e veta, pra edhe në veri si në jug të qytetit!

Përfaqësuesit e Institucioneve tona, këtë gjendje duhet ta shohin dhe ta thonë të vërtetën me sa zë kanë, pra mos ta lustrojnë gjendjen kaq të rëndë atje e mos të heqin naivin- ndryshe me këtë stërkeqje të elitës sonë politike, ndarja e veriut të Kosovës po legalizohet!

Zvicër, 15.02.2023

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …