Sami Frashëri në historinë e kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare është njëri ndër personalitetet më të njohur e më të frytshëm në shumë segmente të krijimtarisë në gjuhën shqipe, turke, persiane e në gjuhë të tjera. Ai ka qenë një erudit në kuptimin e fjalës dhe shumë i njohur edhe në qarqet shkencore e kulturore të Perandorisë Osmane të kohës e më gjerë. Vëllezërit, Samiu, Abdyli dhe Naimi ishin tre ndër ideologët kryesorë shqiptarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Emri i Sami Frashërit në literaturën turke e persiane njihet si Shemseddin Sami.
Samiu lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor të vitit 1850. Ishte njëri nga 6 bijtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj.
Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar. Ai la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.
Duke qenë dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.
Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri “Besa”, e botuar më 1875. Ky roman e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.
Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroj disa libra dhe broshura, të ciat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si p.sh: “” (“Mëngjesi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj.
Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll. (Vikipedia)
Titujt e veprave:
Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet (1899) [2]
Besa dramë (osmanisht) [2]
Kamus-i Turki fjalor (osmanisht-
Kamus al alam enciklopedia e parë osmane e gjeografisë dhe historisë.[2]
Kamus-i Fransevi, 1882 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Fransevi, 1885 Fjalor osmanisht-frëngjisht
Kamus-i Arabi, Fjalor arabisht-osmanisht
Dheu është flori[2]
Dashuria e Talatit për Fitneten
Himmetu-l-Himam fi neshri-l-Islam
Medeniyyet-i-l islamiyye