Konferenca para apelit në çështjen e Salih Mustafës u mbajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Mbrojtja e Mustafës dorëzoi nëntë shkaqe apelimi dhe kërkoi që versioni përfundimtar i aktgjykimit në gjuhën shqipe të jepet sa më parë në dispozicion të tij. Avokati Julius von Bone argumentoi se Mustafa deri tani kishte vetëm një version në anglisht, dhe si rezultat, nuk kishte mundur të kontribuonte në shkaqet e apelit.
Ndërsa Zyra Administrative deklaroi se versioni paraprak i përkthimit të aktgjykimit ishte dorëzuar, por versioni përfundimtar pritej të ishte i gatshëm jo më vonë se 20 marsi. Mbrojtja e Mustafës kërkoi që kjo të bëhet më herët, duke marrë parasysh që dënimi ishte shpallur më 16 dhjetor të vitit 2022.
Prokurori Ceezary Michalczuk kërkoi që Mustafa të mbetet i ndaluar gjatë periudhës së apelit, duke argumentuar se ekziston rreziku i largimit të tij. Kryetarja e panelit të apelit, Michele Picard, njoftoi se një person mbetet i ndaluar gjatë periudhës së apelit në përjashtim të rasteve kur trupi gjykues ose ai i apelit urdhëron ndryshe.