leoni

Dinë Alush Koleci (10.9.1945 – 2.6.1998)

Dinë Alush Koleci (10.9.1945 – 2.6.1998)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë shumë luftëtarë edhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike. Në mesin e tyre, bëjnë pjesë edhe eprori dhe komandanti i tri luftërave çlirimtare shqiptare, të zhvilluara në Kosovë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në Maqedoni, Tahir Sinani, po ashtu eprori dhe pjesëmarrësi në tri këto luftëra, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori, Indrit Cara nga Kavaja, Hamdi Mula nga Dobruna e Golajt, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Arif Shpend Dautaj, Qazim Hazir Dautaj, Fatmir Ndoçi, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë.
Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar me mundin, gjakun dhe profesionalizmin e tyre edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria administrative, si Dilaver Goxhai, Zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm, Adem Shehu, komandant i Brigadës 152, “Zahir Pajaziti” në Zonën Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë.
Një ndihmë të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe Divizioni i Kukësit i Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, në krye me gjeneral Kudusi Lamën si dhe shumë eprorë e ushtarë të tjerë, të cilët ishin sistemuar në bazat e UÇK-së rreth shumë pikave të zonës kufitare.

Treva e Hasit, e andej dhe këndej kufirit gjithnjë ishte vatër e luftërave kundër pushtuesve të huaj. Në kohën e luftës së UÇK-së trimat dhe trimëreshat e kësaj treve heroike kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit, sepse nëpër këtë zonë kanë kaluar kufirin, kanë gjetur strehë, ushqim e mikëpritje vëllazërore qindra luftëtarë të lirisë.
Në fshatin Kishaj të Hasit, më 10 shtator të vitit 1945 u lind Dinë Koleci. Mësimet fillestare i mori në vendlindje. Qysh i ri ishte pajisur me ide kombëtare. Shtëpia dhe familja e tij në Kishaj ishte bazë qëndrimi dhe e grumbullimit të armatimit nga luftëtarët e lirisë, radhëve të të cilëve iu bashkua qysh herët edhe ai. Në shtëpinë e tij u mirëpritën, strehuan dhe u ndihmuan shumë luftëtarë të orëve të para të luftës së UÇK-së.
Meqenëse e njihte terrenin për kalim të sigurt të kufirit që e ndante Kosovën nga Shqipëria, apo vetë Shqipërinë nga Shqipëria, Dina përcolli dhe shoqëroi disa herë togjet e luftëtarëve të lirisë për në Kosovë. Ai kreu këtë detyrë dy herë radhazi duke përshkuar rrugën nga fshati Demjan deri në pikën ushtarake të Drenocit të Rahavecit, në Zonën Operative të Pashtrikut. Dinë Koleci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për furnizimin me armatim të Brigadës 124, “Gani Paçarizi” të kësaj zone.
Në fillim të qershorit të vitit 1998, Dinë Koleci, së bashku ma Hajrush Muhadrin e me djem të tjerë të Hasit, kaloi kufirin, në drejtim të Rahavecit. Natën e 2 qershorit të vitit 1998 ishte me bashkëluftëtarët Yll Sokoli, Miftar Kovaçi, Muçë Muhadri e të tjerë. Ai po u printe trembëdhjetë luftëtarëve në shtegun e rrezikshëm dhe plot prita të vëna nga ushtria serbe, kur bie në pritë afër vendit të quajtur “Bunari i Greçinës”. Gjatë luftimeve, nga breshëria e armëve të shrepura nga armiku serb, bie dëshmor Dinë Koleci. Ai më parë, duke parandie rrezikun i kishte porositur shokët të mos lëviznin pranë njëri-tjetrit por pa kursyer veten e tij, meqenëse kishte përgjegjësinë për t’i prirë grupit të luftëtarëve.
Gjatë luftimeve, bashkëluftëtarët nuk kishin arritur ta merrnin trupin e Dinës. Ndërkohë ishte bërë e ditur se trupi i një luftëtari të rënë ishte varrosur në varrezat e fshatit Greikoc të rrethit të Gjakovës, pa u ditur identiteti i të rënit. Pas identifikimit të tij, trupi i dëshmorit Dinë Koleci, bashkëluftëtari i tij, Smajl Latifi, komandant batalioni i Brigadës “Gani Paçarizi”, kishte organizuar rivarrimin e dëshmorit. Më 5 gusht të vitit 1999, trupi i tij u rivarros me nderime ushtarake. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …