leoni

Për nder të 17 Shkurtit, ditës së Pavarësisë së Kosovës, KK në Skenderaj ka mbajtur seancë solemne

Për nder të 17 Shkurtit, ditës së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi Komunal në Skenderaj ka mbajtur seancë solemne, e cila është udhëhequr nga kryesuesja Adelina Spahiu, e ku kanë marrë pjesë kryetari Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, drejtorët e Ekzekutivit, anëtarët e Kuvendit dhe mysafirë të tjerë. Në adresimin e tij për Ditën e Pavarësisë, kryetari Nura, ka kujtuar me respekt dëshmorët e kombit, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, sakrifica e të cilëve sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Fjalimi i plotë i kryetarit Nura:

“E nderuara kryesuese e Kuvendit, znj.Spahiu

I nderuar nënkryetar i Komunës, z.Lushtaku,

Të nderuara anëtare e ju anëtarë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Ky fjalim solemn, në këtë ditë të bekuar për popullin shqiptar në përgjithësi, nuk bën të nis pa shprehjen e mirënjohjes së thellë dhe konsideratën e lartë për të gjitha familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për veteranët, për invalidët, për të gjitha gratë dhe burrat më të zot të kësaj toke. Jemi këtu ku jemi sepse ata luftuan dhe sakrifikuan gjithçka që patën për lirinë tonë. Mirënjohje me respektin më të lartë njerëzor dhe të përjetshëm për komandantin legjendar Adem Jashari, që u bë simbol i pavdekshëm i luftës sonë çlirimtare. Heroizmi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vetëmohimi, qëndresa e pathyeshme e popullit shqiptar të Kosovës, në njërën anë, dhe në anën tjetër angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me NATO-n, dhe shtetet mike të shqiptarëve, i mundësuan këtij populli lirinë e shumë pritur. Një nga dy synimet kryesore që kishim. Të nderuar anëtarë të Kuvendit. Si sot dhe në çdo festë tjetër kombëtare dhe shtetërore, mendojmë dhe bëjmë homazhe për dëshmorët e kombit. Ata nuk i kemi vetëm fizikisht. Por fizikisht sot na mungojnë disa heronj të gjallë. Ishin të zot edhe në luftë, po aq edhe në bërjen e Kosovës shtet. Baci Haxhi dhe halla Hyrë, sot, me gjithë vitet e jetuara, kanë mallin e djalit të tyre e presidentit tonë. Ata po plaken dhe po digjen nga dëshira për të parë Hashimin teksa kthehet i lirë, bash sikur në qershorin e vitit 1998. Megjithëkëtë, ata besojnë se ai do të jetë edhe një herë në mesin e tyre. Edhe ne besojmë plotësisht se e drejta është në anën e tyre. Sot i urojmë me zemër familjet e presidentit Hashim Thaci, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Liria jonë ka emër!

Të dashur anëtarë të Kuvendit,

Në këtë përvjetor të 15 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ri konfirmoj zotimin si kryetar i Komunës, për të punuar me përkushtim për të mirën e qytetarëve të Skenderajt, pa asnjë dallim. Ende po i vuajmë pasojat e një fatkeqësie natyrore siç ishin vërshimet e 19 janarit. Me gjithë dëmet e mëdha që u shkaktuan, e kaluam pa pasoja në njerëz. Kjo është fitore e jona e përbashkët. U sprovuan, por e kaluam pa asnjë therë në këmbë. U ngazëlleva nga ai solidaritet që vetëm në fatkeqësi të tilla mund të shpërfaqet. Na dolën në ndihmë i madh e i vogël dhe nuk lanë të vetmuar. Edhe ju këtu që jeni, keni kontribuar aq sa keni mundur dhe me çfarëdo që keni mundur. Për këtë, faleminderit shumë!

Të nderuar anëtarë të Kuvendit, duke ju falënderuar për vëmendje, gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Jetoftë Kosova përjetësisht!”.

Edhe kryesuesja e Kuvendit Adelina Spahiu ka mbajtur një fjalim, duke u shpreh me mirënjohje të lartë për sakrificën e dëshmorëve të lirisë, ndërsa e ka lartësuar veprën e kryetrimit të UÇK-së, Adem Jashari dhe dëshmorëve tjerë të Kosovës, që luftuan me vetëmohim deri në momentet që çliruan Kosovën.

GËZUAR DITA E PAVARËSISË!

Mund të jetë një imazh i 7 persona, zyrë dhe ambiente të brendshme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …