Jetullah Mehmet Islami (14.6.1950-2.6.1999)

Jetullah Mehmet Islami (14.6.1950-2.6.1999)

Babai i gjashtë fëmijëve, sot dëshmor, intelektuali Jetullah Islami, lindi, u rrit, jetoi, luftoi dhe u vra në fshatin Dyz të komunës së Besjanës (ish-Podujevë). Origjina e tij është shumë e varfër, nga familjet më skamnore të atij fshati malor, por arsimdashëse dhe atdhetare. Atdhetarizmin e familjes së këtij dëshmori e tregoi edhe lufta e fundit, e cila kishte për mision çlirimin e Kosovës njëherë e përgjithmonë nga pushtuesit serbë, ku morën pjesë në luftë babë e bir.
Jetullahu shkollën fillore, katër klasat e para, i kreu në Dyz, ndërsa vitet e tjera i përfundoi në Batllavë. Gjatë tërë atyre viteve nxorri në pah etjen e tij për dije dhe vullnet si dhe durim për të mësuar. Mirëpo, për të vazhduar shkollën e mesme duhej të shkonte në qytet. Babai i tij, Mehmeti, kishte dëshirë, por nuk mund t’i përgjigjej ekonomikisht. Atëherë i dolën në krah dajat e djalit, Jetullahut, të cilët e ndihmuan që ai të vazhdonte shkollën e mesme “Selvira Tomazini” në Mitrovicë. Edhe në këtë shkollë tregoi zell për të mësuar, ndaj, kur e mbaron atë, regjistrohet, në Universitetin e Prishtinës – degën e historisë, krahas punës si mësues. Ai punoi si arsimtar në shumë shkolla fillore si, në fshatrat Prapashticë, Koliq, Dyz etj. Gjatë ndjekjes së studimeve në Universitet, krahas shlyerjes së detyrimeve shkollore, ai angazhohet në aktivitetin ilegal, për gjetjen e rrugëdaljes për Kosovën. Shpërthimi i revoltave popullore në Kosovë, në mars – prill 1981 e përfshinë edhe Jetullahun. Ishte ndër më aktivët, ndaj edhe arrestohet më 16 maj 1981. Dënohet me 60 ditë burg, pasi nuk mundën ta thyenin, por vetëm pse ishte evidencuar në krye të masave demonstruese. Megjithatë, i heqin të drejtën për të dhënë mësim, si dhe i ndërpresin edhe të drejtën të vazhdonte studimet në Universitet. Nëntë vjet rresht detyrohet të shkëputet nga jeta e mësuesit dhe punon privatisht, duke kryer punë nga më të ndryshmet, derisa krijohet pushteti paralel në Kosovë. Kështu, në vjeshtën e vitit 1991 rikthehet në profesionin e tij, arsimtar, si dhe rifillon studimet në Universitet, të cilin e përfundon në vitin 1993. Duke qenë njeri me karakter të lartë, i arsimuar dhe i edukuar, zgjidhet nga bashkëfshatarët e tij edhe kryetar i LDK-së për fshatin Dyz. Ai ishte një kërkues i së vërtetës dhe i së drejtës. Historikisht dihet se këta lloj kërkuesish dhe rrëfyesish të së vërtetës bëjnë pjesë ndër njerëzit më të vetëdijshëm, të cilët e kanë të qartë se do të përballen me vështirësi nga më të ndryshmet. Dhe bashkëfshatarët, duke parë se ai i trajtonte ato probleme seriozisht, duke u përpjekur t’i çlironte ata nga iluzionet dhe falsitetet, duke e vënë veten në rrezik, ndaj e zgjodhën në krye të asaj lëvizjeje demokratike.
Duhet pasur parasysh që LDK-ja lindi dhe u përkrah si lëvizje politike dhe jo si parti politike. Si e tillë ajo u përkrah nga shumica e popullit, pasi lëvizjet politike ndryshojnë nga partitë politike, sepse lëvizjet nuk e parcelizojnë popullin, ato nuk u kundërvihen interesave të ngushta të asnjë shtrese të caktuar të popullit. Lëvizjet kanë për ideal çështjet më madhore të popullit, sikundër është p.sh. çlirimi shoqëror ose ai kombëtar. Me një fjalë, lëvizjet politike i ngjajnë pak a shumë monopartizmit në pushtet, por që janë forca politike pa pushtet. Lëvizjet kanë për qëllim që të gjithë pjesëtarët e shoqërisë të mendojnë njësoj dhe janë shumë të efektshme në periudhat e të qenit të pushtuar, pasi synojnë bashkimin e të gjithëve për çlirim kombëtar. Kështu edhe u kuptua nga populli ynë dalja në skenë e LDK-së, mision që deri atëherë e kishin bërë organizatat ilegale.
Mbështetja nga Perëndimi e demokratizimit të vendeve lindore, popullit shqiptar në Kosovë iu duk se erdhi momenti që atë luftë që patën bërë deri atëhere ilegalisht, për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, tani mund ta bënin legalisht. Kjo është arsyeja kryesore se pse u anëtarësua shumica e popullit shqiptar në Kosovë në LDK dhe në krye të organizatave nëpër fshatra u zgjodhën kryesisht njerëz të ndershëm. Ndër këta bënte pjesë edhe Jetullah Islami.
Lindja e kësaj lëvizjeje politike në Kosovë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e regjimit shtypës të Serbisë. Lindja e asaj lëvizjeje ishte forma më e përshtatshme për kohën kur lindi, pasi autoriteti i pushtetit të Serbisë ishte i papranueshëm për popullin shqiptar, sepse ishte pushtues ngaqë u kishte mohuar shqiptarëve çdo të drejtë kombëtare dhe shoqërore. LDK-ja, edhe pse u quajt lidhje, ajo u shndërrua në lëvizje politike edhe për faktin tjetër ngaqë ajo u shtri edhe ndër shqiptarët e mërgatës.
Duke e kuptuar si të tillë këtë forcë politike, Jetullah Islami u bë i rrezikshëm për pushtuesin serb, ndaj dhe arrestohet nga policia në vitin 1993, për shkak të një konfrontimi me forcë të bashkëfshatarëve të tij kundër policisë, ngjarje, e cila pat ndodhur dy vjet më parë. Ai rast u gjet si shkas për t’u arrestuar (pasi nuk përbënte shkak), me qëllim që të detyrohej të largohej nga Kosova, pasi për ta dënuar nuk kishin as fakte dhe as mundësi, pasi kishin të bënin me një intelektual dhe Serbia ishte nën presionin e diplomacisë botërore. Në këto kushte, Jetullahu lë detyrën e drejtorit të shkollës së fshatit Batllavë dhe ikën në Tiranë dhe, pas gati një vit qëndrimi atje, shkon emigrant në Gjermani për dy vjet të tjerë.
Në vitin 1998, dihet që në Kosovë Lufta Çlirimtare mori përmasa të papara ndonjëherë në këtë trevë shqiptare. Jetullah Islami kishte mbetur ai idealisti i dikurshëm i ilegales. Kështu, në periudhën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po kalonte momentet më të vështira të historisë së saj, në gjakosjen me armikun, kur ajo kishte më shumë se kurrë nevojë për mbushjen e radhëve të saj, ato ditë kur dezertori, Tahir Zemaj, i cili ishte në krye të komandës të zonës së Dukagjinit, shpartalloi njësitet ushtarake të kësaj zone, me urdhrin: “Shkoni ku të mundeni, pasi nuk ka më UÇK”, në gusht të vitit 1998, Jetullah Islami lë jetën e mësuesit në emigracion, mbledh edhe shumë bashkëmendimtarë dhe niset për në Shqipëri.
Vijnë në Krumë, në Vlanë, regjistrohen në formacionet e UÇK-së, vishen, armatosen dhe më 20 gusht 1998 niset vetë i pesëmbëdhjeti për të depërtuar në Kosovën që po digjej. Më 23 gusht arrijnë në Ratkoc të Rahovecit. Për të depërtuar drejt zonës së Llapit, pasi për atje ishin nisur, duhej të vinte dikush si udhërrëfyes prej andej, pasi në të gjithë Kosovën zhvilloheshin luftime. Pasi u arrin udhërrëfyesi, nisin marshimin në mbrëmjen e 30 gushtit, në itenerarin: Ratkoc-Sferkë (Klinë)-Negrofc-Damanek-Vërbocë-Krasaliq-Reznik-Sllakofc-Bajgorë, duke iu shmangur vendbanimeve me serbë si dhe përqendrimeve të ushtrisë e të policisë serbe.
Në Bajgorë arrijnë në mëngjesin e datës 2 shtator 1998. Shumë prej vullnetarëve të ardhur së bashku me Jetullahun nga emigracioni, iu dha leje të shkonin të vizitonin familjet e tyre, që nuk i kishin parë me vite, por Jetullahu nuk mund të shkonte, pasi mund të arrestohej nga policia. Ai e vuri atdheun mbi familjen.
Në Bajgorë vazhdonin të vinin për stërvitje dhe regjistrim në radhët e UÇK-së, vullnetarë prej fshatrave të Gallapit deri në qytetin e Mitrovicës. Mësuesit të historisë, të thinjurit nga hallet e jetës, Jetullah Islamit iu ngarkua menjëherë detyra e propaganduesit të luftës në radhët e vullnetarëve. E kush mund ta bënte më mirë këtë detyrë se një mësues i historisë së popullit të tyre; një mësues, i cili kishte provuar burgjet dhe torturat e pushtuesit; një mësues historie, i cili kishte provuar të gjitha llojet e punëve të rënda; një mësues historie që rridhte nga një familje e varfër; një mësues historie që vinte nga emigracioni, sikundër ishte Jetullah Islami? Pas dy javësh të një pune të tillë intensive, nga 10-12 orë në ditë, erdhi momenti që ajo punë propagandisti të jepte frytet e para. Dhe ajo i dha ato me sukses, më 15 shtator, në luftimet e Kaçandollit, ku edhe flokëzbardhuri ynë udhëhoqi me shembëllin personal, duke luftuar në vijën e parë, pa u tërhequr as edhe një moment nga lufta. Ajo ishte prova e parë e zjarrit edhe për Zonën Operative të Llapit, e cila porsa ishte formuar si e tillë.
Duke marrë parasysh moshën e tij, ndërgjegjen, vuajtjet dhe përbërjen familjare, komanda e Brigadës 152 e UÇK-së, fillimisht e ngarkon Jetullahun me detyrën e magazinierit të sektorit të armatimit dhe municionit të Brigadës. Pas dy muaj i japin edhe sektorin e veshmbathjes dhe më vonë, komandanti i Brigadës, Arif Muçolli, e ngarkon me detyrën e shefit të logjistikës të Brigadës. Megjithatë, edhe pse Jetullahu ishte me këtë detyrë, ai shpesh largohej nga vendi i punës dhe shkonte në front, pasi i dukej se komanda e kishte vënë në një detyrë që ai të mos rrezikohej, pavarësisht se dikush duhej ta kryente edhe atë detyrë të rëndësishme. “Më është dashur që t’i flas me ashpërsi para oficerëve të Shtabit, pothuajse pas çdo luftimi, për të mos shkuar në front pa leje, e cila, i thosha, është thyerje e detyrave dhe urdhërave në luftë”, tregon komandanti i Brigadës.
28 prill 1999. Në rajonin Llupç-Majac-Llapashticë ishin përqendruar mbi 50 mijë banorë, pleq, gra e fëmijë. Ushtria serbe kishte filluar ofensivën në këtë drejtim. Nga Komanda e Zonës, pas konsultimesh me Shtabin e Përgjithshëm, u dha urdhri që popullsia të zhvendosej në vende më të sigurta, për në malësinë e Gallapit, ku luftonte Brigada 153, me komandant Adem Shehun nga Tirana. Për drejtimin në rregull e pa konfuzion të asaj kolone të jashtëzakonshme dhe ruajtjen e saj në kushtet e një dimri të zgjatur të atij viti, u krijua nga Komanda e Zonës, një lloj force e konsiderushme, me gati 100 ushtarë.
Duke qenë se Jetullahu e njihte mirë atë terren nga do të kalohej, pasi ishte vendlindja e tij, si dhe duke qenë se ishte kuadër që kishte një kohë të gjatë në logjistikë dhe i kishte mësuar depot tona sekrete nëntokësore me rezerva ushqimore, të cilat i kishim të shtrira kudo, si dhe për t’ju dhënë mundësia që të takohej edhe me familjen e vet, që kishte tre vjet pa e parë (me përjashtim të djalit të madh, Isanë, i cili kishte tre muaj që luftonte së bashku me babanë), komandanti i Brigadës e cakton Jetullahun në nënrepartin e shoqërimit, furnizimit dhe mbrojtjes së popullatës, që do të zhvendosej. Jetullahu e priti me gëzim këtë detyrë. Baza e kësaj logjistike të re u vendos në fshatin Dyz. Lufta vazhdonte. Jetullahu punonte dhe luftonte.
Më 2 qershor 1999, njësitit, që komandohej nga Jetullahu, i vjen lajmi se forcat serbe ishin nisur në drejtim të fshatit Dyz. Ai, pasi ndan detyrat për zënien e shtigjeve, vetë niset për t’i dalë ushtrisë serbe në drejtimin jugor të fshatit, me qëllim që t’u jepnin kohë forcave të tjera të Brigadës 153 të zinin vijat e mbrojtjes në mënyrë të organizuar.
Mori automatikun me municion dhe u nis si rrufe. Nuk e ndiente lodhjen. Vetëm vraponte nëpër shtigjet më të shkurtra, të cilat i dinte symbyllur edhe natën. Mirëpo snajperistët e armikut kishin kohë që e shoqëronin në dylbitë e armëve të tyre. Në momentin që Jetullahu ndalon për të marrë pak frymë dhe të kontrollojë me sy hapësirën që shtrihej para tij, në gjoks e përcëllon një plumb i mallkuar.
Mësuesi i historisë së popullit shqiptar, Jetullah Islami, pas plot 10 muajve lufte të armatosur, më shumë pa gjumë se me gjumë, 10 ditë para se të mbushte moshën 50 vjeç, 10 ditë para se forcat serbe të tërhiqeshin përfundimisht nga Kosova, u nda nga fëmijët e tij, bashkëluftëtarët e tij, nxënësit e tij dhe nga populli i tij, duke lënë amanet fëmijët dhe lirinë e Kosovës. Sa kishte ëndërruar mësuesi ynë për atë liri, sa herë u kishte folur ai nxënësve për atë liri, sa herë ai kishte qëlluar me urrejtje kundër armikut për atë liri, sa kishte vuajtur e hequr mësuesi Jetullah Islami për të arritur ditën e lirisë që fëmijët e tij të mund të jetonin në liri, por ja që plumbi armikut nuk e la ta gëzonte atë ditë me liri.
Megjithatë, eshtrat e tij prehen të qetë në vendlindjen e tij dhe ndoshta një ditë ata do të vendosen në Varrezat e Dëshmorëve, në kryeqytetin e Kosovës, pasi ai dhe shokët e tij janë gurthemeli i Kosovës së ardhshme dhe e meritojnë të përjetësohen. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …