Sulmohet me armë zjarri ndërtesa e komunës së Mitrovicës

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, përkatësisht rreth orës 02:00, nga persona keqbërës ende të pa identifikuar, është sulmuar me armë zjarri objekti i ndërtesës komunale në Mitrovicë. Me këtë rast pesë plumba kanë qëlluar dritaret e Drejtorisë së Inspekcionit, që gjendet në katin e tretë të ndërtesës së komunës.

Në momentin e sulmit të ndërtesës, brenda në objektin e ndërtesës, ka qenë punëtori i sigurimit. Nga të shtënat me armë zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Organet e rendit dhe të hetuesisë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dënon ashpër sulmin me armë zjarri të personave ende të paidentifikuar, duke e  vlerësuar këtë si sulm të personave me prirje kriminale në institucionet demokratike, për ndërtimin e të cilave qytetarët dhe institucionet kanë derdhur shumë djersë dhe mund.

“Sulmi në institucionin e komunës është një sulm qyqar, i dënueshëm dhe i papranueshëm. Sulmi ka ndodhur në kohën kur Komuna po realizon projekte të shumta e të rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre. Është e qartë se funksionimi i suksesshëm i komunës dhe punët e mira që po bëhen, po ju pengon personave keqbërës dhe grupeve të caktuara kriminale, që interesat e veta personale i kanë vendosur para interesave të përgjithshme të qytetarëve”, thotë kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri thekson se akti kriminal i atakimit të institucionit të komunës, i ka indinjuar pa masë qytetarët e komunës së Mitrovicës dhe më gjerë, andaj edhe e dënojnë ashpër dhe kërkojnë që organet e hetuesisë të punojnë me ngulm për identifikimin e sulmuesve.

“Atakimi me armë zjarri të institucionit të komunës dhe vandalizmi i automjeteve zyrtare të komunës, që ndodhi dje në orët e mesditës, nga persona tashmë të identifikuar nga organet e rendit, ndaj të cilëve edhe ka filluar  procedura hetimore, nuk do të dekurajoj kryetarin e komunës së Mitrovicës, bashkëpunëtorët e tij dhe shërbyesit civil, që me sukses të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve dhe realizimin e përgjegjësive dhe obligimeve të tyre, për të ju përgjigjur me sukses kërkesave të qytetarëve që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të jetës së tyre. Përkundrazi, këto veprime qyqare, vetëm sa do të shtojnë përkushtimin dhe mobilizimin tonë në këtë drejtim”, thotë kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri, edhe njëherë kërkon nga organet përkatëse  të hetuesisë që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për identifikimin sa më të shpejtë të sulmuesve dhe vendosjen e tyre para organeve të drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar.

Dhe krejt në fund, kryetari Bahtiri falënderon qytetarët e shumtë dhe përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme që ju kanë drejtuar, për t’i  dhënë mbështetje të fuqishme për vazhdimin e punës së suksesshme të institucioneve të komunës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …