Për çlirimin e trojeve shqiptare, fshati Reçak i komunës së Shtimes, luftës së UÇK-së i ka dhënë 12 dëshmorë dhe 42 martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, kundër banorëve të këtij fshati ishte ndër më monstruozet për nga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj egërsie barbaroide, të cilën e kryen serbët mbi shqiptarët e paarmatosur i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi i shëmtuar kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”. Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile, Mehmet Mustafa, Kadri Syla, Enver Rashiti, Shaqir Berisha, ndërkohë që kanë rënë në përpjekje për tërheqje të popullatës, Lutfi Bilalli, Nexhat Ramadani Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Gjatë kohën së luftës së UÇK-së kanë rënë edhe Alush Mustafa, Afrim Syla, Idriz Mehmeti dhe Elmi Kamberi, i cili ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të gjithë nga Reçaku.
Gjatë masakrës së ofensivës serbe në Reçak, policët dhe ushtarët serbë, masakruan këta banorë të Reçakut: Hakip Imer Hakipi, 30 vjeçar, Ahmet Izet Ahmeti, 60 vjeçar, Eshref Halim Jakupi, 53 vjeçar, Lutfi Hasan Maliqi, 44- vjeçar, Jashar Milaim Jashari, 25- vjeçar, Njazi Sherif Zymeri, 44-vjeçar, Shyqeri Ismajl Ismajli, 60- vjeçar, Haqif Shefki Hysenaj (Petrovë) rreth 49- vjeçar, Muhamet Faik Ismajli-Reçak, 44- vjeçar, Fatmir Faik Limani, 35- vjeçar, Murtez Ramiz Ymeri, 30- vjeçar, Mehmet Qerim Jakupi rreth 43- vjeçar, Muhamet Hafiz Imeri, 22- vjeçar, Shukri Milaim Jashari, 19- vjeçar, Sheremet Shyqeri Ismajli, 35- vjeçar, Mufail Mehdi Hajrizi, 30- vjeçar, Bujar Hanefi Hajrizi – Reçak, 19- vjeçar, Salih Faik Limani 24- vjeçar, Nexhat Faik Limani, 22- vjeçar, Xheladin Ahmet Jakupi, 17- vjeçar, Raif Milaim Jashari, 17- vjeçar, Bajrush Nesret Shabani, 23 vjeçar, Rizah Maliq Beqiri, 49- vjeçar, Halim Riza Beqiri, 13- vjeçar, Zenel Shefqet Beqiri, 22- vjeçar, Bajram Sokol Mehmeti, 50- vjeçar, Hanumshahe Bajram Mehmeti, 22- vjeçare, Ajet Minush Emini, 37- vjeçar, Nazmi Nuhë Imeri, 75- vjeçar, Banush Azem Dauti –65- vjeçar, Haki Murat Metushi, 65- vjeçar, Sabri Murat Metushi, 60- vjeçar, Arif Murat Metushi, 55- vjeçar, Hajriz Brahim Brahimi, 58- vjeçar, Ahmet Zenun Mustafa, 65 – vjeçar,Skënder Sylejman Halili, Mustafë Beqë Asllani, 42 vjeçar, Bajram Haki Xheladini, 33- vjeçar, Sahide Haki Metushi – Reçak, Hanumshahe Sadik Mujota-Mollapolc, rreth 16- vjeçare. Deri në përfundim të luftës në këtë fshat u vranë edhe: Halit Shaqiri, 54 – vjeçar dhe Avdyl Sejdiu, 95- vjeçar, i cili u dogj bashkë me shtëpi ku ishte i strehuar.
Ragip Bajrami Lindi në fshatin Reçak, më 8 nëntor të vitit 1964. Shkollën fillore e kishte përfunduar në fshatin e tij të lindjes, në Reçak, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Ragipi rrjedh nga një familje me kushte mesatare jetësore, por me ide të pastra kombëtare dhe liridashëse. Babai i tij, Xha Jahiri, ishte një njeri i mençur, i urtë dhe aktivist shumëvjeçar i fshatit.
Nga këshillat dhe edukata që i dha babai, Ragipi ishte brumosur me ide patriotike që në fëmijërinë e hershme. Ishte mjaft aktiv në të gjitha periudhat kohore e edhe në ngjarjet e viteve ‘88, ‘99, ‘90 e më vonë deri në vdekje. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, detyrohet për një kohë të punojë si punëtor krahu nëpër fshat e rrethinë, e pastaj merr rrugën e kurbetit ku punon vite të tëra pandërprerë për të siguruar kafshatën e gojës për familjen e vet. Pas një kohe relativisht të gjatë, Ragipi, duke parë gjendjen e rëndë me të cilën ballafaqohej Kosova, e braktis kurbetin dhe kthehet në vendlindjen e tij, për të filluar prapë punën si punëtor krahu nëpër fshat dhe rrethinë. Fillimi i luftës çlirimtare e gjen në fshatin Reçak në mes të familjes së tij,vëllezërve dhe prindërve.
Gjatë tërë kohës së luftës deri në vdekje Ragipi nuk u kursye asnjëherë duke punuar dhe duke dhënë kontribut për fshatin dhe për ata të cilët bënin luftën. Për ata ai ndante edhe kafshatën e gojës. I donte shumë, por detyrën e kishte të atillë që më tepër gjendej në fshat. Në ditën kritike të 15 janarit të vitit 1999 Ragip Bajrami gjendet në familjen e tij në Reçak. Sipas fjalëve të dëshmitarit të gjallë dhe vëllait të tij më të madh, Adem Bajramit, në mëngjesin e 15 janarit ishin së bashku në shtëpi. Pasi kishin dëgjuar të shtëna armësh, ishin zgjuar dhe ishin përgatitur për t’u tërhequr në pyllin e afërt përmes Kodrës së Bebushit, sepse edhe Ragipi shtëpinë e kishte rrëzë Kodrës së Bebushit dhe shtëpisë së Sadik Osmanit.
Pasi ishin përgatitur dhe ishin nisur së bashku për të kaluar në pyllin e afërt përmes Kodrës së Bebushit, Ademi kthehet edhe një herë në shtëpinë e tij për t’ia lënë një porosi familjes, ndërsa Ragipi më nuk e kishte pritur, por ishte nisur i vetmuar në drejtim të pyllit, pa e ditur se lart në kodër ishin paramilitarët serbë. Disa metra mbi të ashtuquajturën Gropa e Bebushit, ku ishin shumica e të vrarëve, në drejtim të pyllit ai has në policë serbë, të cilët e maltretojnë pamëshirshëm dhe më në fund e ekzekutojnë me armë zjarri, e pas ekzekutimit e masakrojnë në mënyrën më të vrazhdë. Nga e tërë kjo që u tha më lart, kuptojmë se Ragip Bajrami nuk kishte pasur kontakte me njerëzit që gjendeshin në oborrin e Sadik Osmanit në atë ditë kritike. Kodrën e Bebushit e kishte kaluar i vetmuar dhe ishte ekzekutuar i vetmuar disa minuta para të tjerëve.
Në notesin e tij luftarak, me rastin e përshkrimit të të masakruarve, mjeku i luftës, Vezir bajrami ka konstatuar: Trupi i pajetë i Ragipit u gjet disa metra më lart nga vendi i cili quhet “Gropa e Bebushit”, në drejtim të pyllit dhe kodrës, e cila quhet Veshta, në rrugicën e vogël , i vetmuar dhe i fundit në itinerarin tonë të filluar rrëzë Kodrës së Bebushit në drejtim të kolonës me të masakruar.
Ishte i shtrirë në shpinë, kokën e kishte lart në drejtim të Veshtës, ndërsa këmbët të shtrira poshtë në drejtim të kolonës me të masakruar. Dorën e djathtë e kishte të shtrirë anësh dhe të larguar nga trupi, dorën e majtë e kishte fare afër trupit. Me tërë trupin ishte i lëkundur pak në anën e djathtë. Kishte të veshur në pallto të trashë dimri prej farmerke me ngjyrë të kaltër. Nën xhemper kishte një këmishë me jakë të trashë dimri, e cila po ashtu ishte me katrorë, dhe kishte të veshura pantallona farmerke me ngjyrë të kaltër, të cilët iI mbante të lidhura me një rrip ngjyrë kafeje dhe të gjerë. Ishte i vrarë nga afërsia me armë zjarri, ku shiheshin vrima të shumta hyrëse në kraharor dhe në abdomen. Vrimat hyrëse i kishte nga ana e përparme e trupit, ndërsa ato dalëse i kishte në anën e prapme. Ishte i prerë me thikë (mjet të mprehtë) në gjoks, abdomen dhe në fytyrë. Një pjesë të mushkërisë e kishte të nxjerrë jashtë nga ana e majtë. Veshin e majtë e kishte të prerë me thikë , por në bazë të shenjave në vendin e ngjarjes ,mungesës së gjakut , veshin policia serbe ia kishte këputur para ekzekutimit dhe e kishte hedhur larg trupit të tij. Ndërsa mbrapa veshit të djathtë kishte një të rënë të forte traumatike me mjet të fortë dhe të topitur, ku i ishte thyer kafka dhe i kishte dalë truri jashtë. Kishte edhe një të prerë me thikë në mjekër. Shiheshin edhe shenja të maltretimit fizik të tij. Në bazë të këtyre të dhënave, në trupin e Ragip Bajramit ishin përdorur të gjitha llojet e armëve, duke filluar nga arma e zjarrit, mjetet e forta dhe të topitura si dhe mjete të mprehta siç ashtë thika. (A. Q.)