Deputeti i PDK-së, në Kuvendin e Kosovës, Hisen Berisha, në seancën e sotme i ka përmendur vëllezërit Dehari. Gjatë fjalës së tij, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në shenj mospajtimi i kanë goditur tavolinat. Deputeti, Hisen Berisha, ka përmendur rastin e zhdukjes së mostrave, duke thënë se Ministrja Haxhiu duhet të marr përgjegjësi. Indikative mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me mbiemrin e vëllezërve, Dehari. E unë e pyes se cili ishte roli i tyre, a e bëtë këtë për heshtjen e familjes duke u përpjekur t’i fusni në histori. Së fundi ndodhi edhe vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marr përgjegjësi, kjo bie tavolinës dhe filloi ta akuzojë prapë opozitën. E dini se Astrit Dehari ishte kundër marrëveshjes që keni nënshkruar dhe kundër tradhtisë që po bëni. Janë dy parakushte për ta zbardhur rastin e vrasjes apo vetëvrasjes së Astrit Deharit. Kushti i parë është zbardhja e aktit terrorist, e sulmeve terroriste në Presidencë dhe në objektet e Qeverisë. Por, rastin e sulmeve terroriste mbi institucione nuk po e zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin e juaj. Kushti i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, këtë nuk e ka marr guximin askush të flasë publikisht. Tash është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh, me të cilët ai ka qenë i involvuar në rolin e sinjalizuesit, tha mes tjerash, deputeti Hisen Berisha.