leoni

Isuf Ismaili: Ngrohtësi e përkatësisë shqiptare në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Isuf Ismaili: Ngrohtësi e përkatësisë shqiptare në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në një atmosferë të gjallë e përplotësuar nga një kënaqësi e veçantë shpirtërore, ku edhe mbizotëroi një hare e  natyrshme, anëpëranë, të një salle të madhe në Uster të kantonit Cyrih, para pak ditësh, u festua 15 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës.  Në atë sallë të madhe u mblodhën bashkatdhetarët tanë nga të gjitha trevat shqiptare, në mesin e të cilëve pati edhe të ardhur nga një udhëtim i gjatë, enkas, nga Tirana e Prishtina, nga Presheva e trevat të tjera shqiptare.

Skena qe e mbuluar me flamurin shqiptar, ndërsa programi filloi me himnin kombëtar.

Në një atmosferë të tillë përbashkuese e festive u paraqitën këngë e valle, recitime e përshtypje të mëdha të bashkatdhetarëve tanë.

Pavarësia e Republikës së Kosovës është një e arritur ndër më të mëdhatë në historinë më të re të popullit shqiptar. Data e 17 shkurtit të vitit 2008, shënon një datë tepër të rëndësishme të Pavarësisë së shpallur botërisht nga një shtet i ri në Europë, nga Kosova e pamposhtur e me gjallëri të shkëlqyer  shqiptarizmi.

Është mirë, madje natyrshëm, të shkruajmë e të themi dhe padyshim të theksojmë, se me  Pavarësinë e Kosovës, nisi botërisht funksionimi i një shteti të dytë shqiptar.  Për këtë, natyrisht kemi dëshmi të gjalla, qoftë nga e kaluara, qoftë edhe nga vërteta e së sotmes.  Dihet, po botërisht, se Kosova është vetëm njëra nga pjesët e trevave të Shqipërisë e cila së bashku me pjesët e tjera shqiptare përbëjnë tërësinë e Shqipërisë së natyrshme e etnike. Padyshim, Pavarësia e Kosovës shënon një nga ato shkallët e larta, drejt qëllimeve të natyrshme e të pa tjetërsuara  në udhëtimin për jetësimin e Shqipërisë së tërësishme, për të cilën dhanë jetën bijtë e bijat më të mira të Atdheut dhe sakrifikuan e luftuan me heroizëm edhe atdhedashësit e liribërësit edhe pas mbarimit të luftës heroike e madhështore të UÇK – së, UÇPMB – së, e UÇK – së në trojet shqiptare nën Maqedoninë e Veriut. Por, natyrshëm, kjo që u theksua më sipër, shprehet dhe për këtë veprohet nga atdhedashësit e tërësishëm shqiptarë, prandaj edhe manifestimet për pavarësinë e Kosovës janë përbashkuese nga të gjithë shqiptarët, duke e përjetuar ata Kosovën pjesë  të pandarë të tërësisë së Atdheut. Kështu edhe arbëreshët, të cilët gjithnjë e më shumë marrin pjesë në manifestimet tona, në trevat shqiptare, përjetojnë dashurinë për tokën e të parëve tanë të përbashkët arbëreshë apo arbërorë, por shprehin edhe të gjithë dashurinë përbashkësisë sonë arbërore e shqiptare.

Do të doja të thosha se çdo përcaktim tjetër është i gabuar dhe i dëmshëm për ardhmërinë e tërësisë shqiptare.

Është, padyshim, mirë dhe natyrshëm duhet të theksojmë, se ata të cilët kanë merita të mëdha e të pazëvendësueshme  për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, sot padrejtësisht ndodhen në burgjet e Hagës, siç janë: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Pjetër Shala, për të cilët jo vetëm në këto data, por edhe në tubime e manifestime të tjera, kurdoherë e  sidomos institucionet tona shqiptare, duhet ta ngrenë zërin për të kërkuar pafajësinë e tyre e për t’i liruar nga burgjet famëkeqe të Hagës.

Siç u theksua edhe më parë, tubime e manifestime të shumta vazhduan të mbahen edhe pas 17 shkurtit,  për të përkujtuar ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Këto manifestime e këto veprimtari tregojnë jetësinë e përkushtimin e degëve shqiptare, qoftë edhe në mërgim, për ta kuptuar bota shqiptare, por edhe ajo tërësishme, se shqiptarët atdhedashës duan e do të bëjnë, vazhdimisht, punë e veprimtari për t’i përplotësuar të drejtat e tyre të natyrshme për krijimin e përbashkët të një shteti shqiptar dhe mbarëvajtjen e tij në hapësirën europiane, ku gjallërojnë edhe popujt të tjerë.

Në një atmosferë të tillë e me përcaktime kësi soji, u mbajt tubimi e manifestimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Uster, organizimin e të cilit e bëri shoqata ”Bashkimi” nga ky qytet. Kjo shoqatë gjithnjë e më shumë po dëshmon se është një ndër më suksesshmet në Zvicër.

Në këtë tubim, mori pjesë edhe profesor dr. Vaxhid Sejdiu, koordinator i vatrës sonë ”Shkolla Shqipe” në Zvicër, i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë, të punojë e të veprojë, pareshtur, për këtë vatër të madhe të arsimit e kulturës shqiptare e cila i ka shtrirë degët e veta në të gjithë Zvicrën. E megjithëkëtë, duhet të themi se, aq shumë shqiptarë ka në Zvicër dhe në vende të tjera europiane perëndimore, saqë po ta shikojmë me vërtetësi gjendjen, duhet të themi, se në raport me kaq shumë shqiptarë nëpër botë, numri i shkollave shqipe është i paktë.

Shpesh e kemi theksuar faktin se shkollat e organizuara, mësimi i gjuhës shqipe është e do të jetë parësor për ruajtjen e kultivimin e kulturës e qenësisë shqiptare, prandaj edhe me profesor Vaxhidin atë ditë, në atë tubim, kemi bërë, biseda të e trajtime të tilla.

Shumë të bukura janë këto veprimtari e manifestime përkujtimore e kulturore, por a mjaftojnë këto për ta mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarit, qenësinë tonë?! Unë mendoj se shkollat shqipe, mësimi sa më mirë i gjuhës shqipe është vula e krenaria shqiptare. Jo më kot ka thënë akademik Emil Lafe: “Popujt që e kanë ruajtur gjuhën e tyre e kanë ruajtur edhe çelësin për të dalë nga robëria.”

Edhe këto përkujtime e tubime, këto këngë e valle, recitime e fjalime  janë pjesë e pandarë e veprimtarisë atdhetare, por shkollat, mësimi i gjuhës shqipe është parësor, gjuha jonë  na e siguron vazhdimësinë e qenësisë sonë shqiptare.

Kam pasur rastin disa herë të merrja pjesë në manifestimet e veprimtaritë kulturore të vëllezërve tanë  arbëreshë dhe natyrisht ato i ka karakterizuar dashuria e përkushtimi për të mbajtur gjallë gjuhën dhe përkatësinë arbëreshe, kanë përkujtuar me dashuri të madhe historinë e Motin e Madh të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe natyrshëm, jam kënaqur, jam mrekulluar, por  në biseda me ta, ua thosha pikërisht ato mendime  e përkufizime, siç i theksova më sipër për diasporën më të re shqiptare, për shkollën, për mësimin e gjuhës arbëreshe për mësimin e standardit të gjuhës shqipe etj.

Rrjedhën e këtij shënimi festiv e udhëhoqi Ornela Zela, mbesa e këngëtares së njohur e shumë të çmuar Vaçe Zela, e cila me përkushtim edhe prezantonte edhe plotësonte zbrazëtira komunikimi në skenë, por edhe këndoi së bashku me disa fëmijë shkollash me shumë dashuri për Shqipërinë.

Morën pjesë grupet e valltarëve e të këngëtarëve të shoqatës “Bashkimi”, të cilët dëshmuan përkushtimin e madh  për të mbajtur të gjalla vlerat e tërësishme shqiptare, si në muzikë, veshje e kostume të trevave shqiptare, siç janë ato veriore, por edhe jugore, veçmas ato nga Çamëria. Vallet dhe këngët çame të shfaqura nga grupet e rinjve shqiptarë, mërgimtarë të Kosovës dhe të viseve shqiptare nën Maqedoninë e Veriut, qenë mbresëlënëse dhe shumë të çmuara edhe për faktin se veç vlerave artistike, karakteristikat e përfaqësimit të vlerave të tërësishme shqiptare dëshmojnë dëshirën e përkushtimin për bashkimin e trevave e të popullit shqiptar në një përbashkësi shtetërore  shqiptare.

Këngët për heronjtë e dëshmorët, për Kosovën etj, i kënduan, këngëtarë të shoqatës e veçmas Isuf Rashiti.

Vlen t’i theksojmë edhe disa momente të tjera. Në skenë doli edhe gazetari i shquar, Marin Mema, i  cili i kalon kufijtë e një gazetari të zakonshëm, ai i ka paraqitur me përkushtim, prej një shqiptari të shkëlqyer, problemet e mëdha për çështjen  shqiptare, siç janë ato për Çamërinë e trevat të tjera shqiptare nën Maqedoninë e Veriut e nën Serbinë etj., duke  dëshmuar profesionalizmin e përkryer, por edhe shpirtin atdhedashës. Ai iu drejtua pjesëmarrësve me emocione dhe porosi të qarta për ta ruajtur sa më mirë e sa shumë përkatësinë  shqiptare, foli për kujdesin e mbajtjen e pacenuar të kulturës,  ruajtjen e traditës e mbi gjitha foli për fëmijët shqiptarë në mërgatë që ta  mësojnë sa më mirë e ta flasin sa më drejt gjuhën shqipe.

Një nga pikat e veçanta dhe shumë mbresëlënëse qe edhe paraqitja në skenë e studentes shqiptare nga Kumanova Nora Sejdiu, e cila recitoi  vargjet antologjike të poemës “Poemë Kosovar” e shkrimtarit të madh shqiptar Mitrush Kuteli. Ajo recitoi me një përkushtim të veçantë atdhedashës, me emocione të fuqishme  e me një krenari të theksuar për rrënjët e kulturën shqiptare, duke ngritur e ulur zërin, sipas përmbajtjes, duke shprehur qartësinë e pasurinë gjuhësore, duke i theksuar tingujt e duke i përcaktuar momentet për shprehësinë emocionale e  artistike, duke veçuar ato pjesë të përmbajtjes, kur kanë dhembje dhe mall, të tjerat kur kanë krenari e gjallëri për të ardhmen e qenësinë e vazhdimësinë e shqiptarësisë sonë.

Ajo pasi i ka mbaruar studimet e rregullta, vazhdon studimet për titullin magjistër (master) në Universitetin e Cyrihut. Nora është bija e profesor dr. Vaxhid Sejdiut dhe mësimdhënëses Qefsere Sejdiu, të cilët së bashku me shumë mësimdhënës të tjerë shqiptarë po përpiqen me përkushtim të madh ta mbajnë gjallë gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare, në mendjet e shpirtrat e fëmijëve shqiptarë në mërgatë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …