Albin Kurti

Veprimet e Albin Kurtit nuk janë tradhti kombëtare, sepse këtë gjendje ai e ka trashëguar, por janë tradhti e kauzës politike të tij

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Veprimet e Albin Kurtit nuk janë tradhti kombëtare, sepse këtë gjendje ai e ka trashëguar, por janë tradhti e kauzës së tij politike, përmes së cilës erdhi në pushtet.

Këto dy gjëra nuk janë të njëjta.

Në deklaratën e Qeverisë lidhur me zhvillimet e djeshme në Bruksel, thuhet se  Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimin trilateral u dakordua që teksti i propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar. Palët do t’i fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar, thuhet në komunikatën e Qeverisë.  Kjo deklaratë zyrtare e Qeverisë, tregon më së miri se kryeministri Kurti, iu ka nënshtruar Amerikës, BE-së dhe shteteve më të fuqishme  të Evropës. Nuk e di cili politikan aktualë, apo nga ata të mëhershmit do të mund t’ i thoshin jo një plani të  ideuar e të projektuar nga mekanizmat e tillë vendimmarrës, ndërkombëtarë. Pajtimi, më vonë me siguri edhe nënshkrimi i planit franko-gjerman, nuk e vë kryeministrin në pozitën e tradhtarit të interesave kombëtare, por e vë në pozitën e politikanit mashtrues, të cilët i kemi pasur dhe i kemi me b0llëk. Albini ka tradhtuar kauzën e tij, me të cilën ka ardhur në pushtet, ndoshta edhe pa e ditur mirë se një ditë do të ndeshet me këtë realitet.

Të gjithë e dimë se Asociacioni është trashëguar, por nuk harrojmë se Albin Kurti dhe Vetëvendosja derisa ishin në opozitë kanë premtuar se nuk do ta pranojnë në asnjë mënyrë Asociacionin, madje edhe kanë protestuar dhunshëm brenda dhe jashtë Kuvendit.

Dhe jo vetëm kaq.

Asokohe, në vitet 2013-2015,  Qeveria e cila kishte arritur pajtimin për asociacionin,  nga vetëvendosja, dhe jo vetëm nga ajo por edhe nga një pjesë e opozitës,  ishte shpallur tradhtare e interesave të Kosovës dhe ishte sulmuar me të gjitha mjetet e metodat, edhe nga ato të palejueshmet.

Sot jemi 10 vite më vonë.

Kanë ndryshuar raportet në nivel evropian e deri dikur edhe botëror.

Sot Serbia nuk është më nën akuza për krime lufte, gjenocid e krime kundër njerëzimit, por është një partner që e ka besimin e një pjese të madhe të politikanëve evropianë, madje edhe amerikanë, kuptohet në radhë të parë për interesat e tyre, me faktin se Serbia është Kali i Rusisë në Ballkan. Është Shteti xhandar të cilin Rusia dhe disa shtete të fuqishme evropiane e kanë krijuar e mbështetur  fuqishëm, si shtet xhandar të sllavëve të jugut në Ballkan. E tillë ka qenë Jugosllavia e Parë dhe e dytë, e tillë është sot Serbia.

Amerika dhe BE-ja e duan një Serbi për veten e tyre, mundësisht duke e ndarë  me shumë kujdes nga Rusia, së cilës me të drejtë i frikësohet BE-ja, sidomos në vitin e fundit pas invadimit të saj në Ukrainë.

Tani pozita e Serbisë është shumë më e avansuar, sidomos me taktikat e saj për të mos i këputur raportet me Rusinë jo se jo, por as me BE-në, ku pretendon të anëtarësohet.

Pozita e Kosovës, nuk është aspak më e fortë sesa ishte në vitin 2015.

Përkundrazi është më e dobët, sepse ka një Qeveri, e cila përpiqet të tregohet e fuqishme, në disa raste edhe shpërfillëse me partnerët ndërkombëtarë dhe me këtë  mënyrë veprimi  ka irrituar jo pak herë, aleatin numër një, Amerikën nën hijen e së cilës jemi për me shumë se 25 vjet.

Është shpresëdhënës fakti se Kurti tani e ka kuptuar fuqinë e tij politike, e ka kuptuar pozitën, në të cilën kishin ndodhur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në vitet 2013-2015, kur ishte arritur marrëveshja për Asociacionin.

Kryeneçësia dhe egoja e tij nuk e lë që të jetë realist dhe të pranojë hapur se nuk po arrin të jetë më i fortë në presione nga ndërkombëtarët, sesa të tjerët para tij, sepse ata i kishte shpallur tradhtarë, hajna, politikanë të korruptuar, të shitur e çka jo. Kjo është arsyeja pse Albin Kurti nuk i thërret arsyes së tij, tani kur e ka parë dhe është bindur se pretendimet dhe  imagjinata për të qenë i fortë, i dijshëm, më i miri dhe më trimi e më i guximshmi  nga të gjithë, janë vetëm dëshira, në disa raste edhe iluzione, por jo më shumë.

Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij e presin edhe shumë e shumë sfida, me që cilat do të përballet si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Fakti se ai është dorëzuar para faktorit ndërkombëtar, duke iu nënshtruar presionit politik, lë për të kuptuar se kjo nuk është as do të jetë e mjaftueshme. Nga Albini tani e tutje do të kërkohen edhe shumë kompromise, të cilat rrjedhin nga plani i pranuar i Brukselit.

Tani për tani, Kurti po merr frymë lirshëm, në radhë të parë duke mos kujtuar më asnjëherë se çka kishte thënë e çeka kishte premtuar, por duke iu rrekur metodës më të njohur për mbijetesë politike sikur është pragmatizmi, të cilin, aq shumë e kishte atakuar, por tani e ka përqafuar si një të mirë apo të keqe, pa të cilën nuk jetohet politikisht, as arrihen dot synimet për të qëndruar sa më shumë në pushtet.

Ç është e vërteta, këtë pragmatizmin durimtar e pacifist e kemi trashëguar që nga koha e Baba Dovletit me lepe-peqe, pastaj  në kohën e pushtimit serb e sllav me moljim lepo tash me jes okej.

Kryeministri, mbi të gjitha është njeri i kalkulimeve politike, me një fjalor të pasur e kreativ, me zotësi për të gjetur në të bardhën ndonjë pikë pak të zezë, por edhe në zezën diçka të bardhë, dhe me një disponim të veçantë për të manifestuar qëndresë e forcë, edhe atëherë kur realiteti është ndryshe.

Sa do të zgjasë kjo mbetet për t u parë, por data e 27 shkurtit, shënon pikën nga ku bën dot prapa, nëse dëshiron jetë të gjatë në pushtet.

Ahmet Qeriqi

  1. 2. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …