Në deklaratën e Qeverisë lidhur me zhvillimet e djeshme në Bruksel, thuhet: Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, zhvilloi takimin e gjashtë të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Para fillimit të takimit zyrtar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, kryeministri Kurti realizoi një takim me zëvendës-ndihmës-sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Me të bisedoi për pritjet nga takimi. Kryeministri e falënderoi z. Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut. Gjatë ditës, pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral. Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral u dakordua që teksti i propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do t’i fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Kontrolloni gjithashtu
Pleurat Sejdiu: Kosova ende pa një sistem shëndetësor funksional për shkak të moszbatimit të ligjeve
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka shprehur shqetësimin për mungesën e …