Pas zyrtarizimit të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, opinioni publik pati mundësi që ta shohë përmbajtjen e plotë dhe zyrtare të këtij propozimi.
Në tërësinë e tij, ky propozim jo vetëm që nuk e trajton drejt problematikën në mes të Kosovës dhe Serbisë, por shkon edhe më tutje: plani e komplikon dhe kështu e vështirëson edhe më shumë zgjidhjen e problemeve reale të mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, si për nga mënyra e trajtimit të pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe për faktin se propozon zgjerim të mëtutjeshëm të privilegjeve për serbët e Kosovës dhe forcon lidhjen legale të “komunitetit të vet-menaxhuar” me Serbinë. Ajo që shërben si mashtrim i madh, është pjesa e planit që flet për integrimet evropiane, duke e shmangur kërkesën për njohje të Kosovës nga Serbia në tërësi.
Për të qenë edhe më e rëndë pesha e dëmit nga plani, edhe në pikën 10 të planit, por sidomos me pjesën e aneksit të planit (ende jozyrtare), Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe! Është mjaft i çuditshëm dhe shumë i rrezikshëm fakti se kryeministri i Kosovës qenka pajtuar me këtë plan. Qytetarët me plot të drejt pyesin: ku mbetën 6 kushtet e kryeministrit tonë?! Ku mbeti njohja e Kosovës?! Ku mbeti reciprociteti në të drejta i veriut të Kosovës me Luginën?! Apo të gjitha këto janë vetëm për konsum të brendshëm e për manipulim të qytetarëve!?
Lëvizja për Bashkim është pa dyshimin më të vogël kundër miratimit të këtij plani. Ky plan, – së bashku me asociacionin dhe autonominë për serbët, të kamufluar në brendësi të planit, – paraqet një të keqe të madhe dhe afatgjatë për Kosovën.
Lëvizja për Bashkim,
Prishtinë, 1.3.2023