Demaçi kishte mendësi marksiste: Formimi politik i Bacës Adem nuk kishte as mendësi e as përmbajtje marksiste por qindpërqind kombëtare që vërehet në krijimtarinë e tij letrare, intervistat e shumta, esetë politike dhe paraqitjet tjera publike. Ishte çështje tjetër se shqiptarët, pavarësisht përcaktimit politik i kishin vetëm dy mundësi; për Josip Broz Titon ose për Enver Hoxhën. Titon e njihnim si gjakpirës dhe kriminel ndërsa Enver Hoxhën nga fjalimet. Në aspektet tjera për ne ishte i panjohur. Po ishe apo nuk ishe me Enver Hoxhën, gjykatat serbe dhe jugosllave automatikisht na dënonin si enveristë shkaku se dashurinë tonë për Shqipërinë e identifikonin me Enver Hoxhën. Dy herë jam dënuar politikisht 3 + 12 vjet dhe më kanë cilësuar si enveristë ndonëse kurrë nuk kam qenë enveristë por, thjesht një nacionalist i bindur dhe nuk kam qenë urryes i popujve tjerë. Për aq kohë sa kam qenë bashkë me Bacën Adem në llogorin në Stara Gradishkë (Kroaci) asnjëherë nuk e kam parë të ketë lexuar ndonjë literature leniniste apo komuniste dhe kurrë nuk e kam dëgjuar të ketë kënduar këngë apo marshe komuniste por gjithmonë këndonte për Ded Gjon Lulin, Mehmet Shpendin, Kamer Loshin sikur edhe këngë të vjetra qytetare dhe polifonike nga jugu. Serenatat korçare ishin shpirti i muzikës për Bacën ndërsa ka qenë njohës dhe adhurues i jashtëzakonshëm i muzikës klasike. Bacës Adem nuk i ka interesuar aspak ideologjia. Veprat e mëdha në fushën e artit, letërsisë, kultures, politikës, filozofisë, mjekësisë, astronomisë, gjeografisë dhe të tjera nuk janë krijuar nga intelektualë me tru të formatizuar për t’shërbyer okupatorit, sikur këta të Palit por ata që edhe përmes këtyre veprimeve kanë kontribuar për të mirën e njerëzimit dhe popullit që i takojnë, dhe, për ironi kryesisht sa ishin në izolim, syrgjynosje, dëbim nga vendlindja apo të arrestuar, që nga Epikteti, Seneka, Ciceroni, Sokrati, Platoni, Dostojevski, Sartri, Ezra Paund, Orhan Pamuk, Sallman Ruzhdi, Makiaveli, Dante Aligeri, Françesko Petrarka, mos a zgjasë listën, e deri te kolosët e mendimit filozofik dhe kombëtar shqiptar, Ukshin Hoti dhe Adem Demaçi. Ky i yti nuk bënë pjesë asgjëkundi ndonëse kishte aktivitet të bujshëm në proceset e diferencimit politik.
Demaçi, politikisht i lajthitur: Me këtë “diagnozë” prej një ndryshku njërëzor dhe moral, Pal Shtufi, e përmbyllë qarkun e parë, sigurisht edhe jo të fundit të urrejtjes patologjike dhe përpjekjes për zhvleftësim të veprimtarisë mbi 60 vjeçare kombëtare, politike dhe letrare të Bacës Adem, për ta hymnizuar Rugovën, një oportunist, i pavendosur dhe kundërshtar i çdo nisme për ta dinamizur lëvizjen kombëtare dhe politike të shqiptarëve dhe penguesi më i madh i luftës çlirimtare, deri në kohën kur, përmes Beogradit, në përcjellje të popave të “Shën Exhidios“ u strehua në Itali ku i garantohej siguria personale, familjare dhe shpurës që e përcillte e që ishte edhe qëllimi i tij. Herë e cilëson se ka mendësi marksiste, herë se është nacionalist i tërbuar dhe se çdo politikë e tij ishte e lajthitur duke e akuzuar thuaja si dëmtuesin më të madh të kombit dhe se asnjë këshillë politike nuk i paska qëndruar kohës. Harron qëndrimin dhe fjalët e Bacës Adem në gjykimin e parë që qindpërqind e parashikoi shkatërrimin e jugosllavisë, fjalimin e tij para Parlamentit Evropian gjatë ndarjes së Çmimit Saharov kur saktësisht parashikoi zhvillimet në Kosovë dhe Jugosllavi me një luftë të pashmangshme. Po të njëjtin parashikim i kishte thënë Sekretarit Bejker në Beograd ku ishte bashkë me presidentin e nënshtrimit dhe alter egon e Albinit, Veton Surroi. Ishte antologjik, nga këndi i parashikimit të zhvillimit të ngjarjeve gjatë duelit televiziv me Vuk Drashkoviqin. Parashikimet i kishte shumë të sakta edhe në takimet me Gellbart, Hollbruk, Olbrajt dhe Robin Kuk në Shkup. Dhe shumë të tjera. Të gjitha të zezat që iu kanë ndodhur shqiptarëve, Pal Shtrumfi ia adreson sakrifikuesit dhe luftëtarit më të bindur dhe maratonik për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, të Pavdekshmit dhe të Papërsësritshmit, Bacë Adem Demaçi. Ky far Shtrumfi thotë se Rugova ishte fati ynë i mirë dhe fat historik. Ia paftë hajrin, Ibrahim Rugovës para Kuvendit të Kosovës dhe Abraham Rugovës para Katedrales në Prishtinë. Ne, shokët, miqtë, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Bacës Adem jemi krenar që kemi jetuar në kohën e Bacës sikur që do të jenë krenarë pasardhësit tanë me kujtimin dhe veprën e Adem Demaçit, që do t’i qëndrojë çdo kohe. Juve ju, mbeten kujtimet për Rugovën në bronz dhe në gurë, si përmendore që do i kapë ndryshku dhe do të shemben kur të hapen dosjet e asaj kohe. Deri atëherë, ju që e urreni Bacën Adem dhe e hyjnizoni presidentin tuaj që, në fakt asnjëherë nuk e ka pasur faturën institucionale të presidentit por ka vepruar me profaturë sepse Kosova nuk kishte status të definuar dhe të pranuar politik, mund të merreni me veprat madhore politike të filozofisë rugoviane siç ishin, diferencimet politike që ua bënte kolegëve, duke filluar me Akademik Rexhep Qosen, shkrimet plotë dashuri dhe pasion për Josip Broz Titon dhe vulën e filozofisë politike rugoviane, apo himin politik në formë të një vjershe të shkurtër të quajtur Titos (Prej fushash e malesh, deri në bregdet ..,Të përshëndesim: Na qofsh’ me jetë! Tito – mësues, Tito – hero! Kanga për ty, po ndihet kudo). Në atë kohë, kur presidenti juaj shkruante këtë filozofi rugoviane, Adem Demaçi dhe shumë patriotë të tjerë ishte dhe ishin në llogoret e ish-Jugosllavisë, në kushte dhe rrethana nën çdo dinjitet njerëzor por se nuk u dorëzuan e as nuk u ligështuan asnjëherë! Edhe njeriu më i poshtër, më i ligë dhe më i ulët i vendos veti disa kufinj apo standarde të ligësisë dhe poshtërsisë nën të cilat nuk lëshohet. Në rastin e Bacës Adem, në përpjekje për ta diskredituar ulët e më ulët, Pal Shtufi i ka shlyer të gjithë kufinjtë, nuk ka njësi matëse që e mate ligësin e këtij injoranti dhe matrapazi.
Si përfundim, se si ishte trajtuar Baca Adem Demaçi, sa ishte në burg, sa ishte në liri, ditën kur kaloi në përjetësi dhe tani nuk keni përshkrim më të mirë se që e bëri Arbër Ahmeti më 26 korrik 2022 në Rikujtim “Popullit“! (Në katër vjetorin e përjetësimit të kolosit të rezistencës dhe çlirimit kombëtar, i propozoj popullit tonë të krijojë traditen e përvitshme të ngujimit në shtëpi në këtë ditë dhe të mos dalë fare jashtë saj. Kjo mbyllje le ta simbolizon turpin që i ka ra shoqërisë sonë për trajtimin, injorimin, mohimin, e kontributit dhe shpifjet që i kanë hedhur ndaj Bacës Adem prej kohës së burgut e deri ditën që ndërroi jetë. Kjo ditë e mbylljes nga turpi, le të bëhet ditë e reflektimit që atë përbuzje dhe baltosje që tentoi me i’ia ba Bacit, të mos i’a bëj edhe të tjerëve që kontribuan e sakrifikuan të gjitha për çlirimin e vendit). Pal Shtufi, ky shkrim i shkëlqyeshëm vlenë për njerëzit që kanë turp prandaj nuk ke nevojë të ngujohesh sepse je Nëna e Paturpësisë! (Epoka e Re)