Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, këtë të mërkurë është bërë hapja e shqyrtimit publik për “Hartën Zonale 2023-2030”. Në hapjen e shqyrtimit publik ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, drejtori i Urbanizimit Arbër Bytyqi, përfaqësues të Institutit “Insi”, drejtor të drejtorive komunale si dhe qytetarë të shumtë. Hapjen zyrtare të këtij shqyrtimi e ka bërë drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit Arbër Bytyqi, i cili ka thënë se dokumenti i hartës zonale është dokumenti më i rëndësishëm, pas Planit Zhvillimor Komunal. “Edhe përkundër vonesave që janë bërë me këtë plan, sot jemi në fazën përfundimtare të hapjes së shqyrtimit publik. Në këtë fazë parashihet dokument i hapur për të gjithë qytetaret e Ferizajt, nga data e sotme deri me datën 1 prill, ku të gjithë qytetarët e komunës sonë do të kenë mundësinë në të gjitha mënyrat t’i parashtrojnë, kërkesat dhe ankesat e tyre që lidhen me këtë dokument. Pas përfundimit të shqyrtimit publik, Komuna e Ferizajt e ka edhe komisionin për shqyrtim të kërkesave dhe ankesave, dhe ne afat prej 15 ditëve ne jemi të obliguar që të gjitha këto kërkesa që vine nga qytetarë t’i shqyrtojmë dhe të shikojmë bazën ligjore të këtyre kërkesave”, ka thënë drejtori Bytyqi. Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe Nënkryetari i Komunës së Ferizajt Lulzim Aliu. Ai ka thënë se ky dokument është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme për komunën tonë, por sipas tij, në këtë takim nuk po marrin pjesë drejtues të ministrisë, ku është e domosdoshme edhe pjesëmarrja e tyre ne shqyrtimin publik. Ndërsa Arber Sokoli nga Instituti “Insi”, ka thënë se dokumenti i hartës zonale, bazë ligjore ka Ligjin e Planifikimit Hapësinor dhe Udhëzimin Administrativ 8/2017. Menjëherë pas prezantimit, të këtij dokumenti vërejtjet e tij, i ka paraqitur Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu. Vërejtje pati edhe Nexhat Shahini nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Ai tha sa i përket Ligjit për Trashëgimi Kulturore Nr.02/L-88 personeli i angazhuar në hartimin e dokumentit, është munduar ta paraqesë Trashëgimin Kulturore në bazë të ligjit duke ju referuar neneve përkatëse, edhe pse jo me hapësirë të mjaftueshme dhe rëndësinë që ka kjo fushë në përgjithësi, pasi që në faqen e 22 të këtij dokumenti me disa rreshta përkufizon si tersi, por ajo që është brengosëse për ne si qendër regjionale, ka të bëjë me mos trajtimin e Ligjit Nr.03/L-039 për Zona të Veçanta të Mbrojtura, pasi që në komunën e Ferizajt kemi disa zona që është dashur të trajtohen. Edhe qytetarët e tjerë të pranishëm, kanë pasur vërejtjet e tyre për këtë dokument. Ndërsa drejtori i Urbanizimit Arbër Bytyqi, ka thënë se zyrtaret komunal do të merren me çdo ankesë dhe kërkesë që adresojnë për këtë dokument, e pastaj do të dërgohet për ministrinë e linjës. Shqyrtimi publik për hartën zonale do të jetë i hapur deri me datën 1 prill. Ku qytetarët vërejtjet e tyre mund ti japin çdo ditë punë nga ora 8 deri në orën 16:00, ose përmes e-mail adresave: [email protected], arbë[email protected] dhe [email protected].