leoni

Flet regjisori dhe aktori, Llesh Nikolla: Nuk harroj emocionet para Pirro Manit, Esat Oktrovës, Viktor Zhustit, Timo Fllokos, Dhimitër Anagnostit

Flet regjisori dhe aktori, Llesh Nikolla: Nuk harroj emocionet para Pirro Manit, Esat Oktrovës, Viktor Zhustit, Timo Fllokos, Dhimitër Anagnostit

Flet regjisori dhe aktori Llesh Nikolla: Nuk harroj emocionet para Pirro Manit, Esat Oktrovës, Viktor Zhustit, Timo Fllokos, Dhimitër Anagnostit

 Nga rolet e mia unë do veçoja rolin tek filmi “Dhimbja e dashurisë” një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos.

– Isha plot emocion kur realizova regjinë televizive për TVSH në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2009.

– Në jetën studentore nuk harroj kurrë pedagogët e mi Vera Zheji dhe Viktor Zhusti

-Në vite TVSH ka qenë një lokomotivë e fuqishme, por tashmë po ecën me marshin e parë

-Nga 10 rolet në film veçoj “Dhimbja e dashurisë”, një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos.

– Në TVSH nuk duhet të ketë vend për sekserë dhe matrapazë.

-Nga TVSH kanë dalë pesonalitete të të gjitha fushave.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Ai ka disa muaj që ka dalë në pension, por kurrsesi se quan veten pensionist. Ai punon me atë ritëm sikundër ishte regjisor pranë TVSH. Punëtor dhe i heshtur. Ecën në rrugët e Tiranës gjithmonë me këmbë duke tymosur, a thua se tymi i cigares i nxit më shumë mendimin në krijimtari. Askush që e shikon në këmbë ecjen e tij s’e merr me mend që ky njeri ka mbi vete, 10 role në kinematografi, 10 në teatër, regjisor dhe moderator i 170 Festivaleve Kombëtare të zhanrit popullor, 1500 orë transmetime spektaklesh dhe emisionesh në TVSH, autor i 50 dokumentarëve dhe më tej… Zëri i tij i metaltë, kumbues, i qartë, përbën një ndër vlerat artistike që ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve dhe drejtuesve të spektakleve ndaj, Lleshi nuk ka kohë për të qenë i lirë. Shtëpi të parë ka zyrën në TVSH, ku e gjen deri në mesnatë, ndërsa orë pushimi ka vetëm 6 orëshin e gjumit, në një shtëpi me qira në periferi të Tiranës. Serioz, korrekt, këmbëngulës, vizionar në 10 vjet punë në TVSH, atij i dhemb ky gjigand i gazetarisë fonike dhe vizive shqiptare, që ka shërbyer si “metalurgji” për gjithë televizionet dhe radiot e reja shqiptare post-komuniste, ndaj në këtë intervistë jep mendimet e tij për moderimin e tij…

-Keni disa muaj në pension. Si është ritmi i jetës dhe i punës tashmë për Lleshin? A ndiheni pesimist apo pa vëmendje prej personaliteteve të artit?

 

-(Qesh). Unë mbase kam dalë “De jure” por jo “De facto” në pension. Unë punoj me po atë ritëm, pasi kam shumë aktivitete, festivale, apo filma dokumentarë ku jam i ftuar si regjisor, aktor, apo edhe si moderator. Ndoshta më mungon drejtpërsëdrejti TVSH, por unë dhe me të jam në çdo hap të jetës, pasi bisedoj me shokët dhe shoqet, takohem, shkëmbej ide dhe mendime. Në art kush do nuk e njeh pensionin, pasi vitet janë thjesht një numër për një artist me objektiva.

–         Nëse vijmë në vitet e rinisë? Vite të vrullshme. Ju shkuat në konkurrim për në Akademinë e Arteve pas një sërë aktivitetesh masive në Mirditë, pra si aktor, drejtues aktivitetesh masive, edhe pse ishit i ri. Kush ishte në juri, kur ju konkurruat dhe çfarë interpretuat? Po emocionet?

Vitet e rinisë mbeten të arta, që i kujtoj me mall. Janë vite të tëra larg që më vijnë të freskëta. Unë vija dhe kisha një eksperiencë, por kur mendoja se kush do ishte në Juri emocionet të kapnin vetiu. Juria përbëhej nga Pirro Mani, Esat Oktrova, Viktor Zhusti, Timo Flloko, Dhimitër Anagnosti, etj. Emra të mëdhenj, përgjegjësi e madhe. Unë i shihja në filma këta njerëz dhe më dukeshin tjetër brum, të mëdhenj në heshtjen e punës së madhe. Ishin disa pjesë që unë interpretova, si poezi, tregimi humoristik, tregimi poetik, monolog. Kisha disa pjesë të ndryshme nga autorë kosovarë dhe vendas. Të gjitha këto pjesë kishin ngarkesat e tyre emocionale si pjesë plus dhe faktin se ishe përballë një Jurie tepër profesionale dhe serioze, që nuk bënte kompromis. Unë pas pak hezitimi në sekondat e para, hyra në magjinë e pjesëve duke u bërë një me të. Sigurisht fitova dhe isha ndër më të mirët. Gjatë shkollës kam luajtur disa role që nuk kanë lënë gjurmë në karrierën time, por dua të theksoj se vija nga trupat amatore me një bagazh të madh ku në shumë aktivitete në Mirditë kam luajtur role kryesore nga Etydi e me radhë. Shkolla nuk të jep talentin, por të jep rrugët. Shkolla është atmosferë. Të jep kulturën e përgjithshme dhe të jep bazat se ku duhet të ecësh në shinat e regjisë apo të aktorit.

–         Flitet shumë për shkollën shqiptare të aktrimit…Si do ta cilësonit shkollën shqiptare të aktrimit në regjimin komunist?

Shkolla jonë ishte nga më të mirat në Ballkan, me kërkesa të mirëpërcaktuara profesionale dhe me objekt të orientuar ndaj mësimit për studentët. Kishte orar të përcaktuar, por edhe ambiente ku studentët mund të studionin apo të bënin prova deri në mesnatë për rolet apo mësimet e mara. Kishte një organizim të përsosur. ishte një shkollë që të kultivonte dashurinë për artin, për të njohur të panjohurat e mëdha të këtij arti që mbërthen botën e qytetëruar.

Një Akademi ku ata që përbënin themelin ishin pedagogët. Si do t’i cilësonit pedagogët tuaj dhe cilët do të veçonit ndër ta?

Të gjithë pedagogët tanë ishin të lexuar, të ditur, plot surpriza. Ata dinin gjuhë të huaja dhe kishin studiuar jashtë. Por unë do përmendja pedagogun e fjalës artistike Viktor Zhustin dhe Vera Zhejin. Këta të dy për mua janë të papërsëritshëm. Në përgatitjen e recitimit të poezisë, Zhusti mbetet unik, largpamës, plot ide dhe me një komunikim mbresëlënës. Ai na jepte ato mënyra komunikimi se si duhej të mbërrinte në mënyrë të arrirë poezia tek spektatori. Nuk e di pse nuk vazhdon ende të jap mësim, por vazhdon ende më shumë në teatër! Nga ana tjetër Vera Zheji më ka ndihmuar shumë, pasi unë kisha një vokal të ngrohtë që ajo e vlerësonte. Vera punonte mbi baza shumë profesionale, sepse dinte të kapte të veçantat e çdo zëri. N. q. s do shikosh regjistrimet e mia të poezive në vitin 1981, do shikosh se nuk kam ndonjë ndryshim të madh, pra nuk do shikosh transformim drastik. Kultivimi i zërit si recitues, interpretues i poezisë ka dhe ndihmën e kësaj pedagogeje. i jam mirënjohës.

Koha ecën, ka zhvillime, transformime, tekste të reja, pedagog të rinj. Po sot shkolla e aktrimit a ka të njëjtin nivel?

Nuk e kam ndjekur, por besoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Por ajo që dua të them shikoj se sot ka një superprodhim të regjisorëve dhe aktorëve kur tregu ynë është shumë i ngushtë. Pra po krijohen “viktima” në thonjëza, pasi dihet tregu ynë sa mban. Ekuilibrat e prodhimit janë të domosdoshëm në një shoqëri me treg të hapur, pasi prishen balancat në kurriz të cilësisë.

Cili është roli i parë juaj në kinematografi dhe kush ju ofroj rolin?

Kur isha student kam lozur rolin e parë tek “Besa e kuqe” por nuk ishte ndonjë rol mbresëlënës. Një rol i vogël pa ndonjë ngarkesë të madhe. Nga rolet e mi unë do veçoja rolin tek filmi “Dhimbja e dashurisë” një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos. ishte një rol që befasoi dhe mua dhe kolegët pasi ishte ndryshe nga natyra ime. Por Pepo guxoi dhe më dha një plan tjetër që unë e kalova me sukses. Ky rol ka qenë dhe mbetet shtrati i roleve të mia kinematografike.

Ke ndonjë peng për ndonjë rol të veçantë?

Jo! Shumë herë pas viteve 1990 regjisorët, përzgjedhjen e roleve ja kanë lënë sipërfaqes se sa brendësisë. Aktori shpesh herë merret pa kinoprovë të rregullt dhe me baza njohjeje. Kjo mënyrë oferte është e dëmshme për të dyja palët.

Po në teatër, cilat ishin rolet që ndani ende emocione të veçanta?

Në teatër kam lozur deri në vitin 1992 në teatrin e Peshkopisë ku kam qenë regjisor dhe aktor. Kam disa role aty, por në ato kohë shumë gjëra dhe nuk filmoheshin. Unë në ato role veçoj rolet tek dramat “Shënomëni dhe mua’, “Pas martesës”, “Zjarrvënësit” “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur”. Por pas vitit 1992 unë u mora vetëm me spektaklet, pasi e tillë erdhi situata. Megjithatë, e ndiej se për teatër kam ende fuqi, kam emocion të brendshëm. Kam të gjithë potencialin emocional për ta ndërtuar një rol më së miri.

Si do ta cilësonit ndryshimin mes teatrit dhe filmit?

Teatri është arti i elitës. Jo se dhe filmi nuk është i tillë, por teatri, është live, me imazh të cunguar por me forcë emocionale të drejtpërdrejtë. Sot teatri ka marrë një formë tjetër, nga ana regjisoriale, rolet aktoreske, dhe përcjellja në skenë. Fuqia e teatrit është e madhe pasi nxjerr në të vërtetë fuqinë e interpretimit të aktorit. Ndërsa filmi ka më shumë imazh. Teatri emocionet i ka të fuqishme, të drejtpërdrejta, që do një përqendrim, intuitë, mobilizim maksimum. Teatri nuk lejon përmirësim.

Keni qenë për 15 vjet punë si regjisor spektaklesh dhe emisionesh në TVSH. Si do t’ia përcillnit lexuesit këtë përvojë?

Unë erdha në TVSH me plot dëshirë. TVSH ka regjinë skenike, atë televizive, ka dramën brenda. Çdo emision ka të veçantat e veta ndaj është dhe drama brenda. Çdo realizim skenik apo emision ka pikën e zgjidhjes, që ti duhet ta realizosh me profesionalizëm. Këtu duket aftësia e regjisorit. Si në dokumentar, telereportazh, në spektakle, gjatë montazhit duhet të gjendet kjo pikë për të përcjellë qartë mesazhin. Unë erdha me këtë synim në TVSH që të gjitha gjinitë e artit viziv t’i realizoja me këtë frymë, me këto ide. Gjatë këtyre 10 viteve unë kam jetën më të mirë artistike. Diku e cekëm se në TVSH unë kam 1500 orë transmetimi, nga këto rreth 40% janë direkt nga sheshet, studio apo ambiente të ndryshme. Kam rreth 50 filma dokumentarë apo reportazhe. Dokumentari sot është vepër artistike.

-Nga dokumentarët kë mund të veçosh për tematikën dhe vlerësimin nga kritika?

Janë disa që disa herë nuk më bëhet t’i veçoj, por sipas kritikës më të arrirë janë dokumentarët për “Besim Zekthi” dhe “Anton Çeta”, “Shkurte Fejza” etj.

Ju në filmat që keni realizuar jeni dhe skenarist?

Në përgjithësi të gjithë regjisorët janë dhe skenarist. Rrallë ndodh e ndarë. Është e vështirë bashkëpunimi skenarist-regjisor pasi regjisori e ka brenda tij veprën, idenë e realizmit, imazhin, mendimin, zhvillimin e situatave, figurën e personazhit, personazheve. Në këtë këndvështrim disa herë nuk mund të bashkohet qartazi koncepti i regjisorit me atë të skenaristit. Pra për mendimin tim, ose duhet të jesh bashkë skenarist, ose duhet ta realizosh vetë dhe këtë pjesë. Fjala është e vdekur pa imazhin, pa gjetje në dokumentar.

Spektaklet janë pjesë e pandarë e jetës suaj artistike. Përse keni këmbëngulur më shumë në këtë gjini arti?

Pas teatrit unë e kisha idenë e realizimit të spektakleve. Doja të përkushtohesha me të. Spektakli është një mrekulli pasi aty përmblidhen gjithë zhanret: aty është vallja, kostumet, veshjet e veçanta me zbukurime, koncerti fonik, veglat e shumta muzikore, janë kabatë, vallet e kënduara, muzika popullore, thesaret e popujve në shekuj, recitimet. Deri në moshën 30 vjeç nuk kisha dëgjuar shumë për muzikën dhe këngën e trashëguar popullore, për folklorin tonë të shenjtë që janë thesare të paimagjinueshme. Këtu u njoha me folkun e madh shqiptar duke filluar nga Presheva deri në Konispol. Gjeta dhe pashë nga afër shumë treva, këngëtarë, valle, në spektakle me mbi 1000 pjesëmarrës. Kur e mendoj se janë 130 spektakle me një pjesëmarrje të tillë nuk më besohet. Por do të veçoj dhe regjinë televizive që kam bërë në TVSH në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2009. Vlerat e këtyre spektakolare janë të magjishëm, plot frymë dhe ndjenjë patriotike. Këto janë prurje nga thesaret popullore. Folklori nuk ka autorësi, autori është populli. Folklori ka lindur pa autor. Folklori është i virgjër ndaj dhe pëlqehet. Kur e merr dhe vë dorë specialisti ahere ai humbet virgjërinë, por merr përmasa të tjera.

Tek këngët folklorike mbizotëron tematika patriotike?

Për shumë vite kanë mbizotëruar këngët patriotike, që lidhen me problemet e trojeve tona. Kjo lidhej kryesisht me Kosovën, e cila për shekuj ka qenë nën shtypjen serbe. Por tashmë tani këto këngë kur shumë probleme janë sheshuar, këngët më të kërkuara janë ato lirike. Folklori dramatik përcjell këngët patriotike, që mbizotërojnë në Labëri dhe Malësi.

Kaq vite në TVSH! Thuhet është zbehur ky gjigand, thuhet ka rënë audienca! Kush ka qenë për ju TVSH dhe çfarë duhet të ndryshojë këtu, në shtëpinë tuaj të parë?

Për 15 vjet unë TVSH e kam pasur, por edhe e kam shtëpi, e kam studio, e kam familje. TVSH është një lokomotivë gjigante, por që deri tani ka ecur me marshin e parë. Ka vite që nuk e merr ecjen e duhur për shumë arsye. Në TVSH për këtë gjendje ka fajtorë pa faj. Sot çdo gjë matet me shikueshmërinë. Ne sot kemi televizione private, që janë ndër më të mirat në Europën Juglindore, të cilat e kanë lënë në hije TVSH. Kush është arsyeja? Profesionalizmi, programi?! Dhe për çudi, të gjithë që drejtojnë emisionet në televizionet private shumë kanë dalë nga kjo shkollë e TVSH. Por nga ana tjetër e them me bindje se TVSH është në kohë që ta ndërrojë këtë marsh. Të ecë me marshin e dytë ose të tretë. Mundësitë janë të gjitha. Ju siguroj se, nëse ekipi i ri që ka ardhur do zbatojë Platformë profesionale do ta marrë veten. Profesionalizimi duhet shoqëruar me idealizëm. Ky idealizëm duhet shoqëruar me strukturë programore të mirë përcaktuar ku të mos ketë vend spontanitetit. Aty ku ka vend spontaniteti fillon dhe amatorizmi, ose fillon “biseda dyshe me tre vetë”. Reforma e re me strukturë organizative dhe programore të qartë do të thotë një vizion i ri, një përthithje e vlerave që ka TVSH. Këtu ka intelektualë që kanë punuar gjithë jetën dhe që kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme, që duan t’i vënë në shfrytëzim. Këtu ka mbingarkesë personeli që duhen përzgjedhur dhe shfrytëzuar në maksimum. Gjetja është shumë e thjeshtë. TVSH ka një masë, Ekranin. Sa është në transmetim?! Ky është produkti! Nuk ka punë pa produkt. Nuk duhet të abuzohet më në TVSH. Marrëdhëniet me të tretë duhen parë se sa e ndihmojnë TVSH. N. q. s mbarojnë rezervat tona vetëm ahere duhet të shikojmë marrëdhëniet me të tretët. Në TVSH nuk duhet të kenë vend matrapazët dhe sekserët artistik, por jo vetëm. Unë kam besim se, RTSH ka aftësi të marrë vendime në kohën dhe momentin e duhur.

Box           

Rrugëtimi artistik

-Aktor, regjisor, recitues. Regjisor i Teatrit Peshkopi me 8 premiera si regjisor dhe aktor në këtë teatër,1979. Regjisor i Qendrës Kombëtare artistike Tiranë, regjisor i TKOB. Regjisor i Departamentit të Spektakleve në TVSH 2006-2016. Regjisor i disa aktiviteteve masive:

-10 premiera si regjisor i Ansamblit të Shtetit.

-Regjisor i 130 festivaleve mbarëkombëtare, shumica e zhanrit popullor, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë. Regjisor i 30 spektakleve të ndryshme në Tiranë, Shkodër, Durrës, Prishtinë. Në 10 vjet regjisor në TVSH ka drejtuar 1500 orë transmetim direkt apo të filmuar në emisione në studio, transmetime aktivitetesh masive, dokumentar, telereportazhe. Ndër telereportazhe dhe filmat dokumentarë mund të përmenden “Telereportazh në Beograd” dhe dokuemtarët “Besim Zekthi” dhe “Anton Çeta”. 10 role në filma dhe 10 role në teatër. Ndër rolet kryesorë mund të përmendim ato në filmat “Guri i besës”, “Besa e kuqe”, “Letra fatale”, “Dhimbja e dashurisë” -serial televiziv. Por ai nuk mund të rrinte pa hyrë dhe në labirintet e klipeve ku ai ka ideuar si regjisor 10 të tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …