Sot kur perkujtohen deshmoret e kombit, kur gjithe kombi shqiptar perkulet para varreve te heronjeve dhe familjës Jashari. Te gjithe duan te marrin pak lavdata e te krenohen qe jane bije te kombit shqiptar, e para varreve te tyre ndihen aq te vegjel, kur e din që as nje guri s’kanë levizur per Çlirim as per atdhe.
Po jap disa te dhena per ata qe thirren si luftetarët e parë të UÇK-së, duke respektuar kontributin e secilit që ka dhëne ne forma tjera. Por asnjehere nuk ishin ushtarë të UÇK – së e me pushkë ne dorë.
Përgatitjet për luftë, mund te thuhet filluan me 1991 kur edhe u zhvilluan stërvitjet e para për luftë në Surrel të Shqipërisë, nga disa vullnetare nga te gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi, deri në ditën e sotme, është folur e përfolur e shkruar.
Por sa herë që shkruhet për ato ditë, harrojnë ata të cilët mundohen të shtrembërojnë të vërtetën, duke e ditur se e vërteta sado e hidhur të jetë ajo dhemb gjithmonë, e ne patëm fatin e mirë të jemi pjesë e atyre stërvitjeve.
Por, ka nga ata që shkruajnë, duke u përpjekur të marrin atributet e atyre vullnetarëve, duke ia lenë meritat individëve apo grupeve te caktuara.
Ishin fillim vitet 90, kur në ish – Jugosllavi filloi ose po fillonte shpërbërja e asaj krijese që ishte krijuar duke mohuar të drejtat e shqiptarëve duke ndarë shqiptarët në disa republika përfshirë edhe krahinën autonome të Kosovës, së cilës edhe ato pak te drejta kushtetuese që kishte ju patën suprimuar në fund vitet e 80-ta. Kështu që disa deputet të Kuvendit të Kosovës miratuan një deklaratë, miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb. Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe. Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës e njohur si KUSHTETUTA E KAÇANIKUT, dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë. E gjithë kjo solli pasoja për delegatët të cilët ikën nga Kosova dhe u krijua nevoja që të organizoheshin me një qeveri ne ekzil. Si forcë politike ishte LDK-ja, që nuk ishte aso kohe vetëm forcë politike por ishte lëvizje kombëtare brenda Kosovës legalisht e regjistruar, që udhëhiqej nga Dr. Ibrahim Rugova. Siç e ceka me larte, po përgatitej një shpërbërje e ish Jugosllavisë, udhëheqja e Kosovës aso kohe me qeverinë ne ekzil pas shumë përpjekjeve (sipas informatave nga ata që punuan aso kohe jashtë Kosove), u akorduan që të krijohet një “front” i përbashkët dhe ne marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë , President në atë kohë ishte Ramiz Alia, u pajtuan që të fillojnë përgatitjet ushtarake për një luftë të pa shmangshme që po i kanosej edhe Kosovës.
Në atë kohë, në këto përgatitje ishte paraparë të stërviteshin njerëz( djem) të besuar nga Kosova dhe viset tjera. Vendi ishte caktuar, në Tiranë baza e Surrelit. I gjithë problemi ishte kush do merrte përsipër t’i gjente ata djem, nga të gjitha trevat.
Në Llap ishte koordinator Imer Berisha me disa nga djemtë e familjes se vet e veçanërisht vlen te përmendet kontributi i Isa Berishës. Pastaj ishin ne mërgim kryesisht në Zvicër edhe Ismet Abdullahu, Gani Hoxha , Zymer Berisha te cilët më vone ishin mbështetje logjistike për grupet e djemve që po shkonin në stërvitje. Imer Berisha sipas informatave të konfirmuara kishte miqësi të ngushtë edhe me familjen Jashari nga Prekazi.
Unë nuk do ndalem në kontribuuesit tjerë me të cilët s’kam pasur asnjë kontakt por vetëm me ata që kam pasur kontakt dhe me të cilët kemi punuar. Në fillim të muajit nëntor 91 ,nga llapi ishin të gatshëm për atë rrugë Zahir Pajaziti(hero), Ahmet Zeqiri, Ajet Shala, Arsim Hamiti, Islam Visoka dhe Fadil Begu.
Shkuarja për drejtim Tiranës, nuk ishte e njëjtë për secilin grup kishte itinerare të ndryshme. Nga grupi i Llapit së bashku janë nisur me aeroplan nga aeroporti i Prishtinës-për Cyrih ,( Zahir Pajaziti, Arsim Hamiti, unë( Fadil Begu) , grupet tjera kanë ardhur në vija të ndryshme. Ne të tre pas dy tri ditësh qëndrimi në Lucern ne shtëpinë e Ismet Abdullahut, me vetura jemi nisur për Itali , ku jemi takuar (grumbulluar ) në Trieste të Italisë të gjithë 54-veta. Nga aty me Traget kemi vazhduar udhëtimin Trieste-Bari-Durrës. Me datën 1 tetor 1991, jemi vendosur në bazën e Surrelit, stërvitjet kane zgjatur rreth 30 ditë . Oficerët shqiptare që na stërvitën na pritën me admirim, kushtet ishin tepër te vështira ushqimi aspak i mirë, kushtet higjienike jo në nivel, por vendosmëria e të gjithë djemve dhe oficerëve ishte që në ato kushte të mësoheshin të gjitha armët dhe taktikat e luftës guerile si dhe luftës se afërt “Skampiste”, baza ishte e izoluar pasi që ato stërvitje duhej te ishin të fshehta, pas përfundimit të stërvitjeve na është kërkuar te futemi me armatim përmes kufirit në Kosovë.
Nga 54 vetë që ishim, vetëm 18 veta kishin pranuar të hynin nga kufiri në drejtim të Kosovës, kështu që për momentin u anullua si ide.
Të gjithë u kthyen përmes targetit Durrës-Bari, nga aty po ata njerëz të logjistikës na morën shumicën e na transferuan në Zvicër, prej aty u kthyem në Kosovë e shumica mbeti në mërgim. Gati e njëjta histori ishte edhe për grupin e dytë, me përjashtim që nga grupi i dytë u futën në Kosovë me armatim 33-veta në mesin e tyre edhe Adem Jashari, Ilaz Kodra e Sali Çeku.
Këtë përshkrim që po bëj sot , është për te ju treguar se sa i kushtoj ky organizim Kosovës, jo vetëm me të holla , por edhe me vuajtje për ata që mbetën në Kosovë dhe familjet e tyre. Më 15 Nëntor 1991 grupi i dytë i përfundon stërvitjet, më 2 dhjetor futen ne Kosovë.
Menjëherë pas 10 ditësh, fillon ndjekja e tyre në gjithë rajonet. Më 30 dhjetor sulmohet familja e Shaban Jasharit, aty mund të thuhet se filloj rezistenca e armatosur nga njerëzit e përgatitur për ketë qëllim.
Arrestohen plot djem disa arrijnë të ikin jashtë Kosove, disa nuk ikën kurrë deri sa ranë ne fushën e nderit, e disa deri u çlirua Kosova.
Organet e sigurimit Serb kishin emrat e 33 djemve që kaluan kufirin me armatim, kush i zbuloj këta burra…? Kah erdhi ajo listë në duart e sigurimit serb…?
Nëpër perëndim kërkonin azil “trimat” qe u stërvitën dhe deklaratat e tyre ishin si “bilbili” kur këndon duke treguar arsyen dhe duke dekonspiruar planet dhe shokët që kishin mbetur brenda.
Askënd nuk do ta akuzoja pse ka ik ato ditë, por pse u dekonspirua krejt rruga dhe mundi , u rrezikua gjithçka, u rrezikuam ne që mbetëm brenda. Deri në fillim 1995 asnjë ndihmë më nuk erdhi për ne që mbetem brenda, edhe pse ne pa marr parasysh a na përkrahnin tash te njëjtat institucione apo jo djemtë më të mirë dhe më trima kryenin detyrat e tyre.
Në Drenicë Adem Jashari me shokë, në Llap Zahir Pajaziti me shokë, në dukagjin Adrian Krasniqi me shokë.
Tashmë në Kosovë po vepronin grupet e para guerile dhe në ballë të tyre ishin kolosët Adem Jashari e Zahir Pajaziti. Duke parë se të gjitha grupeve të interesit po ju del nga kontrolli situata, të gjithë filluan të organizoheshin se kush do merr meritat për aksionet e këtyre djemve. Filluan fonde mbi fonde por djemtë në Kosove merrnin para nga buka e familjes për të mbijetuar. S’binin asnjë natë gjumë ne shtëpitë e tyre.
Po kthehem prap te angazhimi i më tutjeshëm në lufte, nga dy grupet e Llapit që u stërvitën, në luftën e UÇK-së, morën pjese vetëm Ahmet Zeqiri dhe Fadil Begu ( pa përmendur Komandantin Zahir Pajaziti), nga Prishtina (të dy grupet) vetëm Shaip Haziri, për regjionet tjera do të flasin të tjerët por bazuar në këtë përqindje del se nga 108 veta sa u stërvitëm dhe u shpenzua arka e varfër e shtetit atë obligim kombëtar e kryen jo më shume se 20-30 veta. UÇK-në, kush e pagëzoj, kush e nisi apo kush e bitisi janë fjale pa mbështetje.
UÇK është themeluar nga gjaku Kolosëve të saj (Adem Jashari, Zahir Pajaziti) dhe gjithë dëshmorëve dhe heronjve të saj.
Është koha që të shkruhet historia e faktuar sepse ne të gjallët ende e kemi në memorjen tonë të freskët realitetin e asaj kohe, te vdekurit s’flasin ata kanë folur për mes gjakut të tyre, t’i lemë të qetë ata. Ata janë te qete vetëm nëse ne jemi te bashkuar, nëse punojmë fortë në ndërtimin e shtetit tone, nëse institucionet i kryejnë detyrat e veta, e qytetarët punojnë shumë që të mos jenë barrë a askujt. Respekt secilit shqiptar që në një formë apo tjetër ka kontribuar në çlirimin e Kosovës.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit
Marr nga shkrimi autorial Dhjetor 2021
Fadil Begu
Mars 2023-Prishtinë
Autori i këtij shkrimi është njeri nga bashkëthemeluesit e UÇK-së, bashkëpunëtori i ngushtë i komandant Zahir Pajazitit , dhe pjesëmarrës aktiv nga fillim deri ne fund ne luftën e UCK-së.