Sot iu ka dhënë lamtumira e fundit, ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranit, Agron Haradinaj Agroni si i ri ishte i burgosur, ai është vëllau i Nasim Haradinajt dhe djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ismajl Haradinaj. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se Agronit i është dhënë lamtumira edhe në emër të Nasim Haradinajt, i cili po mbahet në Hagë. “Sot i dhamë lamtumirën e fundit Agronit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Agronit i tham lamtumirë edhe në emër të Nasimit, i cili ende vazhdon të jetë në burg. Qoftë i paharruar kujtimi për ty!”, ka shkruar Ramosaj.
Postimi i plotë i Ramosajt:
Në errësirë ku nuk shihej dritë, kishte burra e gra që e mbajtën shpresën gjallë për të pasur rreze dielli mbi këtë vend. Përfaqësuesi më tipik i kësaj shprese ishte Ismajl Haradinaj dhe bashkudhëtarët e tij. Sot nderuam Agronin e bacës Ismajl, i burgosur si 16 vjeçar. Sot kujtuam e nderuam Agronin, pjesëtarin e familjes më të persekutuar shqiptare. Sot i dhamë lamtumirën e fundit Agronit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Agronit i tham lamtumirë edhe në emër të Nasimit, i cili ende vazhdon të jetë në burg. Qoftë i paharruar kujtimi për ty, Agron! Lavdi!