Fshati Nekoc i Drenasit, luftës së UÇK-së i ka dhënë tre dëshmorë: Azem Kastratin Hysni Murselin, Gani Kastratin si dhe 14 martirë: Danush dhe Zela Murseli prindërit e dëshmorit, Hysni Murseli, pastaj Shaban Gashi, Nebih Çelaj, Islam Kastrati, Brahim Kastrati, Fatmir Kastrati, Ahmet Syla, Skënder Rrusta, Hanë Zekaj, Hajriz Gashi, Imer Plakiqi, Ramadan Rrusta dhe Imer Rrusta.
Në epokën e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimat e trimëreshat e fshatit Nekoc të Drenicës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.
Kushtrimit të armëve çlirimtare të Adem Jasharit më 5 mars 1998, me rastin e qëndresës së tij titanike kundër okupatorit serb, iu përgjigjën shumë luftëtarë nga mbarë Drenica.
Azem Hamit Kastrati lindi me 30 mars të vitit 1958, në një familje të varfër drenicase, por të njohur për besë e atdhetari.
Mësimet fillestare i mori në vendlindjen e tij në Nekoc, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Drenas (ish – Gllogoc).
Për shkak të kushteve të rënda ekzistenciale, Azemi nuk e ndoqi më tej shkollimin, por filloi të punojë për të ngritur familjen e tij me shumë anëtarë. Fillimisht ka punuar punë fizike në Maqedoni, në Rozhajë të Malit të Zi, e më vonë së bashku me disa shokë të tjerë të Drenicës shkoi për të punuar në Kroaci. Duke qenë se shqiptarët kudo në viset e Jugosllavisë konsideroheshin si të huaj dhe qytetarë të padëshirueshëm, Azemi përmes disa lidhjeve me shokë arrin që nga Kroacia të shkojë në Gjermani. Gjatë kohës sa punoi në mërgim, prej vitit 1990 deri në vitin 1995, ai ndihmon familjen duke përballuar kërkesat elementare në ushqim e veshmbathje.
Me rastin e shpërthimit të luftës në Drenicë, Azem Kastrati, ashtu sikurse edhe shumë liridashës anembanë Drenicës, tregon gatishmëri për t’i dalë zot atdheut me syrin në shënjestër të pushkës.
Në maj të vitit 1998, në fshatin Nekoc krijohet pika e parë luftarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e militantëve të parë shquheshin: Gani Kastrati, i njohur me emrin e luftës “Muxhahedini”, Azem Kastrati, Ilir Dugolli, Gafurr Dugolli, Ismet Hoxha, Elmie Plakiqi e dhjetëra trima të tjerë çlirimtarë.
Me rastin e zënies së Grykës së Carralevës, më 14 qershor të vitit 1998, Azem Kastrati, Gani Kastrati, Gafurr Dugolli, Ismet Hoxha e luftëtarë të tjerë të fshatit Nekovc shkojnë në përforcimin e pozicioneve. Asokohe Azemi sistemohet në grupin luftarak të Krojmirit, ku shquheshin luftëtarët e dalluar të radhëve të para të luftës çlirimtare si: Jetë Hasani, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Milaim Beha, Dalip Durmishi, Naim Rizani, Halil Olluri e shumë të tjerë.
Azemi ishte burrë shtathedhur. Kishte konstrukt të fuqishëm fizik dhe dallohej në mesin e shokëve për maturi, korrektësi në veprime dhe vigjilencë.
Gjatë luftimeve në Carralevë dhe në Zborc, gjithnjë ishte në grupin luftarak ku bënin pjesë Sylë Qeriqi, Jetë Hasani, Ajvaz Korpuzi, Haxhi Nishori, Ali Gashi e luftëtarë të tjerë çlirimtarë.
Ai, ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Zborc, Carralevë, Fushticë, Blinajë, Grykë të Llapushnikut dhe kudo në pozicionet e luftës çlirimtare në Drenicën Jugore.
Gjatë ofensivave të korrikut dhe të gushtit 1998, ai lufton në mbrojtje të istikameve të luftës çlirimtare, në Zborc dhe në Blinajë, me ç’rast bie dëshmorë Ruzhdi Salihu dhe plagosen pesë luftëtarë të tjerë të UÇK-së.
Gjatë tërë kohës së luftës, familja e ngushtë e Azemit, nëna, bashkëshortja, bijat dhe djali kanë qëndruar në mesin e popullatës së zhvendosur në grykat e maleve të fshatit Nekoc.
Në shkurt të vitit 1999, ushtaraku Elez Durmishi, komandant i Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” me urdhër të Komandantit të Zonës së Pashtrikut, luftëtarit të mirënjohur Tahir Sinani, fillon përforcimet tokësore në pikën strategjike të Zborcit.
Azem Kastrati me disa luftëtarë bëhet mburoja më e sigurt e pozicioneve në Blinajë, ku armiku kishte filluar dislokimin e trupave.
Asokohe nëpër Zborc kalonte edhe vija e vetme e furnizimit me ushqime për luftëtarët e Drenicës dhe për popullatën civile. Për shkak të rëndësisë së shumëfishtë strategjike të pozicioneve në Zborc, atje qëndronte gjithnjë i pathyeshëm Azem Kastrati, pastaj Xhavit Kozhani dhe luftëtarët e sprovuar si komandanti i togut Naim Ismajli, Selatin Rizani, Ajvaz Korpuzi, ushtar Kuçedra e shumë të tjerë.
Pas intervenimit të Aleancës ushtarake Veriatlantike kundër Jugosllavisë, forcat okupatore tërhiqen nga disa pozicione dhe futen në kompleksin pyjor të Blinajës. Vendosja e forcave serbe në ato pika strategjike bëhej me qëllim të maskimit të fuqisë ushtarake si dhe me qëllim të vënies në rrethim të grykave malore të Rrafshnaltës së Berishës, ku asokohe kishin gjetur strehë më shumë se 80 mijë të zhvendosur nga fshatrat e Drenicës dhe nga fshatra të tjera të Drenicës e të Rrafshit të Kosovës, kryesisht familje të luftëtarëve.
Përpjekjet e forcave të këmbësorisë armike për ta marrë nën kontroll territorin e Blinajës nuk kanë reshtur deri në fund të luftës.
Në mbrojtje të pozicioneve çlirimtare në Blinajë, në vendin e quajtur Te Rrasat, më 22 maj 1999, bie trimërisht Halil Metaj nga Krojmiri, ndërsa më 27 maj bie trimërisht në Zborc, luftëtari Xhavit Kozhani, nga Ribari i Madh.
Më 3 qershor, Azem Kastrati me shumë bashkëluftëtarë ndodhej duke vëzhguar lëvizjet e armikut. Duke depërtuar thellë në pikat e vëzhgimit, në fshatin Zborc, ku ruhej edhe korridori për ndihma dhe ushqime që vinin nga popullata e fshatrave të Shtimes, Lipjanit, Ferizajt etj. për të zhvendosurit në Grykën e Krojmirit dhe në grykat e fshatrave të tjera, Azemi me luftëtarin Nazmi Dauti nga fshati Zborc ndeshet ballë për ballë me një njësit këmbësorie të armikut.
Pas shkëmbimit të ashpër të zjarrit, në fushën e nderit, në altar të Atdheut, në pyjet e Zborcit, bie luftëtari i shquar i lirisë, Azem Kastrati, ndërsa plagoset bashkëluftëtari i tij Nazmi Dauti.
Trupin e dëshmorit Azem Kastrati e tërheqin Halim Zogaj nga Fshati i Ri dhe Avdyl Shaqiri e Agron Kurtaj nga Caaraleva. Po atë ditë, me nderime ushtarake trupi i dëshmorit Azem Kastrati varroset në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Kleçkë.
Azem Kastrati ka lënë bashkëshorten, Eminen, djalin,Musanë, bijat: Mirveten, Sherifen, Burbuqen, Ibadeten, Qëndresën dhe Mërgimen, vëllezërit Milaimin e Mujën si dhe motrat: Fetijen, Zelfijen, Shefkijen dhe Nexhmijen.
Famlja e dëshmorit Azem Kastrati ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Drenasit.
Pllaka përkujtimore është ngritur në oborrin e shkollës së fshatit bashkë me dëshmorët e martirët e këtij fshati heroik të Drenicës. (A. Q.)