Ahmet Qeriqi: Një libër për një jetë me vlera njohëse, arsimore, pedagogjike, filozofike e shoqërore

Ahmet Qeriqi: Një libër për një jetë me vlera njohëse, arsimore, pedagogjike, filozofike e shoqërore

(Me rastin e daljes në dritë të veprës: “Rruga e jetës sime”, libër i  autorit Xhemal Pllana)

Libri i veteranit të arsimit, profesorit të gjuhës shqipe dhe pedagogut, Xhemal Pllana,  “Rruga e jetës sime”, është një vepër dokumentare publicistike, autobiografike, e një rëndësie të veçantë për arsimin në vend, sepse në disa segmente trajton kohën prej viteve  të para të arsimit shqip në Kosovë, në vitin 1941, në kohën e regjimit italo-shqiptar dhe vazhdon me hapjen dhe punën e shkollave shqipe në kohën e regjimit të ish-RSFJ-së, nën të cilën përdhunshëm kishte mbetur Kosova  me vise, deri në çlirimin e saj në vitin 1999.

Profesor, Xhemal Pllana, i cili në këtë vit arrin në  90 vitet e jetës së tij, është emër i njohuri i shkollës shqipe, duke qenë mësues, që në  vitet e para të arsimit shqip, kur populli i shumëvuajtur dhe shoqëria  aq shumë kishin  nevojë për mësues, e deri në kohën kur kishte dalë në pension, duke ia falur arsimit dhe shkollës shqipe 38 vjet punë aktive, në shkolla të ndryshme të mesme të Kosovës, si në Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan dhe në Prishtinë.

Autori i këtij libri, Xhemal Pllana, është një intelektual me një kredo të fortë të idealistit, që i ka përballuar të gjitha furtunat e pritura dhe të papritura të jetës, duke mos u pajtuar kurrë me të padrejtën, duke luftuar të keqen kudo ku iu  kishte paraqitur dhe kudo ku ia kishte zënë rrugën, duke mos u përkulur kurrë dhe në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, para pushtetarëve mujsharë e shfrytëzues,   por duke jetuar një jetë të tërë dhe  duke  qëndruar  gjithnjë stoikisht e  vertikalisht, i pathyeshëm, i paepur, qëndrestar e atdhetar, arsimues dhe besimtar i madh në të drejtën, në të vërtetën, në atë të drejtën që qëndron në ballë të universit, ashtu  sikur thoshte, Frederiku i Madh.

Shembulli jetësor i Xhemal Pllanës është sui generis, me të veçantat e jetës, punës dhe veprës së tij. Është e lehtë të gjesh edhe mijëra arsimtarë që kanë bërë po aq stazh të mësimdhënësit të përkushtuar në jetë, por është shumë e vështirë të gjesh një fenomen të veçantë, një të dytë e të tretë, sikur është Xhemal Pllana, pasi në kredon e tij intelektuale kishte përvetësuar vetëm virtyte, në radhë të parë duke i trashëguar nga familja patriarkale, atdhetare e morale, por edhe duke i vjelë nga filozofët, shkrimtarët, shkencëtarët e dijetarët me veprat e të cilëve  është njohur gjatë studimeve dhe gjatë punës së gjatë në arsim.

Rruga në jetë dhe në punë e Xhemal Pllanës, karakterizohet në radhë të parë nga përgjegjësia e tij, me të cilën ishte edukuar e me kohë edhe ishte arsimuar, përkushtimi dhe përpjekja për t’ i arsimuar  sa më mirë, sa më shumë dhe sa më drejtë brezat e nxënësve, të cilët kurrë nuk e kanë harruar mësuesin, mësimdhënësin e profesorin, Xhemal Pllana, pasi u ka bërë përshtypje më shumë se arsimtarët e tjerë, sepse ai vazhdimisht kishte dhënë shembullin personal të  njeriut të drejtë, i cili ashtu si thotë edhe vepron dhe nuk i bie ndesh jeta me veprat, pasi mjerisht ka shumë më tepër nga ata që ndryshe të mësojnë, e ndryshe veprojnë.

Libri, “Rruga e jetës sime”, kryesisht është vepër jetëshkruese, e shkruar dhe e  shprehur në vetën e parë, por vepër e  mbushur me ngjarje e ndodhi, ndër më të ndryshmet, e mbështetur me fakte, dëshmi e argumente gjatë tërë jetës, një jetë e rëndë në robëri, por edhe një qëndresë shembullore për mbijetesë, përballë çdo përpjekjeje për ta mposhtur e për ta nënshtruar.

Analiza që i ka bërë jetës së tij në familje, rrethit të ngushte  e të gjerë shoqëror,  shokëve të klasës, të shkollës e të studimeve, kolegëve e të njohurve, drejtorëve e subjekteve qeveritare  dhe të gjithë atyre me të cilët është takuar në jetë, janë skena, fragmente e rrëfime të cilat veprës i japin dimensionin krijues letrar, duke e zgjeruar si në tematikë e në përmbajtje, ashtu edhe në përshkrimin e sa e sa personazheve jo të imagjinuara e të koduara, por emra e mbiemra njerëzish,  me të cilët ka pasur të bëjë në jetë.

Në këtë shtrirje të përmbajtjes së veprës, autori, Xhemal Pllana ka arritur të përmbarojë dhe ta lë trashëgim për brezat një vepër jetësore, ka arritur të nxjerrë në dritë tërë rrugët e shumta të jetës së tij, në rrugën kryesore, atë që e ka jetuar dhe po e jeton, me një vitalitet të pashoq për moshën.

Edhe pse vepra është dokumentare, biografike, ajo është zgjeruar në kohë dhe hapësirë, me shumë ngjarje e ndodhi reale të jetës dhe  është begatuar, duke sjellë shembuj të shumtë të kujtimeve e rrëfimeve personale, që nga fëmijëria, lindur dhe rritur  në një familje atdhetare të përndjekur dhe të keqtrajtuar nga regjimi, pastaj rrëfime e kujtime nga koha e shkollimit,  studimeve, punës në arsim e të tjera.

E veçanta e këtij libri është vetë jeta stoike e vertikale e autorit, kurdoherë në ballafaqim me botën tjetër, është lufta e së mirës kundër së ligës, lufta kundër hipokrizisë e servilizmit, lufta në mbrojtje të së drejtës dhe së vërtetës, lufta kurdoherë e pabarabartë, por ngadhënjimtare, sepse nuk thuhet kot se e drejta mënon e vonon, por nuk harron.

Duke qenë i pajisur dhe i edukuar mbi principet universale të së drejtës dhe së vërtetës dhe duke iu besuar atyre si shtylla qendrore dhe të domosdoshme të jetës së organizuar shoqërore, Xhemal Pllana ka ndërtuar egon, dinjitetin dhe individualitetin e tij jetësor, jo duke e tepruar në të drejtën e tij, jo duke e menduar vetën se është i pagabueshëm, por thjeshtë duke vënë në dukje se e bardha dhe zeza nuk janë e njëjta, se e vërteta e gënjeshtra nuk janë të njëjta, ashtu sikur nuk janë premtimi e mashtrimi.

Autori i kësaj vepre, për hir të zbulimit dhe zbardhjes  së të vërtetave, sa e sa herë të dëshmuara, të përjetuara  dhe të argumentuara,  nuk ka kursyer askënd, duke filluar nga të afërmit, të njohurit, miqtë e  kolegët e punës e të gjithë ata, me të cilët është ballafaquar në rrugën e jetës së tij, jo për t’ i diskredituar, jo për t’ i  satanizuar, por për të rrëfyer të vërtetat, për nxjerrjen në dritë të tyre, në mbrojtjen e parimeve, principeve, në shumë raste për ta mbrojtur veten nga trillimet e intrigat, me të cilat ka qenë i ballafaquar, sidomos gjatë punës 38-vjeçare në arsim, ku ka punuar me një përkushtim të veçantë prej idealisti, i cili ia di vlerën arsimimit të kombit dhe nuk kursen asgjë për të mirën e përgjithshme.

Lexuesit e vëmendshëm të këtij libri, duke u ballafaquar me fakte, dëshmi, e argumente që sjellë autori, arrin të kuptojë se sa e vështirë është jeta e njeriut të drejtë, se sa e vështirë ka qenë dhe është të jetosh në një shoqëri të proklamuar si të drejtë e të barabartë, ndërsa në realitet është  e kundërta e saj.

Autori, në këtë libër  i ka dhënë vetës të drejtë të përmend emra konkretë njerëzish, ngjarje e ndodhi konkrete, të përjetuara, të faktuara e të argumentuara në të gjitha segmentet, jo vetëm për një katarzë shpirtërore, por thjesht duke e njoftuar lexuesin me të vërtetat, jo vetëm të jetës së tij por edhe të sa e sa të tjerëve. Krejt kjo është shkruar  me qëllim edukimi dhe jo diskreditimi, sepse duke mësuar nga shembujt e këqij, nuk i përsërisim, ashtu sikur duke mësuar për mënyrën sesi njeriu edhe krejt i vetëm, mund të ngadhënjejë në të drejtën e tij, të gjitha këto na bëjnë të fitojmë shpresë e siguri në jetë.

Libri i autorit, Xhemal Pllana, “Rruga e jetës sime”,  është një pasqyrë besnike e ngjarjeve shoqërore që kanë ndodhur në Kosovë përgjithësisht, në gjysmën e dytë të shekullit XX, pastaj rrëfime e ngjarje të segmentuara e të ndërlidhura në një kohë e hapësirë të caktuar, individuale, familjare, shoqërore, të cilat janë manifestuar në të gjitha kontradiktat shoqërore, me të cilat ka qenë dhe është e mbushur jeta…

Si i tillë, ky libër është i veçantë dhe vështirë i përsëritshëm, sepse nuk është thjesht një biografi, nuk është thjesht në kundrim subjektiv i një realiteti të përjetuar për vetën e vet, i kumtuar në vetën e parë, por duke u nisur nga vetja dhe qëndrimi i tij,  ai pasqyron një botë të tërë, botën tjetër që e rrethon dhe së cilës, dashur pa dashur edhe  i takon.

Ky raport i individit në familje dhe në shoqëri, është përshkruar në shumë dimensione, në  rrugë e shtigje jete nëpër të cilat ka kaluar autori, me krejt ata që i ka njohur dhe e kanë njohur, me të mirat e të ligat e tyre, për të arritur në një përfundim  të nënkuptuar filozofik, se “nëse të gjithë e heqim bërllogun nga shtëpitë tona dhe e hedhim atje ku e ka vendin, atëherë formojmë një shoqëri të edukuar, të fortë, të pastër dhe të emancipuar”.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …