Dëshmori Muhamet Ukshini u lind në Morinë të komunës së Gjakovës. Prindërit, Imer e Hanëmshahe Ukshini rritën tetë fëmijë, tre djem e pesë vajza. Muhameti ishte fëmija i gjashtë, pas vajzave. Shkollën fillore Muhameti e kreu, në Morinë e në Ponoshec, ndërsa të mesmen, medresenë, e filloi në Prishtinë, por të cilën e ndërpreu për t’u shpëtuar përndjekjeve policore serbe. Pas ndërprerjes së studimeve, mërgoi në vendet perëndimore. Kur Drenica po përflakej nga zjarri i luftës për liri, Muhameti, i cili tashmë ishte kthyer nga Perëndimi, i ishte drejtuar së ëmës me fjalët: “Nënë, a po e sheh Drenicën si po digjet e si po përgjaket, trimat si po luftojnë heroikisht? Edhe ata kanë nëna, por kanë dalur në luftë, andaj nuk mund të rri anash, se lufta i ra hise gjeneratës sonë, andaj, ja sot ja kurrë!”.
Në prill të vitit 1998, në Morinë e në fshatrat përreth formohet njësiti i UÇK-së. Djemtë e këtyre fshatrave ishin furnizuar me armatim të nevojshëm. Morina dhe fshatrat e tjera të Rekës Keqe ishin pika të rëndësishme perms të cilave do të bëhej furnizimi i luftëtarëve të lirisë me armatim nga territory i Shqipërisë administrative. Për këtë arsye, objektivi i armikut serb ishte shkatërrimi i rezistencës së armatosur në vijën e frontit në fshatrat Ponoshec, Smolicë e Morinë. Së pari sulmohet Ponosheci më 3 maj 1998. Në këtë rast, njësiti i Morinës godet forcat serbe në prapavijë, duke u shkaktuar dëme të ndjeshme. Mirëpo granatimet e tërbuara të forcave serbe nga Maja e Pllanikut, u bë i domosdoshëm evakuimi i popullatës së Ponoshecit e Morinës, si dhe shpërndarja e saj nëpër fshatra përreth. Më 25 prill 1998, Muhameti ishte i sistemuar në shtabin lokal të Morinës. Në Morinë, luftoi edhe më 27 prill, 3, 6 e 29 maj 98, ku tregoi guxim, trimëri e taktikë të pashoqe luftarake. Luftimet ishin të përditshme e të ashpra. Më 29-31 maj 1998, lagjja Ukshin u granatua pa ndërprerë dhe popullata e Morinës detyrohet të largohet në drejtim të Shqipërisë. Më 13 qershor 1998, njësiti diversant i UÇK-së, nën komandën e eprorit Muhamet Ukshini kalon rrugën Morinë-kufi, me qëllim të ripozicionimit, në Morinën e Poshtme. Gjatë lëvizjes, njësiti bie në pusi dhe pas katër orë luftimesh, bie heroikisht komandanti i njësitit Muhamet Ukshini, së bashku me bashkëluftëtarin Shkëlzen Sylë Syla, kurse plagë marrin Gazmend Elezaj dhe Abaz Meta. Bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin vetëm trupin e Shkëlzenit, të cilin e varrosin në Morinë. Trupi i dëshmorit Muhamet Ukshini dërgohet në spitalin e Gjakovës, prej nga e tërheq Imer Hadri, i cili edhe e varros.
Në Morinën e dëshmorit Muhamet Ukshini e të bashkëluftëtarëve të tij, pas luftës është ngritur lapidari i lavdisë.
Një rrugë në Gjakovë mban emrin e dëshmorit Muhamet Ukshini. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)
Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe …