Më 15 janar të vitit 1999, forcat okupatore serbe, në fshatin Reçak të Shtimes kryen një masakër, një krim kundër popullatës shqiptare të këtij fshati heroik, i cili luftës për çlirimin e Kosovës i dha shumë dëshmorë dhe mbi 50 martirë.
Masakra e Reçakut, lëvizi nga vendi diplomacinë ndërkombëtare, e cila pas këtij akti të shëmtuar dhe barbar të policisë dhe ushtrisë serbe, intensifikoi aktivitetet në drejtim të ndëshkimit të makinerisë vrasëtare fashiste të regjimit të Milosheviqit. Gjatë luftimeve në Reçak, më 15 janar 1999, kanë rënë dëshmorë: Ali Beqa, Ismail Luma, Mehmet Mustafa,. Sadik Mujota, Shaqir Berisha, Kadri Syla, Nazim Kokollari, Enver Rashiti, dhe janë plagosur disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Në mbrojtje të kufomave, më 19 janar, kanë rënë komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku dhe luftëtari Vezir Jashari. Gjatë luftës, nga fshati Reçak kanë rënë dëshmorë në kohë dhe në vende të ndryshme edhe Alush Mustafa, Idriz Mehmeti, Afrim Syla. Dëshmori Bedri Kamberi ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ndërkohë, janë shpallur dëshmorë: Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.
Sadik Osmani u lind më 21 maj të vitit 1954 në fshatin Reçak. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, ndërkohë ka vazhduar shkollimin dhe ka kryer Shkollën Normale në Ferizaj. Sapo mbaron shkollimin, pranohet mësues në fshatin e tij të lindjes, kur edhe fillon aktivitetin e tij edukativ-arsimor, si mësues në fshatin e tij. Ka punuar si sekretar shkolle,
deri në fillim të luftës. Edhe pse në kushte të rënda ekonomike, ai ngriti familjen e tij shumanëtarëshe, duke mos lënë anash as aktivitetet e tjera organizative atdhetare.
Me rastin e zgjerimit të radhëve të UÇK -së në zonën e Neredimes, Sadik Osmani kontakton me luftëtarët e lirisë, Isak Musliun dhe Afet Bilallin. Asokohe shfaq gatishmëri për të vepruar në radhët e organizuara të UÇK -së. Me bashkëfshatarin dhe bashkëveprimtarin, Lutfi Bilalli e të tjerë, ishte angazhuar në “Drejtorinë e Shtabit Civil” të fshatit Reçak, me qëllim për të furnizuar me ushqime luftëtarët, por edhe banorët e zhvendosur.
Në verë dhe në vjeshtë të vitit 1998, pozicionet e UÇK -së ishin zgjeruar dhe ishin konsoliduar edhe në fshatrat: Reçak, Petrovë, Mallapolc, Graiçevc, Topillë, e Rancë. Luftëtarët e lirisë në fshatin Reçak kishin zënë istikamet përballë forcave serbe të pozicionuara: “Te pishat”, nga ana veriore dhe në “Kodrën e Gështenjave”, nga ana jug-lindore.
Reçaku, asokohe ishte fshati më i rrezikuar, për faktin se ndodhej në vijën ndarëse të pozicioneve me policinë serbe, në Shtime, e cila e mbështetur nga forcat ushtarake, granatonte pandërprerë pozicionet e UÇK -së, por edhe shtëpitë e fshatrave, që tashmë ishin nën kontrollin e çlirimtarëve të Kosovës.
Sadik Osmani, meqë kishte ndikim dhe autoritet te bashkëfshatarët dhe meqë ishte inkuadruar në strukturat civile të luftës, nuk kishte pranuar ta largonte familjen nga fshati, pasi konsideronte se lufta ishte e përbashkët dhe atë duhej ta ndihmonin të gjithë, secili sipas mundësive dhe detyrave me të cilat ngarkohej. Ai ishte prore me bashkëfshatarët dheluftëtarët e lirisë.
Më 15 janar të vitit 1999, policia dhe ushtria serbe kishin filluar realizimin e planit të tyre famëkeq për ta ndëshkuar Reçakun dhe luftën e UÇK -së. Në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 6.00, forcat ushtarake dhe policore serbe kishin filluar depërtimin deri afër fshatit Reçak. Rreth orës 6.45 kishte filluar sulmi i tyre nga të gjitha anët, madje edheme armatim të rëndë.
Një njësi e paramilitarëve të maskuar serbë, ishte futur në Reçak nga ana e fshatit Belinc, duke i befasuar pjesëtarët e UÇK -së, të cilët nuk kishin arritur t’i dallonin të maskuarit dhe kishin supozuar se ishin pjesëtarë të UÇK -së, të cilët depërtonin nga njëra zonë në tjetrën.
Fshatarët e Reçakut, të ndodhur nën breshërinë e predhave kishin filluar të iknin në drejtim të maleve. Shumë pjesëtarë familjesh ishin nisur në drejtim të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t’u konsultuar me të, lidhur me sulmin barbar që kishte filluar ushtria dhe policia serbe mbi tërë fshatin. Ndërkohë policia okupatore kishte rrethuar shumë lagje të fshatit, ndërsa kishte filluar të arrestonte të gjithë ata që nuk kishin arritur të tërhiqeshin me kohë.
Rreth mesditës së 15 janarit, disa dhjetëra fshatarë qenë tubuar te shtëpia e Sadik Osmanit, me qëllim për t’u konsultuar me të për t’u strehuar, meqë aty ndodheshin edhe të strehuar të tjerë. Ndërkohë, rreth orës 12.00, policët e maskuar serbë vënë nën rrethim shtëpinë e Sadik Osmanit dhe fillojnë të shtijnë me armë zjarri. Ata depërtojnë te shtëpia dhe pastaj futen brenda, nga ku nxjerrin Sadikun dhe të gjithë të strehuarit, të cilët i torturojnë mizorisht e më pas i nisin në drejtim të vendit të quajtur “Kodra e Bebushit”.
Sipas dëshmitarëve okularë, të cilët kanë shpëtuar nga masakrimi, (Ramë Shabani, Nesret Shabani dhe Burim Osmani, djali i Sadikut), në orët e para të pasditës së 15 janarit të vitit 1999, në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit ndodheshin: Hakip Imeri, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Lutfi Bilalli, Sadik Osmani, i biri i Sadikut, Burim Osmani, Jashar Salihu, Njazi Zymberi, Shyqëri Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Ismajli, Fatmir Ramadani, Murtez Imeri, Mehmet Jakupi, Muhamet Mustafa, Shukri Salihu, Sheremet Syla, Mufail Hajrizi, Bujar Hajrizi, Salih Ramadani, Nexhat Ramadani, Xheladin Jakupi, Raif Salihu, Bilall Bilalli, Ramë Shabani dhe Nesret Shabani (Tre të fundit kanë shpëtuar nga masakrimi), Ragip Bajrami dhe Bajrush Shabani. Kanë shpëtuar edhe Ali Bajrami dhe Imer Imeri nga Reçaku.
Pasi që vrasëtarët dhe barbarët serbë, i rrahin dhe i torturojnë mizorisht pjesëtarët e paarmatosur të popullatës civile, i dërgojnë në vendin e quajtur te “Kodra e Bebushit” ku fillon ploja çmeritëse, rreth orës 14.30, pushkatim i e më pas edhe masakrimi çnjerëzor. Atë ditë në Reçak, në vende dhe në rrethana të ndryshme, serbët kanë vrarë edhe 14 civilë të tjerë. Bota kishte marrë lajmin e kobshëm dhe ishte alarmuar nga ky krim mizor që ishte bërë nga makineria ushtarake e policore e Beogradit.
Pas reagimit të shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Viliam Voker, dhe pas shqiptimit publik të tij të fjalëve, se në Reçak ka ndodhur një masakër, një krim kundër njerëzimit, forcat serbe sërish u kthyen në Reçak dhe morën të gjithë trupat e të masakruarve, me qëllim për të humbur gjurmët e krimit. Për 20 ditë kufomat e masakrës së Reçakut u enden
gjithandej në Shtime dhe në Morgun e Prishtinës, meqë strukturat komanduese të UÇK-së, të Zonës Operative të Neredimes, ndryshe nga zyrtarët e mjerë politikë të Shtimes, vendosën që të gjitha kufomat e të masakruarve t’i varrosin me nderime dhe në një vend të veçantë dhe jo në varret e lagjeve, te xhamia apo nëpër ara. Atë ditë në vendin e quajtur “Kodra e Bebushit” janë vrarë, pushkatuar e masakruar: Hakip Imeri, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Lutfi Bilalli, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Njazi Zymberi, Shyqeri Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Ismajli, Fatmir Ramadani, Murtez Imeri, Mehmet Jakupi, Muhamet Mustafa, Shukri Salihu, Sheremet Syla, Mufail Hajrizi, Bujar Hajrizi, Salih Ramadani, Nexhat Ramadani, Xheladin Jakupi, Raif Salihu, Ragip Bajrami dhe Bajrush Shabani.
Për të mbrojtur trupat e të masakruarve në Reçak, më 19 janar bie në krye të detyrës komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku dhe luftëtari Vezir Jashari, ndërsa ishin plagosur disa luftëtarë të tjerë. Më 28 janar gazetari amerikan Xhefri Smit, në gazetën “Washington Post” kishte publikuar lajmin e krimit të paramenduar, në Reçak nga forcat ushtarake e policore serbe. Lajmi ishte shkëputur nga përgjimi i bisedave të fshehta telefonike, ku argumentohej se zëvendëskryeministri serb, Nikola Shainoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, gjenerali, Sreten Lukiq, kishin biseduar për mënyrën se si këto krime të paraqiteshin si pasojë e luftimeve mes forcave të UÇK-së dhe policisë serbe, me qëllim për t’i kur ndonjë ndëshkimi të mundshëm të NATO-s.
Kufoma e Sadik Osmanit, së bashku me të 41 të masakruarve të tjerë u varros me nderime në varrezat e veçanta të fshatit Reçak, më 11 shkurt të vitit 1999.
Sadik Osmani ka lënë pas bijtë, Bekimin, Burimin e Fatonin, si dhe bijat: Afërditën e Majlindën, e bashkëshorten, Sevdien. Sadiku ka lënë edhe prindërit, Xhemën dhe Shefkijën, si dhe vëllain, Tefikun. (A. Q)