leoni

Shqiprim Pula:

Shqiprim Pula: Spin Doktorët e Brukselit

Ishte 21 Maj, 2006 ku 466 mijë votues, qytetarë të Malit të Zi, i’u përgjigjen me “po” apo “jo” pyetjes; “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të bëhet shtet i pavarur me njohje të plotë ligjore dhe ndërkombëtare?” një referendumi, për një krijim e qëndrim të përbashkët artificial, prej tre vitesh, si union i shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi. Ky union, pati të përbashkëtat e saj por edhe ndasitë mes tyre, në ato kohë p.sh., njëra kishte dinarin e tjetra euron si monedha, apo Organizata Botërore e Tregtisë e njohi si një subjekt shtetëror por me dy hapësira ekonomike të ndara etj.; po përtej të gjithave unioni mes dy vendeve, ishte sajesë e krijuar nën presionin e “spin doktorëve” të Unionit Europian për situatën në Ballkan në një kohë, kur Kosova, me shumicë Shqipëtare donte të shpallte mëvetësinë sepse një ingerencë të tillë e ofronte edhe rezoluta 1244 e OKB-së, por, për të mos ndodhur kjo UE-ja, i nxiti dy vendet t’a krijonin më 14 Mars, 2002 unionin Serbi-Mal i Zi.
Brenda strukturës institucionale të UE-së, Stefan Lehne ishte drejtor për Ballkanin tek Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zotëri Javier Solana, dhe po për “rastësi” Sllovaku Miroslav Lajčák emërohet si ndërmjetës dhe përfaqësues special për të mbikëqyrë nismën e ndarjes së unionit Serbi – Mali i Zi!. Sipas një pjese të biografisë së tij, zotëriu Lajčák, kishte studiuar edhe në Moscow State Institute of International Relations (MGIMO), kurse si student i ishte bashkuar edhe partisë komuniste të Çekosllovakisë; mëpas, për një mandat ishte edhe ambasador i Sllovakisë në Beograd. Por, për çudi, dy vite pasi që federata Ruse kishte aneksuar Crimean nga Ukraina, më 2016-tën presidenti Putin i ofron mbështetje kryeministrit Sllovak zotëriut Robert Fico që Miroslav Lajčák të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së!.
Në rastin e Malit të Zi, vullnetit politikë të shumicës për dalje nga unioni, Sllovaku Lajčák, si emisar, i kishte imponuar përqindjet (%) për vlefshmërinë e rezultateve, duke përcaktuar që të paktën 50% e qytetarëve të dalin në referendum dhe të paktën 55% e tyre të jenë “pro” daljes nga unioni, në mënyrë që i tërë procesi të ketë legjitimitet dhe të jetë i pranuar. Përkundër rezistencës fillestare të spektrit politik Malazez pro pavarësisë, ata i’u nënshtruan një standardi aspak demokratik e universal mbi arsyet politike e diplomatike, të prezantuara nga Lajčáku, por jo vetëm kaq, pati tendencë që edhe Malazezët (rreth 260 mijë) që jetonin në Serbi me shtetësi serbe t’i regjistrojnë si votues në Mal të Zi, po kjo një zëri u kundërshtua dhe nuk u pranua. Me emisarin Miroslav Lajčák të gjitha këto, treguan qartë se UE-ja tregonte në masë favorizim të ruajtjes së unionit Serbi-Mali i Zi.
Në rastin e Kosovës, zotëri Josep Borrell Fontelles Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë i UE-së, në Prill 2020 e emëron si përfaqësues special për dialon Kosovë-Serbi Sllovakun Miroslav Lajčák, i cili konfirmohet sërish në Gusht 2022. Pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova dhe vendimit konfirmues të pavarësisë nga GjND-ja, deklarimet publike të tij, nuk ishin në asnjë rast në mbështetje të shtetësisë së Kosovës!. Në vështrim të dakordimeve (marrëveshjeve) ndërmjet Kosovës e Serbisë, përgjatë procesit dialogues opozita e sotme (me disa përjashtime), dikur kishte bërë një mori lëshimesh e gabimesh thelbësore në kuptim të rregullimit shtetëror. Nëpër kohën që po merret për bazë propozimi ‘Franko-Gjerman’ apo ‘Europian’, i cili propozim substancialisht fare pak ka dallim me atë dokumentin e 19 Prill, 2013 të cilën n’a e kanë shitur si “marrëveshje ndërkombëtare” e cila vazhdon të jetë e dëmshme politikisht, si dhe kundër frymës kushtetuese. Insistimi nga “spin doktorët” për propozimin, pa e negociuar me parime e me reciprocitet, është veçse një vendim i padrejtë, i imponuar politikisht dhe pa legjitimitet qoftë kjo e mbështetur edhe nga të emëruar Amerikan si vend mik e aleat i Kosovës!. Thelbi i diskutimit është se kjo e dëmton marrëdhënien ndërmjet pakicave në Kosovë kur është në pyetje kërkesa për ‘Kishën Serbe Ortodokse’ (shumë prej tyre, kisha Shqipëtare por të përvetësuara nga serbët e shumë të tjera të ndërtuara gjatë regjimit të Miloševićit siç është një nga rastet, me kishën në oborrin Universitar) si objekte me status special e si zona me mbrojtje të veçantë, 44 sosh në total, ku pretendohet të krijohet “kishë-shtet” brenda shtetit të Kosovës!. Më pas, kur kërkesa është për
‘Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe’, duhet kuptuar si luftë që s’ka përfunduar në Mitrovicë (për Trepçën, dhe jo vetëm), e natyrisht që, Kosova politike duhet t’i rezistojë çdo lloj trysnie që të mbrojë sovranitetin politikë e territorial siç e bëjnë gjitha shtetet sovrane. Tek marrëdhëniet ndërkombëtare njihen teoritë dhe praktikat kur një shtet i fuqishëm ushtron trysni mbi një shtet më të dobët e të vogël, për të marrë një ‘po’ rreth një teme apo marrëveshje. Madje, trysni ushtrohet edhe ndaj shteteve mike e aleate, e nëse ndodh që janë më të dobët, atëherë, rruga është më e lehtë për t’u arritur një dakordancë nën presion, siç, është rasti me Kosovën, lidhur me kërkesat absurde për koncesione të rradhës.
Duke i parë rezultatet nga dështimi që ka ndodhur në dialog, e për rrjedhoj “spin doktorët” vijnë me narativa sovjetike për “normalizim” njësoj sikur hyrja e Sovjetikëve më 1968 në Çekosllovaki, veçse atëherë me tankse, e Brezhnjevi deklaronte se tani marrëdhëniet përmes nesh, do të normalizohen!, konsideruar faktin kushtetues e ligjor, se Kosova e Serbia ishin njësi federative të Jugosllavisë sipas kushtetutës së 1974-tës, e lufta agresore e Serbisë (jo vetëm ndaj nesh por edhe ndaj ish-njësive tjera), e pandëshkuar, atëherë, “spin doktorët” të mbështetur edhe nga ‘disa’ zyrtarë të state department të angazhuar në Ballkanin perëndimor, por të cilët po kritikohen nga senator Amerikan siç është rasti me kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme i Senatit Amerikan, zotëriu Robert Menendez, prandaj, duhet që Uashingtoni zyrtar t’a rishikonte këtë odise, dhe për një përmbyllje politike të përhershme të propozonte një Traktat Paqeje Kosovë-Serbi. Traktati i Paqes do t’a nënkuptonte edhe normalizimin e marrëdhënieve, e normalizimi i marrëdhënieve do t’a nënkuptonte njohjen e ndërsjelltë, e njohja e ndërsjelltë do të nënkuptonte marrëdhënie diplomatike bilaterale e përfundimisht do të garantohej ardhmëria rajonale e Europiane. Vetëm një Traktat Paqe, me gjitha komponentet e duhura garanton paqen e përhershme në të kundërtën narrativat për ‘normalizim’ është një qëndrueshmëri fiktive dhe afatshkurtër.
Çfarë po kërkohet e insistohet me trysni ndaj garniturës politike aktuale, është të NOTERIZOHEN “zajednica serbe” dhe “kisha serbe ortodokse” të cilat de facto do t’a konfirmojnë Serbinë brenda Kosovës.
Çfarë kërkohet nga spektri politik (pozitë e opozitë) me atdhedashuri të përbashkohen me një qëndrim për t’i bërë ballë cilësdo trysni që t’a evitojnë paralizimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, shtetësi e legjitimuar edhe me vendimin e GjND-së.
Çfarë duhet të bëjmë është t’a duam e ruajm substancën e shtetësisë siç e deshën jahuditë shtetin e Izraelit që nga 1948-ta, kur e themeluan.
Prandaj, “spin doktorët” kur gjejnë shesh e bëj përshesh.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …