Ai erdhi! Përsëri erdhi! Shpirti i tij i bardhë u ngrit si feniksi nga parajsa dhe u bashkua me fluturimin e dallëndysheve të na sjell sihariqin se stina më e bukur e kohës bashkë me rrezet e saj të arta po vjen. Fluturimin e filluan që nga Morea, atje ku i ka rrënjët trungu ynë historik dhe sikur mori bekimin nga Pirro Burri për të vazhduar më tej fluturimin mbi tërë Thesprotinë. U ndalën në Dodonën pellazgjike të pushonin nën hijen e rrapit shekullor, të pinin ujë të ftohtë nga kroi i Vitalenit e të freskohen nga erërat e Olimpit, aty ku Zeusi ka fronin e tij. E ndiente se pikërisht këtu, në djepin e qytetërimit, gjendeshin rrënjët e thella mijëravjeçare, parahelene të popullit të tij. Vazhduan më pastaj fluturimin mbi tërë Ilirinë ku me parë jetuan pararendësit e tij, për të ardhur në Prekazin Legjendar, aty ku i ka rrënjët liria.
Adem! Ky emër nga i cili filloi jeta e bashkë me jetën lindi nevoja për të qenë i lirë. Sepse jeta pa liri është vdekje. E më mirë i vdekur se i gjallë nën thundrat e armikut. Por rrallë kush e kuptoi këtë. Vetem ti që linde në ditën e lirisë së kombit. Në nëntorët e lavdishëm. Në nëntorin e largët të Gjergjit të Madh, në nëntorin e Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës e ti e shënove Nëntorin e tretë. Me lindjen tënde sikur u mishëruan trimëria e dashuria për jetën. Sikur lindi shpresa për liri, sikur lindi një epokë e re . Adem, ishte emri i njeriut të parë në tokë, ndersa për neve ti, Adem, u bërë njeriu i parë me të cilin simbolizohet liria. E ku më mirë se sa në figurën tënde të mishërohen jeta dhe liria?!
Adem! Duhej të mos ndodhesha unë aty atë natë të 4 marsit 1998, kur erdhe ti vizitosh të plagosurit në odën – spital të dr. Fadil Bekës në Ticë. Do të duhej penda e një mjeshtri të vërtetë të përshkruaj me kujdes madhështinë tënde, shikimin tënd të mprehtë, fytyren tënde engjëllore, fjalët e matura dhe plot vullnet me të cilat na u drejtoje neve. Ndoshta historia gaboi me mua sepse fjalët e mija janë të varfëra të përshkruaj atë që ishe dhe që në të vërtetë je. Adem, shumë kush me të drejtë ty të quan Legjendar, disa të tjerë Komandant, të tjerët Hero, por unë kam dëshirë të të drejtohem me emër sepse dua ta ndjej thjeshtësinë tënde, njëjtë si sonte 25 vite më parë, kur ishe aq i butë e i dashur me neve të rinjtë e aq i matur me bashkëluftetarët tuaj.
Adem! Vdekja nuk është gjëja më e keqe që mund t’i ndodh një burri. Përkundrazi! Ajo e lartëson në piedestalin me të lartë e shndërron në Legjendë kur e merr në amshim një personalitet të kompletuar kombëtarisht dhe moralisht. Dhe, i tillë ishe ti, i paisur me të gjitha virtytet njerëzore dhe kombëtare që dikush mund t’i ketë.
Tek ti, Adem, mbizotëronte dashuria e pa skaj ndaj atdheut. Këtë e dëshmove më së miri duke rënë në mbrojtje të tij me 56 anëtar të familjes. Tek ti, mbizotëronte besnikëria ndaj bashkëluftetarëve, ndaj miqve, ndaj fjalës së dhënë. I admiroje heronjtë dhe i vizitoje shpesh varret e tyre. Aty frymëzoheshe edhe me tej me veprat e tyre dhe zotoheshe se do ta ndiqje rrugën e tyre. I doje fëmijet, të rinjtë, familjen. I respektoje prindërit, të moshuarit, vizitorët e kullës tënde. Me thjeshtësinë e bujarinë tënde i bëje për vete të gjithë. Por, mbi të gjitha, e doje lirinë, sepse për të dhe me të shtrenjtën: jetën dhe familjen.
Ti erdhe! Përsëri erdhe! Erdhe të na e përkujtosh se liria as nuk shitet as nuk falet, por fitohet me gjak e me djersë. Erdhe të na e tërhiqesh vërejtjen që ta ruajmë shtetin tonë të cilin e kemi bërë me gjakun e bijëve me të mirë të popullit.
Në fakt, ti nuk ke vdekur! Jeton në zemrat tona, në mendjet tona, përditshmerinë tonë. Jeton në këngët e bilbilave, aromen e trëndafilave, gurgullimat e lumenjve, qetësinë e detrave, thellësinë e oqeaneve. Ti je vet jeta, vet liria, vet Shqipëria.
Arben Beka
- 3. 2023