leoni

Ismail Adem Luma (5.3.1975 - 15.1.1999)

Ismail Adem Luma (5.3.1975 – 15.1.1999)

Ismail Adem Luma lindi më 5 mars të vitit 1975 në fshatin Kraishtë të Lypjanit. Ishte djali i dytë i Adem Lumës. Rrjedh prej një familje me tradita të shquara të atdhetarisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga familja e ngushtë e Lumajve të Kraishtës, ishte shquar Zekë Luma, i cili ka qenë njëri ndër luftëtarët më të paepur kundër pushtetit komunist-titist. Zekë Luma ishte ndër luftëtarët më të dalluar të NOSH-së dhe të çetës heroike të Salih Rexhë Ribarit. Pesë vjet të plota pas luftës, ajo çetë heroike kishte qëndruar nëpër malet e Kosovës, duke luftuar barbarinë komuniste.

Ismaili i ri ishte frymëzuar nga vepra heroike e Zekë Lumës dhe e trimave të tjerë çlirimtarë. Tregimet që kishte dëgjuar nga i ati dhe nga xhaxhallarët qysh në rini, e kishin mbushur me frymëzim atdhedashurie.

Ismail Adem Luma shkollimin fillor e kreu në fshatin e tij të lindjes, në Kraishtë. Më vonë kreu edhe shkollën e mesme, në Lypjan. Në moshën 17-vjeçare, konfrontohet me policinë serbe të Shtimes. Më 29 shtator të vitit 1992, në ndjekje të Ismailit, policia kishte rrethuar shtëpitë e Adem dhe Ilaz Lumës dhe kishte sulmuar me armë zjarri Ismailin, i cili bëri përpjekje për t’i ikur rrethimit, por nuk mundi. Në shenjë hakmarrjeje për rezistencën e Lumajve, policia arrestoi Ademin, babanë e Ismailit, pastaj xhaxhanë e tij, Ilazin, dhe vetë Ismailin. Ata të tre i torturuan mizorisht. Pas kësaj torture, Ismailin e dënuan gjashtë muaj burg me kusht. Qysh nga ajo kohë Ismaili ishte betuar se do të luftonte armikun, me të gjithta mjetet e mundshme.

Jehona e krismave të lirisë, më 5 mars të vitit 1998, në Prekaz dhe qëndresa titanike e kryetrimit të Shqipërisë Adem jashari, i kishte dhënë zemër dhe e kishte mbushur tërë pezëm Ismail Lumën.

Në fillim të qershorit të vitit 1998, Ismail Luma mëson për zgjerimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në Blinajë, në Zborc, Godanc, Carralevë e sidomos në fshatrat e Drenicës. Më 15 korrik të vitit 1998, Ismail Luma takohet në Zborc me Milaim Behën, Adnan Muharremin, Ruzhdi Salihun dhe me luftëtarë të tjerë të lirisë. Po atë ditë ai radhitet përfundimisht në njësitë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kapton fusha e male të viseve shqiptare, në mesin e mijëra luftëtarëve të lirisë, si në Drenicë, në Dukagjin dhe në Pashtrik.

Me krijimin e Zonës Operative të Neredimes, Ismail Luma nga zona e Drenicës kalon në këtë zonë. Ismail Luma, së bashku me Kadri Sylën, Nazim Kokollarin, Muhamet Bilallin, Ali Beqën e luftëtarë të tjerë të shquar të lirisë, ka marrë pjesë në shumë luftime që janë zhvilluar në Zonën Operative të Neredimes. Ko-

mandantët e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si jetullah Qarri, i njohur me emrin e luftës “Guri”, pastaj komandanti i Zonës Shukri Buja, Rafet Bilalli e të tjerë, në kujtimet e tyre për Ismail Lumën veçojnë vendosmërinë, trimërinë dhe gatishmërinë e tij për të luftuar kurdoherë në radhët e para.

Në dimrin e vitit 1998, Ismail Luma ndodhet në radhët e luftëtarëve që vepronin në njësitin e Reçakut Natën e 14 janarit të vitit 1999, në kohën kur forcat kriminale serbe, të veshura me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin depërtuar prapa shpine të luftëtarëve tanë, Ismail Luma kishte qenë roje.

Në mëngjesin e hershëm të 15 janarit, në kohën kur Ismaili i kishte diktuar gjakatarët serbë, i kishte sulmuar me armën e tij të dashur “Gulinov”.

Pas zbrasjes së disa rafaleve, goditet nga arma armike dhe bie në altarin e lirisë. Ismaili ishte ushtari i parë i Zonës së Neredimes, që kishte rënë në bunkerin mbi fshatin Reçak. Krisma e “Gulinovit” të tij kishte dhënë alarmin për sulmet tinëzare të policisë dhe të ushtrisë armike. Në istikamet e luftës, atë ditë me acar të janarit të vitit 1999, kanë rënë duke u përballur me barbarinë serbe edhe nëntë dëshmorë të tjerë të lirisë: Ali Beqa, zëvendëskomandant kompanie nga fshati Laç i Kaçanikut, Shaqir Zejnë Berisha, komandant toge nga Reçaku, Kadri Syla nga Reçaku, Lutfi Bilalli nga Reçaku, Sadik Mujota nga MoIlapolci, Mehmet Mustafa nga Reçaku, Skënder Qarri nga Shtimja, Nazim Kokollari nga Budakova dhe Enver Rushiti nga Reçaku.

Atë ditë, në istikamet e luftës çlirimtare në Reçak, fillimisht kishin rënë luftëtarët e lirisë, dhe vetëm pas rënies së tyre bandat kriminale serbe kishin depërtuar te një pjesë e popullatës civile dhe realizuan krimin më të shëmtuar, krimin më çnjerëzor në historinë tonë më të re.

Ismail Luma është dëshmori i parë i 15 janarit në Reçak. Barbarët serbë më vonë bënë përpjekje të zhduknin edhe gjurmët e masakrës së tyre. Shokët e Ismailit zhvilluan një luftë të ashpër në mbrojtje të martirëve të Reçakut. Pas tri ditë luftimesh, kanë rënë në altarin e atdheut edhe komandanti i Brigadës 161 të Zonës Operative të Neredimes, Ahmet Kaçiku dhe luftëtari Vezir Jashari. Jeta dhe vepra heroike e Ismail Lumës përbën një histori të veçantë, një rrëfim për lirinë, një tregim të gjatë për përkushtimin dhe atdhedashurinë, një akt heroik të preludit të tragjikës së Reçakut dhe të heroikës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare.

Vepra e tij heroike është përjetësuar me zbulimin e pllakës përkujtimore, në fshatin e tij të lindjes, në Kraishtë.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …