Selman Tahir Dukaj (8.11.1960 – 3.6.1998)

Selman Tahir Dukaj (8.11.1960 – 3.6.1998)

Dëshmori Selman Dukaj u lind më 8 nëntor të vitit 1960 në fshatin Drenoc të Deçanit. Gjiri i tij familjar edhe më herët kishte dhënë dëshmorë lirie. Musë Beqë Dukaj, si luftëtar i formacioneve që angazhoheshin për formimin e Shqipërisë Etnike, gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte rënë dëshmor në luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Pazar të Ri (Novi Pazari) nga sulmet çetnike serbe e malazeze.
Prindërit e dëshmorit, Tahir e Hatixhe Dukaj i lindën, rritën dhe edukuan katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Selmoni, shkollën fillore e kreu në Drenoc, ndërsa atë të mesme në Deçan, drejtimi i Elektroteknikës. Babai i tij, Tahiri, punoi në mërgim për 20 vjet me radhë, për t’ia siguruar mirëqenien familjes.
Selmani mori pjesë aktivisht në protestat dhe demonstratat e organizuara kundër regjimit okupues serb gjatë viteve ’90-të në Deçan, Pejë, Gjakovë e më gjerë.
Disa kohë punoi si taksist, ku në rast nevoje mbështeti pa rezervë bashkëfshatarët e tij. Shtëpia e tij disa herë u bastis nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve. Me të njëjtin pretekst, Selmoni disa herë u arrestua dhe u keqtrajtua nga policia serbe.
Më 24 mars 1998, që shënon betejën e parë frontale të UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit, kur forcat serbe kishin sulmuar frontalisht fshatin Gllogjan, Selmani dha kontribut të çmueshëm në evakuimin dhe strehimin e popullatës civile që po largohej nga Gllogjani në vende më të sigurta. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua aktivisht në pranverën e vitit 1998, ndërkaq, më 17 prill, bashkë me grupin e pjesëtarëve të UÇK-së nga Drenoci, shkoi për të marrë armatim në Shqipëri. Ishte i sistemuar në njësitin për intervenime të shpejta, në kuadër të Shtabit lokal të UÇK-së në Drenoc.
Më 22 maj 1998, mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Prejlep, kur nga njësitet e UÇK-së u bllokua rruga magjistrale Deçan – Gjakovë. Më 27 e 28 maj, kur nga “Podi i Gështenjave” në Deçan dhe nga “Kodra e Loshit” në Carrabreg, goditen me artileri të rëndë Deçani, Carrabregu dhe fshatrat e trevës së Vokshit, dhe njëkohësisht sulmohen me forca këmbësorie ushtarako-policore e paramilitare, Selmani i bartë të plagosurit nga Drenoci për t’ua ofruar ndihmën mjekësore në Prejlep e Irzniq. Ai mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Lloçan, Carrabreg, Drenoc, etj.
Prej 30 majit deri më 1 qershor 1998, bashkë me pesëmbëdhjetë bashkëluftëtarë nga fshati Drenoc, pozicionohet te vendi i quajtur “Kullat e Lloçanit”, për ta penguar depërtimin e forcave serbe. Aksionin e udhëhiqte komandanti Adem Ukëhaxhaj (dëshmor i kombit), i emëruar nga Shtabi Operativ i Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD) përgjegjës për vijat e frontit në rajonin e Vokshit. Atyre u kishte shkuar në përforcim edhe Njësia Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza”, nën drejtimin e Idriz Balajt.
Dëshmori Selman Dukaj ka rënë në altarin e lirisë, më 3 qershor të vitit 1998, së bashku me bashkëfshatarët dhe bashkëluftëtarët e tij, Rexhep Mazrekaj e Ahmet Baqaj, në një përleshje të pabarabartë, të zhvilluar kundër forcave pushtuese serbe, te Ura e Bajramhasanëve, në mes të fshatrave Carrabreg e Prejlep, bri magjistrales Deçan-Gjakovë.
Trupat e këtyre tre dëshmorëve të kombit në fund të shtatorit të vitit 1998, u varrosën nga të afërmit, ashtu siç ishin mundësitë, kurse. Selmanin e varrosën në oborrin e shtëpisë së tij në Drenoc. Ndërsa pas përfundimit të luftës, të tre dëshmorët u rivarrosën më 17 gusht 1999, në Varrezat e Drenocit me nderime të larta.
Dëshmori Selmon Dukaj ishte i martuar me Kumrijen, dhe ka lënë pas vetes tre fëmijë: Besnikun, Besianën dhe Ilirin.
Familja Dukaj është nderuar me mirënjohje të shumta për birin e saj dëshmor, si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Komanda e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, komuna e Deçanit etj.
Në shenjë respekti për gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, te vendi i rënies është zbuluar pllaka e përbashkët përkujtimore të tre dëshmorëve të lirisë. Po ashtu atyre u janë ngritur edhe lapidarët mbi varre në varrezat e fshatit Drenoc. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …