So shënohet 23-vjetori i pullave të para postare të Postës së Kosovës

So shënohet 23-vjetori i pullave të para postare të Postës së Kosovës

Sot shënohet 23-vjetori i emetimit të emisionit të parë të pullave postare të Postës së Kosovës.

Ky përvjetor, përpos shënimit të 23-vjetorit të funksionit të mirëfilltë të letër-dërgesave, në aspektin e shtetësisë shënon emetimin e njërit nga simbolet që dëshmon orientimin dhe të ardhmen e shtetit më të ri evropian.

Për shkak të rëndësisë së rolit promovues, përcaktimi i tematikave që trajtohen në kuadër të programit vjetor të pullave postare bëhet nga Komisioni i Pullës Postare, i cili nominohet nga ministria e linjës, në rastin konkret nga ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Znj. Artane Rizvanolli. Përzgjedhjen e punimeve më adekuate në kuadër të punimeve konkurruese nga konkursi për dizajne për pulla postare, po ashtu e bën Komisioni i Pullës Postare.

Në aspektin operacional, e gjithë veprimtaria e prodhimit dhe emetimit të pullave postare zhvillohet nga Departamenti i Filatelisë, i cili bën të mundur që roli promovues i pullës postare të zhvillohet në të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe vendet që akoma nuk kanë bërë njohje zyrtare të vendit tonë.

Rrugëtimi i Filatelisë së Postës së Kosovës e përcjell rrugëtimin e Republikës së Kosovës.

Si një nga simbolet e shtetësisë, është e natyrshme që pulla postare ka pasur mundësi të emetohej që  nga viti 2000, ndonëse nën monitorimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në shpallje të pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Nga 15 marsi i vitit 2000, kur u emetua emisioni i parë i pullave postare me titullin “Paqe” e deri më sot,

Posta e Kosovës, përmes pullave postare, me shumë kujdes ka zhvilluar misionin madhor, atë të prezantimit të Republikës së Kosovës përmes motiveve të pullave postare!

Shikuar në aspektin historik, emetimi i pullave postare në trojet shqiptare, krahasuar me vendet e rajonit, është relativisht i periudhës më të re kohore, marrë parasysh që edhe Posta Shqiptare emetimin e parë të pullës postare e ka realizuar në vitin 1913, në të njëjtin vit kur rilindësi e firmëtari i Pavarësisë,  njëherësh edhe ministër i qeverisë së parë shqiptare, Z. Lef Nosi, aplikoi për anëtarësim të Shqipërisë në UPU. Sa për ilustrim, Mbretëria e Bashkuar emetimin e parë të pullave postare e ka bërë qysh në vitin 1840, prandaj  është e natyrshme që edhe Filatelia, si veprimtari, por edhe si pasion i koleksionuesve, është relativisht e re në trojet shqiptare.

Vështirësitë që e kanë përcjellë rrugën zhvillimore të Filatelisë së Kosovës ishin të llojllojshme. Mungesa e anëtarësimit me të drejta të plota të Postës Kosovës në Unionin e Përbotshëm Postar, ka qenë dhe vazhdon të mbetet sfidë në vete.

Megjithatë, arritjet e Filatelisë së Postës së Kosovës janë të konsiderueshme. Aktualisht, fondi filatelik numëron 248 emisione të pullave postare me 615 pamje, me vlera të ndryshme nominale.

Filatelia e Kosovës tek koleksionistët ndërkombëtarë vlerësohet si shërbim korrekt dhe cilësor, ndërkaq blloku filatelik “Mendo gjelbër” ka zënë vendin e pestë në konkursin për pullën më të bukur “WIPA GrandPrix” në vitin 2016, kurse pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë” është përzgjedhur si pulla më përmbajtjesore në botë në konkursin “San Gabriel” në Veronë, po në atë vit.

Përmes pullave postare kemi promovuar trashëgiminë kulturo-historike të vendit tonë, luftën tonë për çlirim, bukuritë e pasuritë natyrore të vendit tonë, të arriturat në kulturë, shkencë dhe sport, diversitetin, shoqërinë tonë civile, e tema të tjera.

Do të jemi gjithmonë përkrahës i të gjitha aktiviteteve që janë në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë!

Posta e Kosovës, përjetë në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës!

 

Arsim Mehmeti

Kontrolloni gjithashtu

Tetë vjet më parë, Televizioni Dielli ka filluar transmetimin e programit kulturor, informativ, edukativ e arsimor

Sot TV Dielli shënon tetë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Tetë vjet më parë,  më 11 …