Sa herë vjen marsi, ma kujton një ngjarje në një fshat te Kosovës. Një shërbëtor i regjimit jep alarmin se në fshat kishte pasur aktivitet armiqësor kundër rendit kushtetues të Jugosllavisë. Këtë pretendim, ai e kishte shfaqur duke u bazuar në një bujashkë në cilin ishin shkruar dy shkronja K.R, që asocionin në parullën popullore: Kosova Republikë, që gjatë marsit e fillim prillit, dëgjohej anekënd Kosovës nga qytetarët liridashës. Në përpjekje për ta dëshmuar zellin për regjimin jugosllav, njofton Këshillin e fshatit për një mbledhje urgjente dhe të domosdoshme në shkollë sepse puthadorët jugofilë besonin se në fshat ishin zhvilluar aktivitete terroriste e kundër rendit kushtetues të Jugosllavisë.
Meqë takimi ishte ftuar nga njerëz të pushtetit, çdo shtëpi ishte e detyruar ta dërgojë një përfaqësues në mbledhje. Pasi ora shënon nisjen e takimit, njerëzit e pushtetit, pasi kruajnë pak fytin, marrin pamje serioze e me një ton sa revoltues aq edhe qortues, ja nisin:
-Shokë dhe shoqe, në fshatin tonë janë vërejtur aktivitete armiqësore e anti revolucionare ndaj shokut Tito! Ndërkohë, dikush nga salla shfaq mospajtim duke thënë: po ka një vit që Tito ka vdekur!, por njerëzit e pushtetit e shpërfillin këtë konstatim dhe vazhdojnë tutje. Në fshatin tonë, janë bërë akte armiqësore dhe armikun duhet gjetur sa më parë dhe ta ndëshkojmë sa më ashpër e ta burgosim e dënojmë sa më shpejtë. Për këtë, duhet të mobilizohemi të gjithë!
-E çfarë gjëme na paska ndodhur!?, pyet dikush me kureshtje maksimale.
-A ka fakte!?, shton një tjetër.
Dhe njeriu kryesor i pushtetit në fshat, pasi merr një pamje të njeriut të revoltuar meqë konsideronte se Tito i kishte bërë shumë të mira atyre por ja që njerëzit po janë mosmirënjohës, ngrihet avash avash nga karrigia, hedhë vështrimin e thellë në largësi, thua se po shihte diçka matanë kodrave dhe duke nxjerr fjalët ngadalë dal nga goja, sikur njerëzit kur nxjerrin margaritarët nga thellësia e detit, fillon të rrëfen:
-Shokë dhe shoqe, në fshatin tonë ka ndodhë një akt sa qyqar aq edhe terrorist! Dikush na e ka qit faqen e zezë dhe duhet të bëjmë të pamundurën për ta zbuluar kush qëndron mbrapa këtij akti armiqësor! Derisa flet, me një të lëvizur të kokës, urdhëron punonjësin e shkollës të sjell faktet dhe ai me shumë kujdes ia sjell një bujashkë! Pasi i pari i fshatit dhe i partisë merr në duar dhe e sheh vëngër mirë e mirë, sqaron me tutje:
-Dikush nga fshati ynë a kushedi nga ndonjë vend tjetër, ka shkruar në këtë bujashkë dy shkronja armiqësore: K. R
Në çast, në sallë fillojnë shushurimat, komentimet dhe dikush flet zëshëm:
-Me siguri janë të ndonjë fshati tjetër dhe dëshirojnë të na vënë në pozitë të keqe! Apo ndonjë fëmijë ka shkruar inicialet e simpatisë së tij- shton një tjetër dhe në sallë fillon të krijohet rrëmujë, të qeshura shpotitëse, mospajtime por edhe qortime!
Sërish njerëzit e pushtetit e të partisë marrin fjalën duke goditur tavolinën me grusht!
-Na kanë turpëruar! Ky akt tregon mosmirënjohjen tonë për shokun Tito, partinë dhe Jugosllavinë!!!
-E për çka duhet tu jemi mirënjohës këtyre?, pyetur dikush nga mesi sallës dhe ja arrinë të mbetet i identifikuar.
Kjo pyetje i kishte gjetur te papërgatitur komisarët politik! Dhe derisa ata po mendoheshin të gjenin ndonjë shkak, çfarë do qoftë, dikush nga salla konstaton: po ne kemi ngelur si në kohen e Turqisë!?
Ky konstatim kishte acaruar puthadorët e Titos, njerëzit e pushtetit dhe komisarët politik. Dikush nga ta sërish godet tavolinën por kësaj radhe më fuqishëm, dhe kishte klithur: \
– Këtë akt kundër rendit Kushtetues të Jugosllavisë dhe terrorist duhet dënuar ashpër!
– Aq e fuqishme qenka partia e Jugosllavia sa të shkatërrohet nga një bujashkë!? – kishte shpotitur sërish dikush nga turma por që ja dilte të mos identifikohej.
– Po si ta dënojmë kur ne nuk e dimë kush e ka bërë këtë!?, kishte pyetur një plak i mençur që dinte t’i vinte në siklet njerëzit e pushtetit! Ai shton tutje: unë them që këtë bujashkë ta dërgoni në milici dhe ata si të mençur që janë, do ta gjejnë kush e ka shkruar. Fundja e fundit ku ta dimë ne se çfarë kuptimi kanë këto dy shkronja!?, kishte shtuar plaku në fund të fjalës së tij.
– E dimë e dimë, kishte thënë njëri nga komisarët politik që hiqej si më i mençuri në mesin e më të mençurve dhe kishte shtuar: Këto dy shkronja do të thonë Kosova Republikë!
– Kujdes çfarë thua!, ia tërheq vërejtjen plaku dhe shton se për këto dy fjalë hanë burg, sikur po hanë shumë të rinj e të reja që kanë brohoritur nëpër sheshe të qyteteve anekënd Kosovës.
– Ky popull është mosmirënjohës ndaj të mirave të shokut Tito, Partisë e Jugosllavisë, kishte shtuar theksuar kryekomisari politik, dhe kishte shtuar: I madh e i vogël, kanë vërshuar nëpër qytete anekënd Kosovës me kërkesa iredentiste e seperatiste. Të gjithë duhet dënuar dhe do të dënohen në emër të popullit, dhe pasi kishte goditur tavolinën fuçishëm me grushta, ishte ulur.
– Epo të thuash se krejt populli janë ngrit në këmbë, ene këta duhet dënuar në emër të popullit, nuk shkon kjo punë, kishte vërë në spikamë këtë kontradiktë të krye komisarit politik, dikush nga mesi i sallës, që ia kishte dal të mbetet i paidentifikuar.
Ky konstatim i kishte vënë sërish në siklet njerëzit e pushtetit dhe njëri nga ta shton: Pushteti ynë nuk dënon për një fjalë goje!
– E përse na keni thirrur pra këtu!? pyet dikush nga masa ndërkohë dikush shton: Nuk na kanë thirrur për një fjalë goje por për dy shkronja!
-Kjo që po ndodhte nuk ju kishte pëlqyer njerëzve të pushtetit dhe në përpjekje për ta përmbyllur takimin, njëri nga ta propozon që bujashkën me inicialet K. R ta dërgojnë në milici e hetuesi por një plak nga fundi i sallës shfaq mospajtimin e tij.
-Unë them se s’bën kështu!
-E pse s’bën!?, e pyesin me mospërfillje e tallje njerëzit e pushtetit.
-Po nuk bën sepse kjo nënkupton mandej se ju jeni të paaftë me i zbuluar armiqtë e shokut TITO – kishte thënë duke ndryshuar zërin dhe dhënë tonë shpotitës e përçmues!
-Mire e ki, kishte shtuar plaku i parë por pas një pauze ai i kërkon falje pushtetarëve dhe puthadorëve të tyre dhe vazhdon tutje: ama, më mirë është tua dërgojnë sepse mandej kam frikë se ,…
-Frikë për çka!?, kishin pyetur të tensionuar komisarët partisë.
-Paj me mixhën, frikë se mos mandej ju akuzojnë juve se keni fshehur provat e aktivitetit propagandues të armiqve të Partisë, shokut Tito e Jugosllavisë, kishte zgjatur fjalët me qesëndi plaku i fshatit! Ky konstatim kishte bër që njerëzit e pushtetit tani ta marrin në konsideratë propozimin e tij dhe derisa ata duke lëvizur kokën e me anë të mimikës po shfaqnin miratim të propozimit të tij, serish ndërhynë plaku nga fundi sallës:
-Nuk bën me dërguar asesi bujashkën as te milicia e as te Komitetit sepse kam frikë se,…
-Ke frikë se çka-!?, kishin pyetur serish njerëzit e pushtetit.
-Paj kam frikë se ata do të ju thonë: a për një bujashkë na keni alarmuar kur ne kemi punë shumë më të mëdha me u marr!? A as punën e dy shkronjave në një bujashkë s’mundeni me zgjidhe aaa!?
Ndërkohë, njerëzit e partisë e të pushtetit kishin filluar ta shohin vëngër shërbëtorin e tyre që ju kishte treguar për këtë bujashkë! Akrepat e orës po ofronin të ora 12.00 e natës! Dikush kishte thënë:
-U bë vonë dhe nesër duhet të jemi në punë!
-S’ka punë më t’madhe e të rëndësishme se sa me i zbuluar armiqtë e Partisë, shokut Tito e të Jugosllavisë, kishte shtuar me qesëndi një tjetër, që nuk punonte askund dhe nuk i bëhej vonë për asgjë por as pushtetin nuk e duronte dot.
-Epo gjëmë e madhe i ka ra katunit – shton një tjetër me shpoti dhe shton:
-Shyqyr që unë jam njeri i pashkollë dhe s’më takon mua me zgjidh këtë çështje, dhe shtrihet i relaksuar në karrige!
Njerëzit e pushtetit, meqë kishin bërë shkollë nate, shohin dëshpërueshëm njëri tjetrin!
-Unë them të shpërndahemi dhe takohemi serish nesër në mbrëmje dhe i gjejmë zgjidhje kësaj belaje qe i ka ndodhur fshatit!
Derisa të gjithë pajtohen me këtë konstatim dhe fillojnë të ngriten nga karriget, dikush nga salla flet zëshëm:
-S’bën!
-E pse s’bën!?, pyesin tani pa kërcënim e as qortim burokratët e puthadorët!
-S’bën sepse lumi flenë e armiku s’flen – thekson folësi dhe shton: ju jeni të mençur dhe vizionar dhe nuk mund të thoni se nuk e keni ditur këtë urtësi popullore!
-Mirë e ka ky – shtojnë dy pleqtë si në kor!
-Merre atë bujashkë dhe fute në koftorr se do të ja shohim sherrin – shtonë dikush nga mesi i sallës!
-S’bën – shton dikush tjetër, që nuk dihej a po flet me seriozitet apo tallje.
-E pse s’bën!?, pyesin me shumë kureshtje njerëzit e pushtetit e të partisë!?
-S’bën sepse kjo është zhdukje e provave të aktivitetit armiqësor dhe,..
-Dhe armiqëve të Partisë, shokut Tito dhe Jugosllavisë – shton sërish dikush me shpotitje nga mesi i sallës por që ja dilte të mbetej i paidentifikuar!
Akrepat e orës po shënonin tani orën 2 pas mesnate. Disa i kishte nxënë gjumi, përfshirë edhe nga ata të partisë! Dikush kishte thënë:
-Këta që i ka zënë gjumi, duhet t’i denoncojmë sepse po tregojnë neglizhence ndaj prishjes së rendit kushtetues të Jugosllavisë!, sërish kishte shpotitur, i paidentifikuari nga mesi i sallës
-S’bën!, kishte reaguar dikush!
-E pse s’bën!?, kishte thënë qortueshëm një shërbëtor i zellshëm i partisë!?
-Së pari nuk bën sepse kushtet në burg janë më të mira se sa i kanë në shtëpitë e tyre, këta që i kanë zënë gjumi. Është si t’ heqësh nga një kasolle e t’i dërgosh për vuajtje të dënimit e në hotel me 5 yje!
-Së dyti, s’bën sepse edhe ata shokët tu mbrapa teje kanë fjet, e ti e din se pushteti ka dënime të ashpra për shërbëtorët e vet që nuk e bëjnë punën me syçeltësi!
Tani në sallë kishte rënë heshtje varri!!! Akrepat po tregonin orën 3 pas mesnate. Dikush po gërhiste, dikush thithte çibukun, ca të tjerë po e zhbironin bujashkën me akronimet K. R. Dikush kishte thënë: mbledhja vazhdon nesër në mëngjes, në ora 8.00.