Djemtë e kryetarit Agim Bahtiri i ndërtojnë shtëpi të re veteranit të luftës, Dibran Qela

Duke parë gjendjen e vështirë të familjes së veteranit të luftës së UÇK-së, Dibran Qela, djemtë e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Samiu dhe Valoni, që aktualisht jetojnë në Holandë, ku edhe i kanë bizneset e tyre, kanë filluar të premten ndërtimin e një shtëpie të re në fshatin Shupkofc për këtë familje, me mjete nga buxheti i tyre familjar.

Veterani i luftës Dibran Qela, përveç se jeton në një familje 13 anëtarësh, bashkë me vëllezërit e tij, në një gjendje të rënduar ekonomiko-sociale, ka të sëmurë nga leukemia edhe vajzën shtatë vjeçare, Albinën, e cila është në trajtim të përhershëm mjekësor, pasi që gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohet vazhdimisht.

“Jetoj në kushte të vështira, me pensionin  e vetëm të veteranit të luftës. Mirëpo, pensioni që marrë nuk më mjafton as për së afërmi, pasi që më duhet të siguroj ilaçe për vajzën e sëmurë. Disa herë iu kam drejtuar kryetarit Bahtiri për ndihmë dhe ai asnjëherë nuk më ka refuzuar. Pra gjithherë e kam pas mbështetjen e tij, aq sa kanë lejuar mundësitë buxhetore të komunës, pasi ka edhe shumë njerëz të tjerë që kanë të sëmurë dhe po ashtu kanë nevojë për mbështetje”, tha ai.

Dibrani shtoi në vazhdim se ndërtimi i shtëpisë ishte shumë urgjente, meqë mjekët kanë rekomanduar se vajza duhet të ketë qetësi dhe kushte minimale të pranueshme për shërim, sepse nuk është mirë për shëndetin e saj të jetoj në kushte në të cilat është aktualisht duke jetuar.

“Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj nga zemra fëmijët e kryetarit Bahtiri që po më dalin në ndihmë dhe po më zgjedhin këtë problem jetësor. Tani vajza ime do të ketë kushte më të mira për të ruajtur shëndetin e rënduar, me shpresë se një ditë do të gjenden rrugë për tu shëruar tërësisht, pasi që mjekët më kanë thënë se ajo mund të shërohet edhe këtu në Kosovë. Po ashtu, falënderoj shumë edhe kryetarin Bahtiri për ndihmën e vazhdueshme që më ka dhënë”, tha ai.

Djemtë e kryetarit Bahtiri, nuk deshën të flasin shumë, por thanë shkurt se janë shumë të lumtur që po kanë mundësi për të ndihmuar këtë familje në nevojë dhe për t’i gëzuar anëtarët e saj me rastin e fillimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit.

Ata kërkuan nga kompania kontraktuese që punët t’i kryej mirë dhe sa më shpejt, në mënyrë që mundësisht Bajrami i Madh të gjej familjen në shtëpi të re. Premtuan se shtëpinë e re do ta mobilojnë në tërësi dhe do ta  pajisin me orendi e gjëra tjera të nevojshme.

Përveç kësaj, ata e njoftuan veteranin e luftës Qela, se do të gjejnë brenda dy-tri ditësh një banesë me qira, në mënyrë që familja të vendoset në të përderisa shtëpia të jetë e gatshme për banim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …