Udhëheqësi i Departamentit për Ekonomi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi ka tërhequr vërejtjen se 2 miliardë e 500 milionë euro të cilat menaxhohen nga Trusti Pensional janë pa mbikëqyrje. Ai ka theksuar më tutje se kjo është një papërgjegjësi e madhe nga ana e Qeverisë Kurti. “Nevojiten reforma në sistem pensional për të bërë liberalizim të shtyllës së dytë. Kjo do ta zvogëlonte mundësinë për humbje në Trust” tha udhëheqësi i Departamentit për Ekonomi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi. Gjatë konferencës për medie, ai foli edhe për mungesën e emërimit të Bordit të Trustit, ku sipas tij, është e pakuptimtë në një situatë krize ekonomike tash e tre vite.
