leoni

Kuvendi i Komunës së Ferizajt diskutoi raportin vjetor të punës së ekzekutivit komunal për vitin 2022

Kryesuesi i Kuvendi të Komunës, Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjen e trete të rregullt të kuvendit. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari Lulzim Aliu,  drejtor të drejtorive komunal si dhe anëtarët e kuvendit. Para asamblistëve raportin vjetor të punës e ka shpalosur Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu,  i cili ka thënë se në këtë raport janë  përmbledhur të gjitha angazhimet e qeverisjes lokale, administratës komunale dhe gjithë levës së qeverisë në shërbim të qytetarëve gjatë vitit 2022. “Viti 2022, të nderuar të pranishëm, nuk ishte viti më i mirë, gjendje në të cilin po kalon gjithë vendi e më gjerë. Ishte vit ku u ballafaquam edhe ne si qeverisje, si edhe qytetarët, me vështirësi të shumta, diktuar nga rritja e shkallës së inflacionit në vend, rritje e çmimeve të produkteve të shumta, që vështirësuan ndjeshëm, zhvillimin e shumë punimeve të synuara e të planifikuara nga ana jonë. Për fat të keq, edhe burokracitë e nivelit qendror, që të procedohet më shpejt me gjetjen e zgjidhjes më të mirë, bënë që i gjithë kalendari ynë i punimeve, të pësoj ndryshime e pritje të vazhdueshme. Megjithatë, të nderuar të pranishëm, jam krenar të them se edhe në vitin 2022, arritëm suksese, të cilat si të tilla, bënë që të vazhdoj vizioni ynë transformues, qasja jonë shërbyese, dinjitoze, për t’i shërbyer Ferizajt e ferizajasve. Kundruar nga dimensione të ndryshme të projekteve e punëve, të zhvilluara gjatë 2022-tës, mirëfilli del përfundimi që edhe ky vit ishte përplot me projekte të reja, por edhe ato ekzistuese – të mëparshme. Asnjë forcë, asnjë pengesë, asnjë përpjekje, nuk mund ta ndal transformimin e hovshëm të Ferizajt, dëshirën e pritjen e mijëra-mijëra ferizajasve që duan ndryshimin, duan transformimin, duan Ferizajn – ashtu siç kemi punuar e po angazhohemi vazhdueshëm ta bëjmë, një qendër urbane – referencë e punës dhe zhvillimit. Në planin e infrastrukturës rrugore publike, përuruam një tjetër vepër madhore publike, siç është nënkalimi për vetura dhe këmbësorë në fshatin Nikadin, vepër kjo që përveç aspektit të modernes që i shtohet infrastrukturës rrugore në Ferizaj, i jep përgjithmonë lamtumirën, pasigurisë, rreziqeve për të kaluar në këtë aks rrugor”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se  vrulli i punëve për transformim urban, vijoi edhe me rrugën “Ahmet Kaçiku”. “Pas dekadave të tëra të ekzistencës së saj, dora e pushtetit lokal po vendoset, për ta bërë rikonstruktimin e saj të plotë, duke e kthyer në një rrugë model për Ferizajn e gjithë qendrën e qytetit. Në këtë projekt, ndonëse patëm vështirësi, vonesa të shkaktuara nga punimet në rrjetin hekurudhor, zhvendosjen e infrastrukturës nëntokësore nga kompani publike jokomunale, gjë që nuk varej nga ana jonë, megjithatë, bashkë me kërkimfaljen për qytetarët, tashmë jemi dëshmitarë se kanë rinisur punimet për ta kompletuar këtë aks rrugor. Edhe në fshatra u zhvilluan projekte të ndryshme infrastrukturore, si fjala vjen, asfaltimi i segmentit rrugor që lidh fshatrat Bibaj- Talinoc i Muhaxherëve me gjatësi 2 kilometërshe, me trotuare, shirit gjelbërimi skaj rrugës, shtigje për çiklistë e infrastrukturën e nevojshme e gjithashtu në vitin 2022, nisën punimet edhe për rregullimin e zgjerimin e rrugës në fshatin Zllatar. Ferizajasit nga viti 2022, në aspektin e sigurisë së qarkullimit rrugor, do të jenë më të sigurtë, për faktin se vetëm në këtë vit, u ndërtuan mbi 11 kilometër trotuare e gjithashtu, rregulluam afro 5 kilometër shteg të ri për çiklistët. Për ta bërë më të lehtë qarkullimin në nyje të ndryshme rrugore, ndërtuam edhe rrethrrotullimet si ato në rrugët: “Rexhep Bislimi”, “Emin Duraku” dhe “Vëllezërit Gërvalla”, tha Aliu. Para anëtareve të Kuvendit të Komunës, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se me pjesëmarrjen financiare të Komunës së Ferizajt, në bashkëpunim me Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, objekti i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj iu nënshtrua renovimit të jashtëm plotësisht, pa lënë anash edhe furnizimin e kësaj Brigade me pajisje pune,  gjersa në aspektin e përmirësimit të shërbimeve publike, si fjala vjen grumbullimin e mbeturinave, investuam e ishim përfitues të 7 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, me të cilat tashmë operon dukshëm më lehtë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia”. “Lidhur me menaxhimin e mbeturinave, vijoi edhe aksioni ynë i përvitshëm për eliminimin e deponive të mbeturinave, ku vetëm gjatë vitit 2022, larguam 30 deponi ilegale të mbeturinave. Gjithashtu, ekipet profesionale të kryesuara nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, vendosën edhe 10 hidrantë të rinj në territorin e Komunës sonë, duke lehtësuar ndjeshëm reagimin e ekipeve të zjarrfikësve në rastet e fatkeqësive nga zjarri. Në planifikimin e në mesin e punëve të realizuara në fushën e shërbimeve publike, ishte edhe lehtësimi i qasjes në infrastrukturën rrugore për personat me nevoja të veçanta, ku u rregulluan nyjet e nevojshme në vija të shumta rrugore në qytet e fshatra. Njëkohshëm, vijoi puna me shenjëzimin rrugor, ku afro 20 kilometër rrugë të reja u mbuluan nga ky projekt”, ka potencuar Aliu. Në fjalën e tij, Kryetari Aliu, është ndaluar edhe tek investimet në fushën e bujqësisë që janë bërë gjatë vitit 2022. Ai ka thënë se janë mbështetur 165 fermerë me serra dhe sistem të ujitjes pikë-pikë, janë mbështetur 60 bujq, duke i subvencionuar me motokultivatorë, qindra bujq e fermerë janë përfitues nga skema e mbështetjes me subvencione, poashtu janë kompenzuar rreth 50 fermerë për dëmet nga fatkeqësitë natyrore. “Natyrisht nuk munguan edhe projekte kapitale në këtë drejtim, si ai për ndërtimin e bazeneve të sillazhit ku përfituan 13 fermerë e natyrisht edhe projekti tashmë i përfunduar, ku ndërtuam Qendrën e Trajtimit të Përkohshëm të qenve endacak, pa lënë anash edhe projektin tjetër madhor, atë të avancimit të punimeve për ndërtimin e Tregut të Kafshëve.  Përtej qendrës së lartpërmendur për qentë endacak, vlen të theksohet se vetëm në vitin 2022, trajtuam mbi 1300 qenë endacak e gjithashtu hapëm 4 pika ushqyese për qentë endacak”, tha ai. Kryetari Aliu, është ndalur edhe tek plani financiar, që sipas tij krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, janë realizuar të hyra vetanke nga tatimi në pronë 272,832.31€ më shumë këtë vit apo shprehur në % kemi realizuar 10.87% më shumë se sa vitin e kaluar, ku është tejkaluar plani për realizimin e të hyrave vetanake nga 5,917,359.00€ sa ishin planifikuar, janë realizuar 7,828,490.60€; apo shprehur në % realizuam mbi 32.30% më shumë, vlera e inkasuar e te hyrave vetanake për këtë vit është 7,828,490.60€ apo 1,633,136.62€ më shumë sesa realizimi i vitit të kaluar, që shprehur në përqindje realizuam 26.36% më shumë sesa vitin e kaluar. “Lidhur me një komponentë të rëndësishme të jetës publike, atë të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në vitin 2022, nisëm procedurat për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare nr. 2 në bashkëfinancim me organizatën Qatar Charity, si një kapacitet tejet i nevojshëm për shërbime shëndetësore për qytetarët e gjithashtu, mbështetëm financiarisht organizatat komunitare si Handikos, Hendifer dhe Doun Syndrome Kosova, ku nga projekti që patëm me organizatën gjermane ASB, u përmirësuan dukshëm kushtet e punës në selitë e këtyre organizatave. Ferizaj i orientuar kah zhvillimi i turizmit, gjatë vitit 2022 përfundoi edhe uebfaqen turistike të Ferizajt e gjithashtu edhe Udhëzuesin Turistik të Ferizajt për qytetarët, bizneset e vizitorët potencial të Ferizajt. Në këtë kuptim, përfundoi edhe shenjëzimi dhe digjitalizimi e shtigjeve të ecjes malore në 56 kilometër territor malor të Ferizajt, bashkë me organizatën Suiss Contact e ndërkohë inicuam punën për kryerjen e fizibilitetit për potencialin turistik edhe të fshatrave Jezerc, Neredime, Burrnik dhe Pleshinë, studim ky i nevojshëm për orientimin e investimeve tona nga kjo fushë”, tha Aliu. Kryetari Aliu, ka folur edhe për sferën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit. “Vlen të theksojmë nisjen e punimeve për ndërtimin e shkollës në fshatin Tërrn dhe në rrugën “Sali Çeku” në qytet, përfundimin e punimeve në ndërtimin e shkollës në Zaskok, ndërtimin e kapaciteteve të reja të  infrastrukturës sportive si Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyçi” dhe Salla e Sporteve në Fshatin e Vjetër.  Dëshmuam për të satin vit me radhë, qasjen tonë që kemi për të rinjtë, për studentët, duke ndarë mbi 430 bursa komunale – për të gjithë aplikantët që plotësuan kriteret minimale e gjithashtu për të shtuar sigurinë në shkolla, instaluam shërbimin e sigurimit fizik të objekteve shkollore në 13 institucione shkollore. Në planin e investimeve me qëllim të kursimit të energjisë, ishim Komuna e vetme në gjithë vendin, përfituese nga Fondi IPA për bashkëpunim ndërkomunal e që pati si rezultat, realizimin e projektit për vendosjen e paneleve diellore dhe zëvendësimin e poçave elektrik në 4 institucione shkollore e parashkollore në Ferizaj. Për kulturën, rininë dhe sportin, 2022-ta solli dinamikën e re të punimeve për përfundimin e Pallatit të Kulturës, nisjen e renovimit të jashtëm të Palestrës së Sporteve “Bill Clinton”, rregullimin e fushës së futbollit në Tërrn e mbështetjen e 220 projekteve kulturore, rinore e sportive, pa lënë anash edhe punën e përkushtimin që bashkëqytetarëve tanë, t’i ofrojmë programe të pasura kulturore-artistike përmes mbi 200 aktiviteteve kulturore që realizuam në vitin 2022”, ka thënë Aliu. Pas fjalës së Kryetarit Aliu, në këtë mbledhje pati diskutime pro e kundër për këtë raport. Ishte opozita ajo që pati vërejtje për këtë raport të punës, ndërsa pozita e vlerësoi lart këtë raport të punës së ekzekutivit komunal.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …