Dëshmori Jeton Dedushaj u lind më 5 janar të vitit 1975, në trevën e Plavë-Gucisë, në fshatin Vuthaj, në një familje të dalluar në luftë për liri e pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare përgjatë një shekulli. Më vonë, për shkak të përndjekjeve e persekutimeve nga shovinistët serbo-malazezë, të cilët në vitin 1951, ia kishin pushkatuar dy anëtarë të familjes – Çun Tahirin dhe Isuf Zymerin, familja e tij ishte detyruar të shpërngulet në qytetin e Pejës.
Jetoni, shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Pejë, ku i vazhdoi edhe studimet në Shkollën e Lartë Ekonomike. Prindërit e tij, Idriz e Bjeshkë Dedushaj, i lindën e i rritën katër fëmijë, dy djem e dy vajza, të cilët i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, të bindur se atdheut duhet t’i dalin zot sa herë që e kërkon nevoja, pa marrë parasysh çmimin që duhet paguar. Kështu edhe Jetoni, si çdo i ri atdhetar nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, me t’u dhënë kushtrimi i luftës për liri, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i dalur zot atdheut në çastet më të vështira. Ai shkoi në vijën e frontit kudo që e thërriste zëri i lirisë së atdheut. Prej datës 5 qershor 1998, kur u radhit në radhët e UÇK-së në Shtabin e UÇK-së në Gllogjan të Rekës, mori pjesë dhe u dallua në një varg betejash kundër forcave serbe si: në Betejën e Loxhës, të Gllogjanit, të Vrellës, të Jabllanicës, të Lumbardhit, etj.
Prej shtatorit të vitit 1998, pas riorganizimit të radhëve të UÇK-së, Jeton Dedushaj u sistemua në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Kjo brigadë, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj, edhe pse vijat e frontit i lau me gjakun e luftëtarëve më të dalluar, korri fitore betejë pas beteje, ku u dallua me guxim e trimëri edhe luftëtari dëshmor Jeton Dedushaj.
Gjatë pranverës së vitit 1999, Zona Operative e Dukagjinit e UÇK-së ishte përfshirë në luftime të rrepta, por luftëtarët e UÇK-së u treguan të gatshëm të qëndrojnë denjësisht deri në fitore. Pak ditë para se të binte Jetoni, por edhe bashkëluftëtarët e tjerë si Shpend Malaj, Burim Mustafaj, Sinan Morina, Enver Dobraj etj., në vijën e frontit Ratish i Epërm-Kodrali-Pozhar-Lumbardh luftimet ishin të pandërprera, në të cilat pësoi edhe armiku. Vetëm gjatë luftimeve gjashtëditore (31 maj-5 qershor 1999) në vijën e frontit Lumbardh-Pozhar janë vrarë mbi 60 pjesëtarë të forcave policore serbe dhe u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme teknike.
Edhe ditën e 5 qershorit, në këtë vijë të frontit gjatë tërë ditës nuk pushuan granatimet e mitralimet e rënda dhe tentativat për të depërtuar me këmbësori në pozicionet e UÇK-së. Mirëpo luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, të ndihmuar nga njësitet e Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, të Brigadës 134 “Bedri Shala” si dhe nga Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”, u bënë muranë e pakalueshme. Këngët heroike të luftëtarëve të lirisë jehuan deri në kupë të qiellit, duke u bërë shembull unikat se si luftohet e vdiset për atdhe.
Në këto luftime, Jeton Dedushaj tregoi trimëri e heroizëm të rrallë. Ra heroikisht më 5 qershor 1999, në njërën ndër betejat më të rrepta në vijën e parë të frontit Lumbardh-Pozhar, ku luftimet u zhvilluan në afërsi, edhe trup më trup. Të njëjtën ditë u varros me nderime të larta ushtarake në Maznikë. Më 24 gusht 1999, trupi i tij u rivarros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, ku prehet edhe sot e kësaj dite përkrah heronjve Luan e Shkëlzen Haradinaj, Edmond Hoxhë, Gazmend Mehmetaj, Skënder Çekut, Halit Cokës e shumë të tjerëve.
Dëshmori Jeton Dedushaj nuk ishte i martuar. Ka lënë pas vetes babain Idrizin, nënën Bjeshkën, vëllain Kastriotin dhe motrat Shqiponjën e Valbonën. Emrin e dëshmorit e mban djali i të vëllait, Kastriotit.
Familja Dedushaj u nderua me mirënjohje të shumta për të birin dëshmor, nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Komuna e Pejës, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, etj.
Pas përfundimit të luftës, në vendin e rënies i është ngritur pllakë përkujtimore. Për të janë kënduar këngë e janë thurur poezi, janë shkruar dhjetëra shkrime përkujtimore. Emrin e Jeton Dedushajt, këtij trimi të Vuthajve e mbajnë me krenari edhe shumë rrugë të Kosovës. Sot Jetoni është i pavdekshëm në mesin e të pavdekshmëve të kombit, si një dëshmi emblematike se një popull që e bashkon gjaku dhe gjuha, që e bashkon pashkëputshmëria territoriale, nuk e ndajnë dot kufijtë e dhunshëm, se një komb që ka djem si Jeton Dedushaj me bashkëluftëtarë që i dalin zot, nuk vdes kurrë! (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …