Në fjalën e urimit për muajin e Ramaznait myftiu i Kosovës, Naim Ternava në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin e vet personal, iu ka uruar të gjithë besimtarëve islamë fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e lutur Zotin të pranojë agjërimin dhe adhurimet e tjera, të cilat i bëjnë myslimanët në shenjë Madhërimi ndaj Tij. Sinqeriteti dhe besnikëria janë vlera të pastra të cilat rezultojnë nga agjërimi i muajit të Ramazanit, ngase këto janë obligime që dalin nga Kurani, me qëllimin e vetëm që përmes agjërimit të arrijmë kënaqësinë dhe devotshmërinë shpirtërore, duke iu përkushtuar gjatë këtij muaji edhe më shumë besimit që e ndien besimtari në shpirtin dhe zemrën e tij.
Vëllezër e motra!
Mëkatet e mëparshme të mos jenë pengesë e pendimit, e lutjeve edhe gjatë këtij muaji, që jetës ti japim kuptim, që agjërimit ti japim vlerë. Dyert e kësaj feje universale për mbar botën gjithherë janë të hapura dhe mëshira e të Madhit Zot në raport me njeriun gjithherë është prezent.
Zoti xh. sh. thotë: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë…” / El-Bekare-185.
Ramazani, ky muaj i mëshirës po troket në dyert dhe vatrat tona, prej nesër begatitë e këtij muaji do të fillon t’i shijon edhe zemra dhe shpirti i çdo besimtari. Të gjithë myslimanët e botës do të sakrifikojnë nga vetja për të agjëruar dhe Madhëruar Allahun edhe më shumë se muajve tjerë, duke u përpjekur të ripërtërijë vlerat më madhore të Ramazanit.
Myslimanët e mbarë botës janë të gëzuar për ardhjen e këtij muaji në të cilin nuk marrin fund begatitë e Allahut, të cilat vetëm mund të përjetohen por jo edhe të shpjegohen, ngase ky është muaj i mëshirës, lutjeve, pendesës, adhurimit, muaj i Kuranit, muaj i shpëtimit.
Ramazani është mburojë e besimtarit, është thirrje mbi dinjitetin dhe përgjegjësinë e cila forcon marrëdhëniet e njeriut me Zotin, me familjen dhe shoqërinë, të cilat i ngrit gjatë këtij muaji në nivel edhe më të lartë me Zotin Krijues.
Allahu xh. sh. thotë: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. El-Be-kare-186.