Burim Sadik Mustafaj (6.10.1977 – 6.6.1999)

Burim Sadik Mustafaj (6.10.1977 – 6.6.1999)

Burim Mustafaj u lind më 6 tetor të vitit 1977, në fshatin Gllogjan të Deçanit, i cili fshat që nga viti 1980 e këndej ishte vatër e bashkimit të veprimtarëve të Lëvizjes atdhetare dhe e bashkimit të luftëtarëve të lirisë, që iu përgjigjën njëzëri kushtrimit të luftës së armatosur për çlirimin e trojeve të robëruara shqiptare, duke u bërë një nga qendrat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Familja Mustafaj mori pjesë aktivisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe pas saj, si gjatë demonstratave të vitit 1981 e veçanërisht u dallua në luftën çlirimtare në krye me UÇK-në, ku mori pjesë masivisht, duke dhënë edhe dy dëshmorë të kombit, Burim e Shefqet Mustafaj dhe një martire, Besnike Mustafaj.
Gjyshi i dëshmorit, Ramë Mustafaj, ishte maltretuar nga UDB-eja e Rankoviqit, në dimrin e egër të vitit 1956/1957, gjatë aksionit famëkeq të armëve.
Babai i dëshmorit, Sadiku, në fillim të dekadës së nëntë të shkullit 20, disa herë besnikërisht barti korrespondencën ilegale nga Gjermania në Kosovë dhe anasjelltas, ndërmjet Jusuf Gërvallës e Ismajl Haradinajt. Në vitin 1981, nga familja Mustafaj, për shkak të veprimtarisë atdhetare, u dënuan me burg Islam Mustafaj, Sokol Mustafaj dhe Nimon Mustafaj, si anëtarë të grupit të fshehtë atdhetar “Shqiponja”.
Prindërit e dëshmorit Burim Mustafaj, Sadiku e Mejremja (bijë e familjes Rrustemi nga Rakoci), i lindën e i rritën gjashtë fëmijë: Bekimin, Burimin, Besniken, Bashkimin, Idrizin dhe Blerinën.
Burimi shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në paralelen e ndarë në Irzniq.
I rritur dhe i edukuar në frymë të pastër kombëtare, Burimi mori pjesë në protestat dhe demonstratat e organizuara kundër pushtuesit serb në Deçan e më gjerë. Ndërkaq, menjëherë pas epopesë së lavdishme të 24 marsit të vitit 1998 në Gllogjan, u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në kuadër të Njësitit Intervenues të Shtabit të Gllogjanit, që intervenonte kudo që e kërkonte nevoja në Rrafshin e Dukagjinit. Burimi pa dyshim ishte njëri ndër luftëtarët më të denjë të UÇK-së, i dalluar për guxim e trimëri të pashoqe në shumë beteja për një vit e gjysmë me radhë, deri në rënien e lavdishme në vigjilje të lirisë.
Mori pjesë dhe u dallua në betejat e zhvilluara gjatë viteve 1998-1999 në vija të ndryshme të frontit anekënd trevës së Dukagjinit, përkrah kryetrimit Shkëlzen Haradinaj e trimave të tjerë. Mori pjesë në Betejën e Baballoçit, më 21 prill 1998, ku ishte ndër luftëtarët më të dalluar. I tillë ishte edhe në betejat e zhvilluara në Shaptej, Prejlep e Rastavicë, gjatë muajit maj 1998, kur u bllokua rruga magjistrale Gjakovë-Deçan etj. Burimi disa herë ishte edhe në krye të grupeve të furnizimit që vinin nga mbarë Kosova në Gllogjan, për të udhëtuar drejt Shqipërisë dhe anasjelltas, për të sjellë armatim e municion. Ai u shqua edhe në luftimet e zhvilluara gjatë ofensivës serbe të muajit gusht 1998,e cila zgjati prej 9 deri më 12 gusht. Gjatë kësaj kohe Burimi u shqua në luftimet e zhvilluara në vijën e frontit në Shaptej, përballë pozicioneve serbe që gjendeshin në Sukë të Biteshit, pastaj në luftimet e zhvilluara në Gllogjan si dhe në sulmin e ndërmarrë kundër forcave serbe më 13 gusht 1998, afër shkollës fillore në Irzniq të Deçanit, në të cilat luftime ra heroikisht luftëtari Arben Ahmetaj. Burimi me bashkëluftëtarët ishte ndër luftëtarët e parë që u kthye në Gllogjan pas ofensivës së egër serbe në vjeshtë të vitit 1998. Ai mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në muajin shtator në Gllogjan, pastaj në Broliq të Pejës etj. U shqua edhe në luftimet e zhvilluara në Kralan e Maznikë gjatë muajit tetor-nëntor 1998, për të vazhduar pastaj në beteja të njëpasnjëshme të zhvilluara nga luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”.
Burimi veproi në kuadër të Njësitit të Zhelave, bashkë me Florim Mustafajn, Astrit Mehmetajn, Hasim Halilajn, Ardian Malajn, Valbona Tafilajn etj. Ishte komandant togu në kuadrin e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. U shqua, po ashtu edhe në aksionet luftarake të ndërmarra në prapavijë të armikut, përgjatë vijës magjistrale Gjakovë-Deçan-Pejë, kundër forcave serbe, te të cilat u shkaktua frikë e pasiguri. Aksione të tilla u kryen gjatë muajve nëntor-dhjetor 1998 si në Dujakë, në Lëbushë etj. Mori pjesë dhe u dallua edhe në Betejën e Janarit të vitit 1999, ku nga data 9 deri më 18 janar në Ratishë të Epërme e Dashinoc, u zhvilluan luftime të rrepta, në të cilat u përjetësuan luftëtarët: Çel Ukaj, Zef Gjokaj dhe Nikë Hajdaraj, por armiku u thye. U dallua edhe në Betejën e Pozharit (27-29 mars 1999), ku u vranë mbi 30 policë serbë, në mesin e të cilëve edhe oficerë të lartë, ndërsa ranë heroikisht dëshmorët Elez Gecaj e Maxhun Berisha. Burimi luftoi heroikisht edhe në luftimet e zhvilluara në Kralan e në Gërgoc, në fillim të prillit të vitit 1999. Burimi bashkë me bashkëluftëtarët tjerë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” dhe të njësive të tjera ushtarake të Zonës Operative të Dukagjinit, nën drejtimin e komandantit për Operacione Luftarake të ZOD-it, Shkëlzen Haradinaj, mori pjesë edhe në operacionin për evakuimin e mbi 40 të luftëtarëve të plagosur nga Spitali i Zhebelit në drejtim të Istogut. Përkrah komandantit Shkëlzen Haradinaj me shokë ishte edhe në betejën e zhvilluar në Malet e Maznikut, më 16 prill 1999, kur në mbrojtje të popullatës civile, bien në fushën e nderit Shkëlzen Haradinaj, Hasim Halilaj dhe Fatmir e Luan Nimanaj. U dallua edhe në luftimet e pandërprera të zhvilluara gjatë muajit maj dhe në fillim të muajit qershor të vitit 1999, jo vetëm në vijën e frontit Ratishë-Dashinoc-Lumbardh, por edhe në luftimet e zhvilluara gjatë muajit maj në Vranoc, Kosuriq e Buçan.
Pas ofensivave të ndërmarra nga forcat e pushtuesit serb, pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, UÇK-ja në Zonën Operative të Dukagjinit vazhdoi luftimet frontale, duke qëndruar heroikisht, si në Ratishë e Pozhar, Lumbardh e Dashinoc, në Vranoc e Buçan, Llugaxhi e Shqiponjë, në Koshare, Kralan e Gërgoc.
Në fund të muajit maj dhe në fillim të qershorit të vitit 1999 luftimet e zhvilluara në Ratishë të Epërme dhe në Dashinoc u ashpërsuan. Granatimet me artileri të rëndë dhe mitralimet me topa kundërajrorë kishin shënuar shkallën më të lartë në dy muajt e fundit. Edhe më 6 qershor 1999 gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime të rrepta. Në orët e vona të asaj pasdite, në vijën e parë të frontit në pozicionet mes Qëndresës (ish-Ratishit) e Pozharit, te Ura e Ratishit, një predhë e minahedhësit godet pozicionin e luftëtarëve të lirisë, me ç’rast bie dëshmor Burim Mustafaj, ndërsa plagoset për vdekje bashkëluftëtari i tij Shpend Malaj. Në atë rast u plagosëën edhe luftëtarët Florim Mustafaj e Bujar Haradinaj, Ardian Malaj e Valbona Tafilaj.
Thonë se fitoren e ndjell liria dhe e përçojnë çlirimtarët. Ai që vdes për idealin e shenjtë të lirisë së atdheut gjaku nuk i humb kurrë. I tillë ishte edhe dëshmori Burim Mustafaj.
Burim Mustafaj, natën e rënies u varros me nderime ushtarake në Maznikë. Pas përfundimit të luftës, më 24 gusht 1999, u rivarros me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, së bashku me dyzet dëshmorë të tjerë, si Luan e Shkëlzen Haradinaj, Skënder Çeku, Fatmir e Luan Nimanaj, Agim Selmanaj, Arben e Luan Qerimaj, Shpend Malaj, Hasim Halilaj, Shefqet Mustafaj, Halit Coka etj., me ceremoni madhështore në të cilën morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora. Familja Mustafaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor. Për të janë shkruar shkrime të shumta përkujtimore. Janë thurur këngë e poezi. Dy vjet pas rënies, emri i dëshmorit u përtëri nga djali i vëllait, Bekimit. Dëshmorëve Burim Mustafaj e Shpend Malaj, në shenjë kujtimi të përjetshëm, në vendin e rënies u është ngritur lapidari i përjetësisë. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …