leoni

Hajrullah Sylejman Abdullahu (1.1.1949 - 3.4.1999)

Hajrullah Sylejman Abdullahu (1.1.1949 – 3.4.1999)

Hajrullahu u lind në 1 janar të vitit 1949 në fshatin Krilevë të Malësisë së Gollakut. Ishte djali i parë nga dhjetë bijtë dhe bijat e prindërve Sylejman e Halime Abdullahut. Babai e kishte pagëzuar me emrin e vëllait të tij, Hajrullahut, i cili luftoi dhe ra trimërisht më 1944 në frontin e luftës, në fshatin Prapashticë, në mbrojtje të Kosovës nga invadimi i bandave çetnike dhe partizane serbe. Rexhep Orana, xhaxhai i nënës së Hajrullahut, ishte luftëtar i mirënjohur i radhëve të forcave nacionaliste, i cili ashtu sikurse edhe shumë atdhetarë të tjerë, iu kundërvu ripushtimit serb të Kosovës. Ai u ekzekutua nga OZN-a titiste. Nuk i dihet varri.

Mësimet fillestare, Hajrullahu i kreu në vendlindjen e tij në fshatin Krilevë. Më pas kryen shkollën ekonomike, në Prishtinë. Qysh i ri brumoset me ide atdhetare, i frymëzuar sidomos nga babai, i cili prore kujtonte luftërat heroike të së kaluarës, e veçanërisht luftën që kishte bërë vëllai i tij me liridashësit e tjerë të vendit, kundër ripushtimit të Kosovës nga partizanët e Titos, por edhe nga e ema, e cila shpesh herë sillte në kujtesë xhaxhanë atdhetar.

 Së bashku me disa shokë të shkollës, Hajrullahu merr pjesë në demonstratat e vitit 1968, të cilat u zhvilluan në Prishtinë dhe në disa qytete të Kosovës. Qysh atëherë ishte bindur se lufta për të fituar të drejtat ishte e gjatë dhe e mundimshme, por epashmangshme për të gjithë shqiptarët, të cilët Jugosllavinë e konsideronin okupatore.

Hajrullah Abdullahu ka marrë pjesë në zhvillimet dhe aktivitetet atdhetare të lëvizjes së rezistencës pasive dhe aktive, qysh prej vitit 1989. Me rastin e largimit nga shkolla të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, nga regjimi serb i Milosheviqit, Hajrullahu vë në dispozicion shtëpinë e tij për nxënësit e shkollës së mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, në Prishtinë. Kontaktet e para me ilegalen patriotike i merr përmes motrës së vet, Ramizes, e cila ishte anëtare e LKÇK- së. Në atë kohë Ramizja qe njoftuar edhe me veprimtarët e mirënjohur: Bahri Fazliu, Agron Rrahmani, Salih Salihu, Raif Çela e të tjerë.

Hajrullahu ka qenë edhe aktivist i LDK-së, prej vitit 1991. Aktivitetin e tij e zhvilloi në Degën e Tretë të kësaj partie, në Prishtinë. Krahas pjesëmarrjes dhe aktivitetit legal partiak në LDK, ai ishte në dijeni edhe të aktivitetit ilegal të së mortës, Ramizes, e më vonë edhe të dhëndrit, Salih Salihu. Duke qenë zemërgjerë dhe bëmirës, ai ndihmon familjet e varfëra, e sidomos disa familje të të burgosurve politikë. Kishte një shitore në shtëpinë e tij në lagjen Velania, në Prishtinë. Prej vitit 1993 deri në vitin 1996 vazhdimisht viziton të motrën, Ramizen në burgun e Mitrovicës dhe në atë të Lypjanit. Ramizja asokohe qe dënuar me grupin e veprimtarëve: Raif Çela, Shemsi Veseli, Salih Salihu, Salih Mustafa, Faik Ajeti, Hajredin Hyseni e të tjerë. Gjatë kohës sa ishte në burg motra e tij Ramizja, Hajrullahu bëri kthesë vendimtare në drejtim të kuptimit të drejtë të lëvizjes për liri, edhe pse në kushte dhe rrethana të caktuara vazhdoi aktivitetin legal partiak.

Pas masakrave që kryen bandat shtetërore serbe në Qirez dhe Likoshan të Drenicës, më 28 shkurt të vitit 1998, Hajrullahu së bashku me babanë e vet Sylejmanin, merr pjesë në varrimin e të martirizuarve.

Në fillim të majit të vitit 1998, shkon në Tiranë për të kontaktuar me disa bashkëveprimtarë, si dhe për të ndihmuar në sigurimin e armatimit për nevojat e luftës së UÇK-së. Gjatë qëndrimit në Tiranë, kontakton me veprimtarët e lëvizjes kombëtare, Sejdi Veselin dhe Nazmi Zuka. Pak kohë më parë, ishte vrarë pabesisht llir Konushevci, njëri ndër themeluesit e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hajrullahu merr pjesë në varrimin e Ilirit, në Tiranë. Ndërkohë, armatoset për të hyrë pastaj në Kosovë.

Në vazhdim të aktivitetit të tij ilegal në shërbim të luftës çlirimtare, Hajrullahu, pas vrasjes së Agron Rrahmanit dërgoi ilegalisht në Tiranë, Valbonë Rrahmanin, motrën e dëshmorit, për të cilën supozohej se mund të arrestohej nga policia serbe. Nga Nazmi Zuka në Tiranë, merr dy automatikë dhe ndërkohë kthehet në Prishtinë. Automatikët ia dorëzon gueriles së qytetit në Prishtinë, sipas porosisë që kishte marrë në Tiranë. Duke qenë se ishte angazhuar në shërbim të logjistikës së luftës, në muajt korrik dhe gusht të vitit 1998, Hajrullah Abdullahu, së bashku me Kadri Ibrahimin nga Gjilani, arrin që nga Presheva e Bujanovci të sjellë në ZlIashë, armë dhe municion për luftëtarët e zonës Operative të Llapit, përkatësisht të Brigadës 153. Ai kishte ndihmuar me armatim edhe disa nga guerilët e njësitit BIA që vepronte në Prishtinë. Pas shumë peripecive dhe rreziqeve, me veturën e tij të tipit “Passat caravan”, armët i sjell në shtëpinë e tij në Prishtinë. Pas një kohe ato i dërgoi në ZlIashë, së bashku me Ibrahim Mehmetin, Rrahman Dinin e të tjerë.

Në gusht të vitit 1998, Hajrullahu, së bashku me motrën e tij, Ramizen, shkon në Zonën Operative të Shalës, në pikën ushtarake të Bajgorës.

Ramizja inkuadrohet në radhët e UÇK-së, ndërsa Hajrullahu ngarkohet me detyra të caktuara, megjithëse, përveç angazhimeve në Zonën e Llapit, i kishte mbetur në përkujdesje edhe familja e tij në Prishtinë, si dhe familje të tjera, që kërkonin strehim. Gjatë tërë asaj kohe Hajrullahu ishte në veprim. Nuk ndalonte për asnjë çast. Iu ndihmonte disa familjeve nga Drenica që kërkonin strehë në Prishtinën, asokohe jo edhe aq mikëpritëse. Merrte pjesë në varrimin e të martirizuarve dhe prore iu bënte thirrje qytetarëve që të mos e lëshojnë Kosovën. Mbante lidhje të vazhdueshme me Njësitin e Gueriles në Velani. Rrugëtimi i tij për të dhënë kontribut ishte i përditshëm. Vizitonte pikat luftarake në Vanoc, vizitonte motrën Ramizen, depërtonte në Keqekollë e Zllash ë dhe mbante kontakte edhe me grupin e gueriles në Sofali. Duke qenë se depërtonte shpesh në zonat e luftës, dhe meqë ishte rrezikuar të binte në pritë, ai vazhdimisht ishte i armatosur.

Kurdoherë që shtegtonte nga një terren në tjetrin kontrollonte mirë vendin, para se të nisej për ndonjë detyrë të caktuar. Më 24 mars 1999, në kohën kur kishte filluar bambardimi nga aeroplanët e NATO-s, kundër caqeve ushtarake serbe, Hajrullahu, së bashku me motrën, Ramizen dhe me Tafil Rrahmanin, depërton në ZlIashë, ku dërgon shumë veshmbathje dhe ushqime. Tafilin dhe Ramizen i lë në Zllashë, kurse vetë shkon në Keqekollë, te Sabit Ademi, ku zakonisht i linte armët, të cilat atë natë i merr dhe kthehet në Grashticë. Rrugën e kishte bërë këmbë. Më 25 dhe 26 mars të vitit 1999, shtëpia e tij në Velani ishte e mbushur përplot me refugjatë. Më 27 mars, serbët vrasin tre shqiptarë në rrugën e Matiçanit, dhe dy të tjerë afër shtëpisë së tij. Merr pjesë dhe ndihmon në varimin e tre të vrarëve.

Gjatë ditëve të fundit të marsit të vitit 1999, kishte filluar paniku në mesin e popullatës civile. Në shtëpi kishte shumë refugjatë. Disa bënin përpjekje të iknin në Maqedoni, disa të tjerë nuk dinin nga t’ia mbanin. Hajrullahu mundohej t’i bindte që të mos e lëshonin Kosovën, por të depërtonin nëpër male, ku kishte popullatë te zhvendosur.

Me rastin e ikjes së qytetarëve, kërkon nga ata që të mos largohen. Disave iu ndihmon për të depërtuar në Keqekollë, Butoc, Mramor e gjetkë.

Më 2 prill 1999 iu dërgon ushqime familjeve të zhvendosura në Keqekollë ku kishte edhe familjen e vet. Ushqimet i dërgon në shtëpinë e Sabit Ademit. Më 3 prill, rreth mesditës, kthehet ilegalisht në Prishtinë. Pasi vë parzmoren, ngjesh armët dhe i porosit të ëmën që të mos merakoset rreth ores 20, del me bashkëveprimtarët ta vëzhgojë terrenin. Në një moment të befasishëm Hajrullahu, bie në pritë të bandave policore e ushtarake serbe. Në një dyluftim të pabarabartë, në përpjekje për të depërtuar në një vend të caktuar, bie dëshmor në lagjen e tij, në Velani të Prishtinës. Trupin e dëshmorit e zbulon në morgun e spitalit të Prishtinës, daja i tij, Hasani, i cili e tërheq kufomën. Fillimisht e varrosin në ZlIatar.

Pas mbarimit të luftës, trupin e dëshmorit, Hajrullah Abdullahu, bashkëluftëtarët e varrosin në Varrezat e Dëshmorëve, në Prishtinë, ku prehet në amshueshmëri, përkrah dëshmorëve të tjerë, që gjakun e tyre të shenjtë ia falën çlirimit të Kosovës. Hajrullahu ka lënë bashkëshorten, Hanifen, bijën, Gëzonjetën dhe djalin Gëzimin, të cilët janë krenarë për babanë e tyre dëshmor.

Përveç prindërve, Hajrullahu ka lënë vëllezërit: Muhametin, lsën, Eshrefin dhe Ibrahimin, si dhe motrat: Ajshen, Fatimen, Mejremen, Ramizen dhe Eminen. Familja Hajrullahu ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Llapit dhe nga shoqatat e dala nga lufta, të UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …